Deputetët sërish s’arrijnë të konstituojnë Kuvendin

Aktuale

Deputetët sërish s’arrijnë të konstituojnë Kuvendin

Më: 21 qershor 2025 Në ora: 07:39 Përditësuar në ora: 11:26 më 21.06.2025
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kadrijaj: VV po abuzon me pushtetin, qëllimisht po e pengon konstituimin e Kuvendit

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme konstituimin e Kuvendit.

Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, deklaroi Kadrijaj.

Ajo tha se konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.

Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike – sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, shtoi ajo.

Çitaku: Për Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, Kosova buzë kolapsit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të 35-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për bllokadën politike që, sipas saj, po e çon vendin drejt kolapsit.

“Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, egoja është më e madhe se Kosova. Ambicia është më e madhe dhe më e rëndësishme se demokracia”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka kërkuar reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ka paralajmëruar për pasojat e rënda që kjo situatë po ia shkakton vendit.

“Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV-ja që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit, çdo ditë kemi lajme për dëm të pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizë buzë kolapsit në sektorin e energjisë. Mjaft është mjaft”, ka shtuar ajo.

Mustafa: VV i takon e drejta për të nominuar kryetarin e Kuvendit, por edhe përgjegjësia për të krijuar shumicën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se, sipas Kushtetutës së Kosovës, e drejta për të propozuar kryetarin e Kuvendit i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje – por me këtë të drejtë vjen edhe përgjegjësia për të siguruar shumicën parlamentare.

Konform Kushtetutës së Kosovës, partia që del e para në zgjedhje i takon që të nominojë kryetarin e Kuvendit, por i takon edhe përgjegjësia që të krijojë shumicën, pra 61.

Përgjegjësia bie kryekëput mbi partinë e parë.

Është fatkeqësi që VV nuk arrin që të krijojë një shumicë”, ka deklaruar Mustafa.

Deputetët sërish s’arrijnë të konstituojnë Kuvendin

Për të 35-tën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo është hera e 27-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur të marrë 61 votat e domosdoshme në votimin e hapur.

Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, përkatësisht më 23 qershor, për të vazhduar seancën konstituive, që ka nisur më 15 prill.

Fituesja e zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë ekskluzive që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar. Subjekti, që udhëhiqet nga Albin Kurti, insiston se Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr Kuvendin. Por, për PDK-në dhe AAK-në, Haxhiu konsiderohet figurë përçarëse, dhe ato kërkojnë që partia e Kurtit të ndryshojë kandidatin.

Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga e hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata që të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë çështje dhe të marrë një vendim”.

Mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajtimit rreth kryeparlamentarit, vendi ka mbetur pa institucione të reja. Së voni, LDK-ja – që doli e treta në zgjedhje – ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.

Propozimi është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë – pra, duke përjashtuar LVV-në.

Megjithatë, çështja nuk mund të kalojë te zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës pa u konstituar Kuvendi.

Deputetët fillimisht duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për të cilët kërkohen 61 vota – në mënyrë që më pas të hapet rruga për formimin e ekzekutivit.

Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje ligjvënësve që sa më shpejt të formojnë institucionet e reja./REL

Krasniqi: Çdo ditë vij në Kuvend me shpresën se do të kemi emrin e ri për kryetar

Për herë të 35-të, deputetët do të tentojnë sot në orën 10:30 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se çdo ditë shkon në Kuvend me shpresën për zhbllokim të situatës.

“Çdo ditë vij me shpresën se do të kemi emrin e ri për kryetar”, tha shkurt Krasniqi

Kraki: S`ka mundësi që Gjykata Kushtetuese të mos e njoh të drejtën e votimit të fshehtë

Deputeti i VV-së, Nezir Kraki, ka deklaruar se Kushtetuesja nuk mund të mos lejojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Nuk ka mundësi që Gjykata Kushtetuese mos me i jap të drejtë votimit të fshehtë.

I cili veç është i paraparë”, ka thënë ai, duke treguar se çka mund të bëj gjykata.

“Gjykata mundet me e citu veten në 2014, që prezenca në sallë është obligative, votimi është obligativ”, ka thënë ai.

Limaj: Është e papranueshme që s’po arrihet të formohen institucionet, qytetarët të reflektojnë kujt po ia japin besimin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar lidhur me dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve të reja.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e vullnetit politik për ndërtimin e qeverisë dhe ka kërkuar reflektim nga qytetarët për besimin që i japin subjekteve politike.

Ai tha se shteti i Kosovës është duke u rrezikuar në aspektin e sigurisë.

Jo, nuk pres asgjë më ndryshe sepse nuk ka pasur ndonjë lëvizje. Me ardhë momenti me ta dhënë populli besimin e mos me qenë në gjendje me u ul me grupet politike e me ndërtuar qeveri, parlament e institucione, në kohën kur bota është trazuar me gjitha problemet ekonomike e politike, me problemet e sigurisë – atë që e shihni ju – në krejt këtë situatë apeli im është te qytetarët: shikoni se kujt po ia jepni besimin”, ka deklaruar Limaj.

Guri: Nomad është Albin Kurti, jo opozita – nuk ka as shtëpi të qëndrueshme

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili ka përdorur epitetin “nomad” për deputetët e opozitës. Guri ka thënë se ky përshkrim nuk i përshtatet opozitës, por vetë Kurtit.

Nomadë janë ata që nuk kanë shtëpi, e i vetmi që Kosovë që nuk ka shtëpi është Albin Kurti, kështu që nomad nuk është opozita, është Albin Kurti. I cili nuk ka një vend rezident ku jeton, i cili nuk e ka familjen në ndonjë vend të gjithën. Unë besoj që ai është nisur nga vetja kur ka thënë këtë epitet për deputetë të opozitës”, tha Guri.

Ai më tej e cilësoi të papranueshme dhe pa dinjitet përdorimin e tillë të gjuhës nga ana e Kurtit, duke e akuzuar se përmes etiketimeve po tenton të ushtrojë presion ndaj deputetëve.

Edhe përveç kësaj, mendoj që është e pa dinjitetshme që përmes këtyre cilësimeve të mundohet të bëjë presion te vota e deputetëve, e cila votë garantohet me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës”, përfundoi deputeti i LDK-së.

Bllokada në Kuvend, Gashi: Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij ta zhbllokojnë situatën

Para nisjes së seancës së radhës për përpjekjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka hedhur kritika ndaj partisë në pushtet dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për moszgjidhjen e ngërçit institucional që ka bllokuar jetësimin e institucioneve të reja.

Sipas tij, përgjegjësia për situatën aktuale i takon Vetëvendosjes dhe liderit të saj, të cilët, siç theksoi ai, duhet të ofrojnë një zgjidhje për të dalë nga bllokada politike.

“Është përgjegjësi e Kurtit dhe partisë së tij që të konstituohet Kuvendi. Fatkeqësisht është turp ajo që po ndodh, bota po kallet flakë, derisa ne po zihemi mes veti se kush çfarë pozite merr. Duhet t’i vijë fundi kësaj situate të papranueshme”, deklaroi Gashi para gazetarëve në Kuvend.

I pyetur rreth komenteve të kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kishte përmendur se nga LVV janë dërguar persona për të diskutuar rreth një marrëveshjeje për koalicion, Gashi tha se nuk ka dijeni për këto deklarata.

“Nuk e kam parë dhe nuk e di çfarë ka deklaruar kryetari im”, u shpreh shkurt Gashi.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish sot – përpjekja e 35-të për konstituim

Për herë të 35-të, deputetët do të tentojnë sot në orën 10:30 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Në vazhdimet e seancës që nuk kanë zgjatur më shumë se 2-3 minuta, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për formimin e Komisionit për votim të fshehtë, i cili do të mundësonte votimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Përpjekja për konstituimin e Kuvendit ka dështuar sërish të enjten, duke e zgjatur edhe më tej ngërçin institucional në vend.

Kryesuesi Dehari ftoi edhe njëherë subjektet politike parlamentare që nuk i kanë propozuar deputetët për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, përkatësisht PDK-në, LDK-në, Listën serbe dhe AAK-NISMA-n, që ta bëjnë këtë.

Serish nuk pati propozime për anëtarë të këtij komisioni.

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 51 deputetë, një votoi kundër ndërsa abstenime nuk pati.

Ndërkohë çdo përfundim të seancës përfaqësuesit e partive politike po hedhin akuza ndaj njëra-tjetrës për bllokim institucional.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat