Gjykata ua cakton “paraqitje në stacion policor” 22 të dyshuarve për dallavere me vota në Gjakovë

Aktuale

Gjykata ua cakton “paraqitje në stacion policor” 22 të dyshuarve për dallavere me vota në Gjakovë

Më: 7 shkurt 2026 Në ora: 11:12
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar masën e sigurisë 22 të dyshuarve për falsifikim të rezultateve të votimit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Atyre u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.

Gjykata ka mbajtur tri seanca të ndara dëgjimore mbrëmjen e së premtes dhe ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktim të paraburgimit.

Në kërkesën e prokurorisë thuhej se 22 të dyshuarit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave dhe me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, dhe kështu kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor,” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë njëmuajshe, nga 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat