Kurti sfidon opozitën: Do t’i kemi 61 vota – Konjufca me rol kyç, Limaj kërkoi favore

Aktuale

Kurti sfidon opozitën: Do t’i kemi 61 vota – Konjufca me rol kyç, Limaj kërkoi favore

Më: 20 maj 2025 Në ora: 20:20 Përditësuar në ora: 22:50 më 20.05.2025
Albin Kurti

Kurti: Deri në qershor synojmë t’i kemi shumicën e kandidaturave për komuna

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se në muajin maj e qershor kur e shënojnë edhe 20 vjetorin e themelimit të Lëvizjes, synojnë që t’i kenë shumicën dërrmuese të kandidaturave për kryetar të komunave për zgjedhjet komunale.

Ai i ka quajtur fantastike dy dekadat e subjektit që drejton.

“Këto dy dekada kanë qenë fantastike për subjektin tonë politik. Le të mos harrojmë një gjë: LDK ka lindur fiks një muaj e gjysmë pas rënies së Murit të Berlinit dhe 9 muaj pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Nga një termet gjeopolitik e historik ka lindur LDK-ja.

PDK-ja ka lindur nga lufta çlirimtare, menjëherë pas luftës nga një tjetër tërmet gjeopolitik e historik e ndërkaq LVV-ja ka lindur me parulla në mur, duke e riaktualizuar edhe 68-ën, por edhe konferencën e Bujanit, edhe Rilindjen Kombëtare, por megjithatë me grafitë e me parulla në mur e protesta dhe pas 20 vjetësh jemi më të mëdhenj se PDK e LDK parti më të vjetra se ne, të dyja marr së bashku”.

Kurti: Ambasadorët nuk i thërras për të folur për çështje të brendshme

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ambasadorët e huaj të akredituar në Kosovë nuk i thërret për të folur për çështje të brendshme të Kosovës.

Tha se takimin e fundit me ta e pati për të diskutuar për dy çështje, për shkuarjen e presidentit serb në Kremlin në paradën atje dhe për integrimet evropiane të Kosovës, por tha se ambasadorët nuk i thërret për të folur për opozitën.

“Kur i kam thirrur në takim ambasadorët e QUINT-it e Bashkimit Evropian nuk i kam thirr për t’i diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës. Unë nuk i ftoj ambasadorët e huaj që të flas për opozitën. Ata e kanë ngritur atë çështje.

Unë i kam thirrur për dy gjëra, për udhëtimin e presidentit të Serbisë në Sheshin e Kuq në Moskë në Kremlin në Paradën atje. Tema e dytë ishte çështja e integrimeve evropiane të Kosovës, veçanërisht e Këshillit të Evropës. Unë kam mbajtur një prezantim në takim për këto dy tema dhe më pas ambasadori i BE-së e ka ngritur këtë gjë, ku ua ia kam dhënë përgjigjen time”, tha Kurti.

Albin Kurti flet për koalicionin “ideal”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur sërish dëshirën për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, koalicioni “ideal” do të ishte ai me LDK-në.

“Vetëvendosje plus LDK, plus pakicat joserbe, do të behëj 77 deputetë. Madje nëse na shtohen edhe 3 të Nismës do bëhemi 80-të. Edhe për marrëveshjet ndërkombetare, kjo besojmë që është rruga e duhur përpara”, tha Kurti në RTK.

Teksa ka folur mbi propozimin e Kreut të LDK’së për qeveri të tranzionit, duke qeshur  ai ka thënë se mezi e kanë nxjerrë në opozitë PDK’në pas 20 vjetësh dhe se nuk e kupton pse po duan që ta kthejnë këtë parti në pushtet.

“Unë nuk jam për ato solucione qeveri teknike, tranzicionale, gjithpërfshirëse, që e lënë Kosovën pa opozitë. Në demokraci duhet të kemi opozitë. Besoj që dhe një mandat minimalisht i duhet PDK’së të jetë në opozitë., Mezi pas 20 vjetëve e nxorëm në opozitë, unë nuk e di pse ky zell i atyre që janë në opozitë, e nuk janë në PDK ta kthejnë PDK’në në qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

Kurti godet PDK-në: Duhet të jetë në opozitë minimalisht edhe një mandat

Kryeministri në detyrë, njëherit Kryetari I Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka goditur Partinë Demokratike të Kosovës, duke thënë se duhet që edhe së paku një mandat të jetë në opozitë.

Teksa ka folur mbi propozimin e Kreut të LDK’së për qeveri të tranzionit, duke qeshur  ai ka thënë se mezi e kanë nxjerrë në opozitë PDK’në pas 20 vjetësh dhe se nuk e kupton pse po duan që ta kthejnë këtë parti në pushtet.

“Unë nuk jam për ato solucione qeveri teknike, tranzicionale, gjithpërfshirëse, që e lënë Kosovën pa opozitë.

Në demokraci duhet të kemi opozitë. Besoj që dhe një mandat minimalisht i duhet PDK’së të jetë në opozitë., Mezi pas 20 vjetëve e nxorëm në opozitë, unë nuk e di pse ky zell i atyre që janë në opozitë, e nuk janë në PDK ta kthejnë PDK’në në qeverisje”, ka deklaruar Kurti.

Kurti: Do t’i kemi 61 vota për qeveri, por më parë konstituimi i Kuvendit

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zbuluar qëndrimet e tij që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që nesër do të jetë tentimi i 19-të me radhë.

Kurti tha se besuan që konstituimi i legjislativit do të bëhej shpejt, derisa për emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk ka arritur t’i marrë deri tash votat e nevojshme për t’u ngjitur në krye të Kuvendit, tha se është propozimi i duhur.

“Ne kemi besuar që do ta kemi konstituimin e kuvendit shumë të shpejt. Kemi propozuar Albulena Haxhiun që është gruaja më e votuar si deputete në legjislaturën e nëntë. Besoj që është propozimi i duhur, përveçse ne jemi të obliguar që ta kemi propozimin si parti fituese. 57 deputetë ishin për Albulena Haxhiun, nevojiteshin 61, në mesin e tyre nuk janë vetëm të koalicionit LVV- Alternativa e Guxo por edhe deputetë të pakicave. Nuk arritëm t’i kemi 61, provuam disa herë”, tha Kurti derisa një për një foli se si dështoi fillimisht formimi për komisionin për verifikimin e mandateve, e që sipas tij më vonë ata që e kundërshtuan e kuptuan se e kishin gabim.

Kreu në detyrë i qeverisë tha se duke parë se nuk i kishin 61 vota, provuan që zgjidhjen t’ua jap presidentja.

“Kryesuesi, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes dhe ajo tha se ju vetë duhet ta gjeni zgjidhjen. Kaluam nga votimi i hapur në përpjekje për votim të fshehtë, mirëpo tash jemi në këtë pikë ku 10 herë është refuzuar komisioni për zgjedhjen me votim të fshehtë. Është për të ardhur keq, meqë aktgjykimi i Kushtetueses në pikat 124 dhe 125  thotë se me votim të hapur ose të fshehtë duhet të bëhet zgjedhja. Ne kaq kemi mundësitë tona, por ajo çfarë po ndodhë është e paprecedentë sepse po pamundësohet kuorumi, sepse aktgjykimi gjithashtu thotë se të gjithë deputetët, secili e secila duhet të votojë për, kundër ose të abstenojë. Por, ajo çfarë kemi tash, jo emri i Albulena Haxhiut tashmë, por kundërshtimin e votimit të fshehtë përmes pamundësimit të kuorumit që është shkelje e aktgjykimit”, tha ndër të tjera, Kurti.

Ai ka përmendur ftesat që u bëri PDK-së e LDK-së në tentim për të dal nga ngërçi, që sipas tij, takimi trelateral përfundoi me bilateral dhe pa sukses.

Kurti tha se zgjidhja nuk është t’i imponohet propozimet njëri-tjetrit.

“Unë besoj që zgjidhja e duhur përpara është që të mos ia imponojmë propozimet njëri- tjetrit, por zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të shkojë bashkë në paketë e të fillojë numërimi te poshtë për formimin e qeverisë, sepse tash po shkon numërimi përpjetë”, tha Kurti.

Tregoi se LDK-ja e cila nuk iu përgjigj takimit i kishte thënë se nuk ishte vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por se duhej  marrëveshje politike, prandaj i ofroi koalicion qeveritar LDK-së,  gjë që sipas tij, u refuzua ashpër.

“Nesër nuk është në pyetje Albulena që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht komisioni për votim të fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk fiton përsëri le ta provojnë me votim të fshehtë. Porsa të konstituohet kuvendi, si kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re, por paraprakisht na duhet një kuvend i ri”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se gjatë mandatit të tij katër vjeçar ka pasur edhe sovranitet shtetëror edhe integritet territorial, e edhe mirëqenie sociale e rritje ekonomike sipas tij, të paparë më herët.

“6 për qind mesatarisht në vit,asnjëherë pa rënë nën 4 për qind të bruto produktit dhe tash ka ardhur radha ta kemi edhe kuvendin e ri për qeverinë e re në legjislaturën e nëntë. Ne kemi synuar 500 mijë vota siç dihet. Kemi pasur rezultat të mirë me rreth 400 mijë vota, me 48 deputet”, tha Kurti në intervistë për RTK-në.

Kurti tregon çka i lypi Limaj në këmbim të votës

Kryeministri në largim, Albin Kurti, ka folur lidhur me raportet e krijuara me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Kurti në një intervistë për RTK’në e lavdoi fort Limajn, duke iu referuar si “Komandant Çeliku” dhe e quajti Nismën Socialdemokrate si “parti simotër”.

Ai bëri të ditur se Limaj ia kishte kërkuar pozitën e kryekuvendarit, mirëpo që Kurti ia kishte refuzuar.

“Është lajm që Komandant Çeliku është kthyer në Kuvendin e Kosovës, që Nisma Socialdemokrate që do duhej të jetë parti simotër… Ia mundësoi AAK-së Fatmir Limaj që ta kalojë pragun. Pa Nismën AAK-ja do të ngelej pa prag. Unë e di që AAK-ja ankohet për Nismën.

Prandaj, domethënë, Nisma është në Kuvendin e Republikës unë kam pasë takime, takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur mirëbesimi, mirëpo s’ka pasur marrëveshje thjesht për shkak të insistimit si një lloj parakushti për bashkëpunim në të ardhmen me pozitën e kryeparlamentarit. Unë jam në koalicion parazgjedhor me partinë ‘Guxo’”, deklaroi Kurti.

Kurti zbulon se çfarë pozite do të ketë Glauk Konjufca nëse arrin ta formojë Qeverinë

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka zbuluar se ish-kryeparlamentari Glauk Konjufca, do të jetë pjesë e “Qeverisë Kurti 3”.

Kurti tha se në VV janë pajtuar që Konjufca të bëhet Ministër, pozitë që e kishte mbajtur edhe në Qeverinë Kurti 1.

“Glauk Konjufca, jemi marrë vesh në Lëvizjen Vetëvendosje që do të bëhet anëtar i Qeverisë në Kurti 3.

Glauku po vjen në ekzekutiv, Albulena Haxhiu po kthehet në legjislativ”, ka deklaruar Kurti në RTK

Kurti: Besojmë se deputetët opozitarë janë në trysni nga shefat e partive

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur besimin se deputetët e opozitës së deri tashme janë në trysni nga shefat e partive.

Sipas tij votimi i fshehtë do t’u jepte mundësi atyre që të votonin të lirë dhe ta shprehnin vullnetin e tyre.

“Ne besojmë që deputetët opozitarë janë në një trysni të madhe nga shefat e partive që ta ruajnë homogjenitetin e tyre dhe pikërisht në një situatë të tillë ata do ta kishin lirinë e tyre që në një votim të fshehtë ta shprehin vullnetin e tyre, sepse ka shumë deputetë opozitarë që ndoshta do të ishin kundër formimit të qeverisë ku unë do të isha kryeministër, mirëpo konstituimi i kuvendit është absurd të kundërshtohet, meqë Kuvendi i Kosovës është mishërim i pluralizmit politik si shtyllë e demokracisë.

Kurti me mesazh për opoziten: Nëse ata duan të më largojnë mua, duhet ta votojnë Albulena Haxhiun

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se duket se partitë tjera janë të kënaqur me atë si kryeministër.

Ai në RTK tha se nëse duan ta largojnë atë si kryeministër, duhet ta votojnë Albulena Haxhiun.

“Nëse ata duan të më largojnë mua, duhet ta votojnë Albulena Haxhiun.

Duket se ata në mënyrë latente janë të kënaqur me Kosovën sot, me mua kryeministër”, tha Kurti.

Kurti: LDK-së i ofrova koalicion qeveritar, u refuzua mjaftë ashpër

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili prej kohësh është duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve dhe paraqitjeve në emisione televizive, sonte është duke dhënë një intervistë në RTK. Ai fillimisht u pyet se çka pritet nesër në vazhdimin e 19-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në këtë pyetje, ai ndër të tjera tha se “nuk duhet imponuar njëri-tjetrit propozimet”, referuar propozimit të tij për Albulena Haxhiun në postin e kryeparlamentares. Por, nuk e përmendi që vet kundërshtonte emrin e Kadri Veselit në kohën e PAN-it.

Gjithsesi, Kurti tha se synuan 500 mijë vota në zgjedhje.

“Kemi besuar që do ta kemi konstituimin e Kuvendit më shpejtë, kemi propozuar Albulena Haxhiun si gruan më të votuar. Me bindjen qe 25 mijë vota bësoj që është propozimi i duhur. 57 deputetë ishin për Albulenën, nevojiten 61. Në mesin e 57 kemi dy boshnjakë, dy turq, një serb, një ashkali dhe një rom, nuk arritëm ti kemi 61. Provuam disa herë…”, tha Kurti.

“Duke parë se nuk i kemi 61 vota, provuam që zgjidhjen të na jap presidentja, konkretisht kryesuesi i senacës Avni Dehari, i dërgoi letër dhe ajo tha ju duhet ta gjeni zgjidhjen. Kaluam nga votimi i hapur në të fshehtë. 10 herë është refuzuar komisioni për zgjedhjen me votim të fshehtë”.

Sipas tij “ajo çka kemi tash është jo emri i Albulena Haxhiut më, kemi kundërshtimin për votimin e feshtë”.

“Unë provova të mblidhem me kryetarin e PDK-së dhe LDK-së të dalim nga ky ngërç. Sepse edhe ata i kanë nënkryetarët….”, shtoi ai.

“Unë besova që ta bëjmë bashkë, takimi trilateral përfundoi në bilateral dhe pa sukses. Zgjidhja e duhur është të mos ja imponojmë propozimet njëri-tjetrit”, tha ai.

“Nga LDK më thanë që nuk është vendi i koha për procedurë, por për marrëveshje politike, i ofrova koalicion qeveritar që u refuzua mjaftë ashpër”, shtoi ai.

“Nesër është në pyetje komisioni për votimin e feshtë, nëse opozita janë të sigurt që nuk kalon Albulena Haxhiu, le ta provojnë votimin e fshehtë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat