Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se Njësia B1 është rikthyer me sukses në operim nga ora 15:00 dhe aktualisht po funksionon në gjendje të qëndrueshme teknike, në përputhje të plotë me parametrat operacionalë dhe të sigurisë.
Sipas KEK-ut, rikthimi i Njësisë B1 nënkupton që katër njësi prodhuese të Korporatës operojnë me kapacitete të plota, duke garantuar stabilitet të prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe funksionim të qëndrueshëm të sistemit elektroenergjetik.
Ndalesa e përkohshme e Njësisë B1 ishte shkaktuar nga rrjedhje avulli në sistemin e gypave të kaldajës, një problem që u adresua me ndërhyrje profesionale, sanime të planifikuara dhe menaxhim teknik të efektshëm, pa rrezikuar sigurinë dhe integritetin e njësisë.
KEK-u gjithashtu rikujton se përgjegjësitë e tij në sektorin energjetik përfshijnë ekskluzivisht eksploatimin e thëngjillit dhe prodhimin e energjisë elektrike dhe termike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve është përgjegjësi e kompanisë së furnizimit.