Përfundon mbledhja e Kryesisë së LDK-së/ Flet Abdixhiku, zbulon nëse do të japë dorëheqje

Aktuale

Përfundon mbledhja e Kryesisë së LDK-së/ Flet Abdixhiku, zbulon nëse do të japë dorëheqje

Më: 13 janar 2026 Në ora: 12:37 Përditësuar në ora: 20:46 më 13.01.2026
Kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Kryesisë

Abdixhiku: Zgjedhja e presidentit vetëm përmes konsensusit të gjerë politik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka rikonfirmuar qëndrimin e partisë së tij se çështja e zgjedhjes së presidentit duhet të trajtohet përmes konsensusit të gjerë politik dhe jo përmes imponimit të një kandidati nga një subjekt i vetëm.

Ai, pas mbledhjes maratonike të Kryesisë së ngushtë të LDK-së, tha se nëse dikush dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, duhet domosdoshmërisht të përfshijë edhe diskutimin për postin e presidentit. Sipas tij, LDK disponon 15 vota në Kuvend dhe këto vota nuk mund të anashkalohen në një proces që kërkon shumicë prej 80 deputetësh.

Abdixhiku: Zgjedhja e presidentit vetëm përmes konsensusit të gjerë politik

“Ajo çka ne e themi vazhdimisht është se në qoftë se dikush do marrëveshje politike me LDK-në, me LDK-në duhet të bisedojë edhe për çështjen e presidentit, por nëse dikush mendon të imponojë kandidatin e tij pa votat e LDK-së, le ta kenë fatin e botës dhe ndoshta e zgjedhin presidentin edhe pa votat tona që i kemi. Ne kemi 15 vota; ato që janë, nëse dikush do t’i ketë, duhet të bisedojë me LDK-në. Kur ulet të flasë me LDK-në, do të flasë për një kandidat që i përfaqëson interesat e popullit e jo vetëm interesat e një partie politike”, tha ai.

Duke folur për interesimin e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat tjetër pesëvjeçar, Abdixhiku tha se LDK nuk do të pranojë asnjë tentativë për imponim të kandidatit për president pa dakordim paraprak, duke nënvizuar se një president duhet të përfaqësojë interesin e qytetarëve dhe stabilitetin institucional të vendit, e jo interesat e një partie politike.

Abdixhiku u shpreh se në Kosovë ekzistojnë mjaft figura që mund të shërbejnë si kandidatë konsensualë për president, por theksoi se ky proces kërkon dialog të hapur mes partive politike. Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë te akomodimi i një individi në një pozitë, por te ndërtimi i një konsensusi që siguron stabilitet afatgjatë institucional.

Abdixhiku: Gajle e Kosovës duhet të jetë kush është stabiliteti i domosdoshëm dhe kush i siguron 80 votat e ardhshme

“Besoj që shumë individë do të shprehin gatishmërinë për një pozitë aq fisnike e të madhe, por kush e merr unitetin dhe kush përfaqëson 80 votëshin në Parlamentin e Kosovës mbetet të shihet brenda diskutimeve të partive politike. Njëherë duhet të ulemi ne partitë politike dhe ta bëjmë këtë adresim jo në bazë të individit, akomodimit të një individi në pozitë, por në bazë të një pozite që kërkon konsensus 80-votësh. Pra, nuk është gajle e Kosovës kush e cili individ. Gajle e Kosovës duhet të jetë kush është stabiliteti i domosdoshëm dhe kush i siguron 80 votat e ardhshme”, tha ai.

Duke përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja si zgjidhje për situatën aktuale, kreu i LDK-së tha se përgjegjësia e partive politike është të ulen dhe ta adresojnë çështjen e presidentit në mënyrë serioze dhe institucionale.

Abdixhiku: S’besoj që mendon dikush se duhet të shkohet në zgjedhje të reja

“S’besoj që mendon dikush se duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Besoj se ka plot kandidatë konsensualë. Do të vijmë edhe aty. Njëherë na lejoni ta mbajmë Kryesinë dhe Kuvendin e LDK-së dhe pastaj do të vijnë çështje tjera. Ndoshta s’ka nevojë dikush për votat e LDK-së fare. Nëse ka, LDK ka adresë, ka dhe do të ketë zot shtëpie. Mund të flasim për çështje me rëndësi, jemi të hapur për stabilitet institucional e jo për ndonjë krizë tjetër politike. Në qoftë se ka nevojë dikush për 15 votat e LDK-së, e në qoftë se s’ka, është krejt çështje legjitime. Ne qëndrimin politik e bëjmë të qartë, por për këtë qëndrim do të flasim fillimisht me deputetët e zgjedhur të LDK-së. Fati i mirë që po e mbajmë Kuvendin e LDK-së dhe Kuvendi mund të vendosë aty”, përfundoi Abdixhiku, raporton kp..

Abdixhiku: Këto kandidatura mund të shpallen në ditët në vijim

Lumir Abdixhiku ka thënë se do të ofrojë dorëheqjen nga kryetari i LDK-së në Kuvendin e Përgjithshëm të partisë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Megjithatë, pas pyetjes së KosovaPress, ai tha se nëse delegatët e LDK-së e refuzojnë dorëheqjen ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të LDK-së.

Abdixhiku i shoqëruar nga vartësit e tij pas mbledhjes maratonike mbi pesë orëshe me disa prej zyrtarëve të lartë të LDK-së, tha se shumë shpejtë do të thërras Kryesinë dhe Kuvendin e Përgjithshëm të LDK-së, raporton KosovaPress.

Abdixhiku: E kam obligim moral të ofrojë dorëheqjen

“E kam obligim moral, politik të sjelljes time që të marrë përgjegjësinë dhe organizimin politik të LDK-së, përmes ofrimit te Kuvendi i LDK-së së dorëheqjes si kryetar i LDK-së dhe më pas Kuvendi le të vendosë përmes votës se a e pranojnë apo jo këtë dorëheqje. Po ashtu secili ka të drejtën e garantuar që deri atëherë të shtrojë kandidaturën individuale për kreun e LDK-së”, tha ai.

Sipas tij, është papërgjegjësi që t’i shmanget besimit të delegatëve të LDK-së nëse të njëjtit ia refuzojnë dorëheqjen.

Abdixhiku: Nëse kuvendi nuk e pranon dorëheqjen atëherë detyrohem me qëndrua

“Nëse kuvendi nuk e pranon dorëheqjen, atëherë detyrohem me qëndrua në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është një papërgjegjësi edhe e kohës dhe anëtarësisë që ti shmangesh këtij besimi. Por, kjo ççshite është e anëtarësisë”, tha ai.

Përkitazi me këtë, ai tha se secili anëtarë i LDK-së ka të drejtë që t’ia mësyjë të parit të partisë, mirëpo kur u pyet sërish nga KosovaPress se a kishin disponim ndonjëri prej nënkryetarëve aktual që të kandidojë, ai i shikoi të njëjtit dhe tha që jo.

Abdixhiku: Këto kandidatura mund të shpallen në ditët në vijim

“”A jeni të interesuar? Jo nuk qenkan. Ishin diskutime të brendshme por kanë të drejt secili prej tyre. secili anëtarë i LDK ka të drejt të parashtrojë një çështje të tillë. Këto kandidatura mund të shpallen në ditët në vijim”, tha ai.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.11 për qind të votave, që i sigurojnë 15 ulëse në Kuvend.

Abdixhiku: Detyrohem të qëndroj si kryetar, nëse nuk pranohet dorëheqja

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqje nga posti i kryetarit.

Këtë deklaratë ai e dha në konferencën për media pas takimit me nënkryetarët e partisë, ku u diskutua rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Ndër tjerash, ai bëri të ditur se nëse LDK nuk e pranon dorëheqjen e tij, ai detyrohet të qëndrojë në pozitën e kryetarit.

“Nëse Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen, të detyron me qëndru në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është papërgjegjësi t’i shmangesh besimit të anëtarësisë.

Kjo është çështje e Kuvendit, jo e imja. Unë e kam për obligim të shtoj dorëheqjen dhe të hapi rrugë për të tjerë që dëshirojnë ta shtrojnë ndonjë platformë tjetër”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku pas mbledhje së Kryesisë: Do ta ofroj dorëheqjen në Kuvendin e LDK-së

Pas katër orë takimi ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së ngushtë të LDK-së.

Para mediave ka folur kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se ky takim ishte joformal, dhe se u vendos që fillimisht të thirret mbledhja e Kryesisë, e më pas të mblidhet Kuvendi.

Ai tha se do ta paraqesë dorëheqjen para Kuvendit.

​Mbi tri orë në takim, çfarë po ndodh në LDK?

Janë bërë më shumë se tri orë e gjysmë nga fillimi i takimit të kryesisë së ngushtë të LDK-së dhe i njëjti ende nuk ka përfunduar.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është duke diskutuar me nënkryetarët e partisë dhe disa prej figurave kyçe të LDK-së për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe hapat tutje.

Para fillimit të takimit në LDK kanë thënë se ky takim është konsultues ku do të bëhet balanci i rezultatit zgjedhor të LDK-së.

Të njëjtit janë shprehur më të rezervuar për të komentuar mundësinë e dorëheqjes së kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 13.11 për qind të votave, që i sigurojnë 15 ulëse në Kuvend.

Çfarë pritet të ndodhë sot brenda LDK-së?- Flet Quni

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mblidhet pas pak në selinë qendrore të këtij subjekti.

Ky pritet të jetë një takim i kryesisë së ngushtë dhe do t’i paraprije mbledhjes me kryetar të degëve.

Nënkryetari i këtij subjekti, Anton Quni, ka thënë para takimit se janë të ftuar për të diskutuar për zhvillimet e fundit, pa dhënë detaje para takimit.

Ai është pyetur edhe për dorëheqjen apo shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rezultatit të dobët të këtij subjekti në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Mblidhet LDK-ja, Bajrami: Qëndrimet do t’i bëj publike pas takimit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot në ora 14:00 mban mbledhjen e Kryesisë së partisë.

Deputetja nga kjo parti, Hykmete Bajrami para nisjes së takimit tha se mbledhja është konsultative.

“Është takim konsultativë...Aty do t’i shpreh qëndrimet e mia më pas do t’i bëjë publike”, tha shkurt ajo.

Kjo është mbledhja e parë e LDK-së, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku kjo parti u rendit e treta me vetëm 13.23 për qind të votave.

LDK u rendit pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

LDK mbledh sot Kryesinë në orën 14:00, a do të diskutohet dorëheqja e Abdixhikut?

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot një takim duke filluar nga ora 14:00.

Burime të medias bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një mbledhje të Kryesisë së ngushtë, ku do të marrin pjesë nënkryetarët dhe sekretarët e partisë.

Sipas këtyre burimeve, takimi vjen në vazhdën e paralajmërimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mbajtjen e mbledhjeve të strukturave drejtuese të partisë.

Për momentin nuk dihet agjenda zyrtare e takimit, ndërsa pritet që temat e diskutimit të lidhen me zhvillimet e fundit brenda LDK-së.

Ndonëse është pritur dorëheqje morale nga Abdixhiku si shkak i rezultatit të dobët, kjo nuk është konfirmuar as mohuar nëse pritet të jetë në rend dite në këtë takim dorëheqja e të parit të LDK-së.

Duhet theksuar se kjo është hera e parë që LDK-ja si subjekt politik po organizon mbledhje pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat