Abdixhiku: Kosova sot ka Kuvend funksional – u hap rruga për formimin e Qeverisë së re

Aktuale

Abdixhiku: Kosova sot ka Kuvend funksional – u hap rruga për formimin e Qeverisë së re

Nga: M.L. Më: 10 tetor 2025 Në ora: 13:53
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zgjedhjes së nënkryetarit të pestë të Kuvendit, duke theksuar se “Kosova sot ka Kuvend funksional” dhe se vendi është rikthyer në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka theksuar se pas një analize juridike të hollësishme, LDK-ja ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugën për konstituimin e Kuvendit.

Sipas tij, mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj për një pozitë formale ka qenë akt i papërgjegjshëm që ka dëmtuar interesin e Republikës.

Postimi i plotë:

KOSOVA SOT KA KUVEND

Me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendi sot ka Kuvend funksional dhe është rikthyer në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re.

Lidhja Demokratike e Kosovës, pas analizës juridike shteruese, ka vlerësuar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka hapur rrugë për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe për konstituimin e Kuvendit.

LDK-ja vlerëson se mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj, për një pozitë tërësisht formale dhe të parëndësishme, ka qenë akt i papërgjegjshëm, që ka dëmtuar interesin e Republikës.

E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga axhenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit.

Me këtë veprim, u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese.

LDK, edhe një herë, siç i takon e siç beson, shfaqet si parti përgjegjëse drejt institucioneve dhe vet Republikës.

Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat