Intervistohen 14 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Kllokot

Aktuale

Intervistohen 14 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Kllokot

Më: 7 shkurt 2026 Në ora: 09:55 Përditësuar në ora: 10:37 më 07.02.2026
Foto ilustrim

​Falsifikim votash në Kllokot, 14 të dyshuar arrestohen dhe më pas lirohen

Policia e Kosovës ka arrestuar dhe intervistuar dje në Kllokot 14 persona, kryesues dhe anëtarë të komisioneve numërues në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN), nën dyshimin e bazuar për falsifikim të rezultateve të votimit që lidhen me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve, dhe me vendim të prokurorit, të gjithë të arrestuarit janë liruar.

Rasti vazhdon të hetohet nga organet kompetente.

Intervistohen 14 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Kllokot

Policia e Kosovës ka arrestuar dhe intervistuar 14 persona - kryesues dhe anëtarë të komisioneve numëruese - nën dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Kllokot.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimet janë kryer më 6 shkurt, ndërsa të dyshuarit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, ata janë liruar pas intervistimit.

Deri më tani, për shkak të dyshimeve për manipulim të votave janë ndaluar dhjetëra persona në disa rajone të Kosovës dhe janë intervistuar qindra të tjerë. Hetime po zhvillohen në Prizren, Malishevë, Podujevë, Ferizaj dhe Mitrovicë.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, e ka cilësuar procesin zgjedhor të 28 dhjetorit si ndër proceset “më të kompromentuara”, pasi janë vërejtur mospërputhje të mëdha në numrin e votave të kandidatëve për deputetë pas një rinumërimi të pjesshëm të urdhëruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Më pas, KQZ-ja urdhëroi rinumërim të plotë të votave, i cili përfundoi në fundjavën që shkoi.

Pula ka thënë se edhe kandidatët të cilëve u janë shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, por deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjërit prej tyre kanë nisur procedura hetimore.

Pas përfundimit të rinumërimit, më 31 janar, KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat