“Monologu i artistit “të çmendur””, Çun Lajçi “godet” rëndë deputetët/ Ja pse nuk ka Kuvend

Aktuale

“Monologu i artistit “të çmendur””, Çun Lajçi “godet” rëndë deputetët/ Ja pse nuk ka Kuvend

Nga: N.E Më: 15 maj 2025 Në ora: 14:34
Shkrimtari Çun Lajçi

Të enjten ka dështuar për herë të 16-të përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Shkrimtari Çun Lajçi ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve, duke thënë se nuk ka kuvend sepse nuk ka njerëz që e duan atdheun më shumë se veten.

Lajçi përmes një shkrimi publicistik në Facebook, ka shtuar se deputetët tallen me besimin e popullit dhe se as iriçi nuk tallet me therrën, siç tallen ata me popullin.

Shkrimi i plotë:

Nuk ka Kuvend se s’ka njerëz që e duan atdheun më shumë se vetën!

(Monologu i artistit të “çmendur”)

Mos e ndyni gojën! – i tha me zë të ngjeshur një deputeti që fliste para kamerave, si të ishte në ndonjë teatër eksperimental.

– Fjala s’është shaka për ekrane!

Fjala është psherëtimë mëngjesi! Është rrahje zemre, piskamë shpirti!

Është si e brendshmja e njeriut që don të çahet si vezë, për të lindur zogun e natës – atë që këndon kur bota fle, kur drejtësia hesht e kur populli harrohet.

– Ky popull ende s’është gati të vdes! Ka ende shtigje për të shkelur, deri te krojshja ku fle gjarpri i ëndrrave të shkelura!

– S’e ka bërë ende hapin e buburrecit, me kashtërrojë mbi shpinë.

- S’është futur akoma në strofullën e urithit, – u tha atyre që qeshnin pas krahëve të tij, me kravatat e shtrembëra e buzëqeshjet e lodhura.

– As unë s’kam rënë nga Shkëmbi i Vashës për t’u bërë këngë në gojën e vajtojcave!

Në doni të bëheni këngë që s’harrohet – mësoni frymën e parë të dashurisë që dhemb! Aty fillon Atdheu!

– Unë nuk kam hipur mbi Piramidat e Faraonëve që të më flasë syri si heshtja e guacës nën diellin e shkretëtirës, siç të flet ty rrejshëm para kamerave!

– Kujt i besoni ju, që s’i besoni vetes? Ju që talleni me besimin e popullit, sikur të ishte ndonjë monedhë e vjetër pa vlerë?

– Kush duhet të bëhet therrë dhe kush iriç?

Kush duhet të ngjitet në krahët e një trëndafili, dhe kush duhet të lëshojë frytin e kuq – atë që dhemb, por që nuk harrohet?

– Iriçi nuk tallet me therrën, siç talleni ju me popullin!

Mua s’më është tharë ende pështyma për të pështyrë urrejtjet e atyre që nuk e duan të vërtetën!

Dikush u tall:

– Ose qenka çmendur artisti, ose po luan rolin e të çmendurit!

Jo, ai s’luan! Ai jeton – si një orakull i verbër, që sheh më thellë se të gjithë!

Ai s’bën teatër – ai është vetë shpirti i skenës, ku ju nuk guxoni të hyni pa skenar, - ua ktheu gazetarja që intervistonte deputetët!

– As sot nuk do të ketë Kryeparlamentar! – tha me një buzëqeshje të hidhur, sepse as sot s’do të ketë njeri që e do Atdheun më shumë se vetveten!

Pastaj dredhoi rrugicën prapa Teatrit –

aty ku fjala digjet e ringjallet, si feniksi i heshtjes që nuk mund ta vrasë asnjë Kuvend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat