Deputetët s’e konstituojnë Kuvendin as pas 33 tentimesh
Deputetët kanë dështuar sërish që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në tentimin e 33-të radhazi, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët refuzuan që të votonin për një komision që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit.
Ata do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht të enjten e 19 qershorit.
Kjo është hera e 25-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Limaj pas deklaratës së Trump: Çdo shmangie për institucionet, mund të sjell edhe dëme gjeostrategjike
Lideri i Nismas Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë që subjekti që ai përfaqëson, ndihen më të përgjegjshëm për shkak se kanë ofruar një opsion, duke bërë thirrje për marrëveshje politike.
Sipas tij, megjithatë, çdo gjë tjetër çfarë ndodhë nga subjektet tjera, është skandaloze.
”Kjo është skandaloze, çka po ndodhë. Ne nga fillimi kemi ftuar për marrëveshje politike. Kjo është një lloj situate ku neve na bënë me u ndje të përgjegjshëm sepse kemi dhënë një opsion. Çdo gjë tjetër çfarë po ndodhë këtu, është skandaloze”.
Tutje, Limaj u shpreh se drejtuesit politikë në vend duhet të tregohen më konstruktiv, sepse bota po përjeton ndryshim drastik dhe çdo shmangie, mund t’i kushtojë Kosovës.
”Nëse lejohet kjo që çdo dy muaj të shkohet në zgjedhje, atëherë krejt çka mund të them është se nuk e mertioni besimin e qytetarëve të Kosovës”.
”Kjo shmangie sjell dëme ekonomike, politike dhe mund të na sjell edhe dëme gjeostrategjike”.
”Ne si drejtues duhet të parashikojmë gjërat. Drejtuesit duhet të insistojnë”.
Seanca çdo 48 orë, Rashiqi thotë se ndjehet keq: Po vijmë pa bërë asgjë
Ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë në detyrë, Nenad Rashiq, tha se po ndjehet keq pasi siç u shpreh ai, po shkojnë në seanca çdo 48 orë, pa bërë asgjë.
Para fillimit të seancës për gazetarët, Rashiqi tutje deklaroi se duhet të ketë një marrëdhënie midis partive politike, pasi sipas tij, ka komplikime të cilat nuk janë të njëanshme.
“Roli i Amerikës është me rëndësi. Na duhet një stimulim nga administrata amerikane. Po ndjehem keq sepse po vijmë dhe nuk po bëjmë asgjë, mos mendoni se asnjë prej nesh ndihet komod duke ardh për çdo 48 orë, ne po ndjehemi keq, por ka komplikime të cilat nuk janë të njëanshme.
Duhet të funksionoj një marrëdhënie anasjelltas, nuk mundemi vetëm ne, ose vetë VV-ja por edhe disa akterë të tjerë që janë të kyçur brenda procesit. Është tek ne, jo tek administrata amerikane, edhe pse e mbështesim”, u shpreh Rashiqi.
Murati pret reflektim nga partitë e tjera
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pret që partitë e tjera të reflektojë.
Para fillimit të seancës konstituive, ai tha se tash e 20 herë, deputetët e partive të tjera nuk votojnë dhe nuk ushtrojnë obligimin e tyre kushtetues.
“Janë mbi 20 seanca që opozita nuk voton, duke mos ushtruar vullnetin e tyre të lirë as për apo kundër. Presim që opozita të reflektojë, obligimin kushtetues që është votimi, siç e dini Gjykata Kushtetuese deputetët në seancën konstituive janë të obliguar të votojnë.
Vullneti i tyre i lirë është që të votojnë kundër apo abstenim. Kemi mbi 20 seanca që deputetët e opozitës nuk votojnë dhe nuk ushtrojnë obligimin e tyre kushtetues”, tha Murati.
Kuvendi mblidhet për seancën e 33-të
Seanca e 33-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës mbahet sot nga ora 10:00.
Kjo pas dështimit të seancës së kaluar për shkak të mungesës së numrave për formimin e komisionit të fshehtë.
Në seancën e 32-të, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu punimet menjëherë, pasi nuk u arrit shumica e nevojshme.
Mbetet të shihet nëse sot do të ketë përparim në këtë proces të zvarritur.