Aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Aktuale

Aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Më: 13 janar 2026 Në ora: 15:06
Aktakuzë ndaj mjekut nga Vushtrria për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, sipas nenit 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 20 korrik – 28 tetor 2025, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, si specialist i mjekësisë familjare, ka lëshuar raporte mjekësore duke e ditur se pacientët nuk vuajnë nga sëmundjet për të cilat kërkonin diagnoza. Raportet, thuhet në aktakuzë, u ishin lëshuar me qëllim që pacientët t’i përdornin për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin Nr.03/L-212 për Punën.

Aktakuza po ashtu përmend se mjeku ka përshkruar barna për pacientët sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutik, dhe për çdo raport të lëshuar ka pranuar dobi pasurore prej 5 deri në 50 euro.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të shpallë fajtor të pandehurin dhe t’i shqiptojë sanksionin penal sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat