​Tensione te tregu i automjeteve në Prishtinë, shitësit ilegal tentojnë ta bllokojnë rrugën

Aktuale

​Tensione te tregu i automjeteve në Prishtinë, shitësit ilegal tentojnë ta bllokojnë rrugën

Më: 8 shkurt 2026 Në ora: 08:33 Përditësuar në ora: 11:43 më 08.02.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

“Rezistenca” e shitësve ilegal te tregun e automjeteve

Shitësit ilegal në tregun e veturave që mbahet çdo të diel në Prishtinë, nga sot nuk do të mund të shfrytëzojnë hapësirat publike, shkak i therjeve që po bëhen ndaj shpezëve dhe ndotjes së hapësirës publike.

Që nga orët e hershme të mëngjesit inspektorati i Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, zhvilluan një aksion të përbashkët tek hapësirat rreth tregut për t’i larguar shitësit ilegal. Megjaithë ata hasën në resistencë, fillimisht duke bllokuar rrugën e pastaj shprehen edhe pakanaqësi me arsyetimin se nga ajo punë mbajnë familje.

Ata u ankuan, pasi që kanë ardhur nga komuna të ndryshme e nuk po mund të shesin asgjë.

Rexhep Musliu tha për KosovaPress, se ai deri më tani ka shitur grurë dhe asnjëherë nuk ka hedhur mbeturina.

Musliu me këtë punë mban edhe familjen.

Musliu: Halli jonë me dalë e me shit, jam bujk, kurrfarë rroge nuk kam

“Halli jonë me dalë e me shit, jam bujk, kurrfarë rroge nuk kam, i kam katër thasë grurë në kombi për me e shitë, nuk po na lejojnë këta, ku me i çua me i shit.. Një ditë është pazar këtu, asnjë mbeturinë nuk po e hedhim, asgjë nuk jemi tu bë.. Familjen e mbaj me qit punë.. Tregu është brenda, ku me i çua me i shit ata unë? Nuk na lënë me hi atje”, tha Musliu.

Shitësi tjetër, Ismet Hasani nga Podujeva, i cili shiste mobile, mbanë 20 anëtarë të familjes së bashku me vëllain e tij nga shitja në këtë treg.

Hasani u shpreh se duhet të gjobiten personat që po prenë pulat, e jo të gjobiten të gjithë për tre persona.

Ai shtoi se duhet të bëhet një lokacion i caktuar për ta, të cilët sipas tij edhe janë të gatshëm të paguajnë.

Hasani: Duhet me gjobit ai që është që po bën dëm, jo me gjobit të gjithë

“Unë jam nga komuna e Podujevës, unë shes në treg qysh prej që u hap ky treg këtu, shes mobile. Jam mbajtës i 20 anëtarëve të familjes, me vëlla bashkë punojmë me qitë punë. Ne as s'qojmë mbeturina, as s'qojmë kurrgjë. Këtu në bazë të një inspeksioni qysh po thonë këta, kanë marrë vendim shkaku i do pulave që po prehen, po është individuale. Duhet me gjobit ai që është që po bën dëm, jo me gjobit të gjithë për dy-tre vetë. Ky aksion neve s'na pëlqen kështu... Duhet me kanë një pjesë me na caktua një lokacion, ne jena të gatshëm me pagu, nuk jena ardhur me ik, e kam bërë prodhimin, du me shit atë që ta prodhoj që e kam bërë”, tha Hasani.

Aksioni i Inspektoratit të Prishtinës, Policisë së Kosovës dhe AVUK-ut ka filluar që nga orët e hershme të mëngjesit, të cilët do të qëndrojnë gjatë gjithë ditës aty derisa të përfundon tregu i veturave.

​Tensione te tregu i automjeteve në Prishtinë

Situatë e tensionuar në mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe shitësve ilegal ka ndodhur në hapësirat përreth tregut të automjeteve në Prishtinës, pasi shitësit tentojnë ta bllokojnë rrugën si protestë që nuk po u lejohet të shesin asgjë tjetër përveç pjesëve të automjeteve në treg.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati i Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, që nga ora 05:00 po zhvillojnë një aksion të përbashkët në terren, në lokacionin e tregut të automjeteve dhe në hapësirat përreth.

Arsyeja e këtij aksioni është që të mos bllokohet hapësira publike dhe të mos shiten shpezët ilegalisht.

Shitësit të cilëve nuk po u lejohet të shesin sot në këtë treg që mbahet gjithmonë të dielave, janë ankuar që t’u lejohet të shesin, pasi që kanë ardhur nga qytete të ndryshme.

Ata po qëndrojnë para Policisë së Kosovës si shenjë proteste.

Aksion i përbashkët i Inspektoratit, Policisë e AVUK-ut në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot ekipet e Inspektoratit të Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, zhvillojnë një aksion të përbashkët në terren.

Aksioni zhvillohet në lokacionin e tregut të automjeteve, si dhe në hapësirat përreth këtij lokacioni.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij aksioni është zbatimi i legjislacionit në fuqi, parandalimi dhe ndëshkimi i shitjes ilegale, tregtimit të paautorizuar të shpezëve dhe kafshëve, si dhe i çdo veprimtarie tjetër që bie në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet përkatëse.

Ftohen qytetarët dhe subjektet afariste që të respektojnë obligimet ligjore dhe të bashkëpunojnë me institucionet përgjegjëse gjatë realizimit të këtij aksioni.

Institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore ndaj shkelësve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat