“Sovrani jemi ne” – Thirrje për protestë para Parlamentit të Kosovës

Aktuale

“Sovrani jemi ne” – Thirrje për protestë para Parlamentit të Kosovës

Nga: A.SH Më: 22 maj 2025 Në ora: 10:39
Kuvendi i Kosovës

Një grup qytetarësh, i përfaqësuar nga aktivisti Osman Ferizi, ka paralajmëruar një protestë qytetare paqësore para Parlamentit të Kosovës, si reagim ndaj bllokimit institucional dhe sjelljes së papërgjegjshme të klasës politike – si në pushtet ashtu edhe në opozitë.

Kërkesat kryesore të protestës janë:

Funksionalizimi i menjëhershëm i institucioneve

Respektimi i votës së qytetarëve

Përgjegjësi nga deputetët dhe udhëheqësit politikë

Sipas thirrjes, qytetarët nuk mund të qëndrojnë më në heshtje ndërsa demokracia përdhunohet dhe vota shkelet për interesa personale e partiake. Data e protestës do të shpallet së shpejti, në varësi të zhvillimeve politike.

Njoftimi i plotë:

📣 NJOFTIM PËR MEDIA

📍 THIRRJE PUBLIKE PËR PROTESTË QYTETARE

🗓️ [Data e protestës do të bëhet publike së shpejti]

📌 Para Parlamentit të Republikës së Kosovës

Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe opinion publik,

Duke parë gjendjen alarmante dhe bllokimin institucional në Republikën e Kosovës – si rezultat i sjelljes së papërgjegjshme të partive politike, qoftë në pushtet apo opozitë – ne qytetarët nuk mund të qëndrojmë më në heshtje.

Sot, demokracia jonë është e bllokuar. Vota e qytetarit po përdhoset. Institucionet janë kthyer në terren të pazareve personale dhe luftërave për karrierë politike.

Deputetët, të cilëve me votë ua dhamë besimin për të na përfaqësuar, po e shkelin këtë besim. Në vend që të punojnë për interesin publik, ata luajnë bixhoz me fatin e qytetarëve dhe të shtetit.

Për këtë arsye, bëjmë thirrje për një protestë qytetare paqësore, me këto kërkesa kryesore:

✅ Funksionalizimin e menjëhershëm të institucioneve

✅ Respektim të vullnetit të qytetarëve dhe votës së lirë

✅ Përgjegjësi të qartë nga deputetët dhe udhëheqësit politikë

SOVRANI JENI JU – QYTETARËT!

Mos lejoni që zëri juaj të heshtet nga arroganca politike!

Ju ftojmë të bashkoheni përballë Parlamentit të Republikës së Kosovës në një protestë dinjitoze dhe paqësore për të kërkuar zgjidhje.

🛑 Për interesa politike dhe karrieriste, keni ngulfatur funksionimin e shtetit.

Ju thirrni në gjakun e sakrificën e popullit, por me sjelljen tuaj e shkelni çdo ditë atë gjak dhe atë sakrificë.

📢 Data dhe ora do të bëhen publike në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve politike.

Me përgjegjësi qytetare dhe respekt,

Iniciativa e një grupi qytetarësh të Republikës së Kosovës

Osman Ferizi – Aktivist dhe qytetar i lirë i Republikës së Kosovës

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat