Shefi i Ushtrisë zvicerane viziton Kosovën

Aktuale

Shefi i Ushtrisë zvicerane viziton Kosovën

Më: 12 qershor 2025 Në ora: 12:59
Komandanti i Korpusit Thomas Sussli

Më 12 dhe 13 qershor, Shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, Komandanti i Korpusit Thomas Sussli, do të vizitojë pjesëtarët e forcave të armatosura të vendit të tij në Kosovë të cilët janë të vendosur si pjesë e ndërtimit të paqes ushtarake.

Gjatë kësaj vizite, siç njofton qeveria zvicerane, ai do të takohet me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani.

“Me vizitën e tij te trupat, kreu i ushtrisë dëshiron të marrë një pasqyrë të situatës aktuale në Ballkan. Ai do të shfrytëzojë rastin për të folur me anëtarët e Forcave të Armatosura Zvicerane të vendosura atje dhe të marrë një ide mbi shërbimet e ndryshme që ofrohen në dobi të misionit të KFOR-it”, ka thënë qeveria zvicerane.

Kreu i forcave të armatosura zvicerane do të shoqërohet në vizitën e tij nga Këshilltari i Kantonit të Lucernit, Fabian Peter, dhe Këshilltarja Kombëtare e Aargaut, Stefanie Heimgartner, anëtare e Komitetit të Politikave të Sigurisë të Këshillit Kombëtar, si dhe përfaqësues të forcave të armatosura.

Qeveria zvicerane thotë se mandati aktual i Forcave të Armatosura Zvicerane në KFOR zgjat deri në fund të vitit 2026.

“Ndërtimi i paqes ushtarake në një kontekst ndërkombëtar është një nga tre misionet e Forcave të Armatosura Zvicerane”, deklaroi qeveria zvicerane.

Në njoftim nuk është njoftuar për ndonjë takim me zyrtarë të shtetit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat