Bajrami i reagon Kurtit: Vendi nuk qeveriset me ofendime, por me përgjegjësi dhe bashkëpunim

Aktuale

Bajrami i reagon Kurtit: Vendi nuk qeveriset me ofendime, por me përgjegjësi dhe bashkëpunim

Më: 19 qershor 2025 Në ora: 19:48
Hykmete Bajrami

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vazhduar t’i etiketojë deputetët e ish-opozitës. Duke folur pas dështimit në seancën e 34-të, Kurti i quajti ata “nomadë”, që sipas tij nuk po duan të kenë shtëpi.

“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Ky është thelbi i nomadit. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Kuvendi, Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, ka thënë Kurti.

E lidhur me këtë deklaratë, në një prononcim për median, ka reaguar deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila thotë se kjo deklaratë e Kurtit nuk është ndonjë befasi për të, pasi që sipas saj kemi të bëjmë me një njeri që po jeton në një univers paralel dhe e ka marrë peng krejt vendin.

Bajrami thotë se kur nuk ke përgjigjje për krizen politike të cilën e ka krijuar vetë Kurti, më së lehti është të ofendosh të tjerët. Ajo tutje thotë se Kuvendin e ka bllokuar Kurti, sepse po mundohet të imponoj votën në mënyrën me jo demokratike të mundshme.

“Deklarimi i deputetit Kurti, ku i quan deputetët e ish opozitës “nomadë”, nuk është aspak befasues për mua, pasi kemi të bëjmë me një njeri që po jeton në një univers paralel dhe e ka marrë peng krejt vendin. Kur nuk ke përgjigje për krizën politike e institucionale që e ke krijuar vetë, më së lehti është të akuzosh e të ofendosh të tjerët. Kuvendin e ka bllokuar Kurti, sepse po mundohet të imponoj votën në mënyrën me jo demokratike të mundshme. E vërteta është ne nuk po e bllokojmë Kuvendin, ne po kërkojmë që ai të funksionojë siç duhet. Po kërkojmë të punojmë sipas Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe parimeve të demokracisë”, tha ajo.

Gjithashtu, Bajrami thekson se për të dalë nga kjo situatë nevojitet vullnet politik dhe respekt për të zgjedhurit e popullit, e cila shton se ka ardhur koha që Kurti ta kuptojë se vendi nuk qeveriset me ofendime.

“Për të dalë nga kjo situatë, nevojitet vullnet politik dhe respekt për të zgjedhurit e popullit, e mbi të gjitha, respekt për institucionet, jo fjalë fyese dhe pendime me pas duke u arsyetuar se nuk e ka pasë fjalën për këtë apo për atë. Ka ardhur koha që Kurti ta kuptojë se vendi nuk qeveriset me ofendime, por me përgjegjësi dhe bashkëpunim”, përfundoi Bajrami.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat