Deklaratat përmbyllëse, mbrojtja e Krasniqit mohon përfshirjen në krime
Në Gjykatën Speciale sot u mbajt dita e pestë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj katërshes së UÇK-së.
Gjatë ditës ekipi i Rexhep Selimit përmbylli deklaratat duke thënë se ai duhet të shpallet i pafajshëm, duke argumentuar se nuk ka prova që e lidhin me krimet në aktakuzë.
Mbrojtja e Selimit tha se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim për Selimin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin nënkupton "burgim të përjetshëm".
Më pas mori fjalën mbrojtja e Krasniqit, që tha se Prokuroria nuk ka vërtetuar se klienti i tyre ka pasur lidhje me ndonjë krim. Mbrojtja madje tha se nuk ka asnjë dëshmitar që ka thënë se Krasniqi e ka rrahur apo keqtrajtuar.
Sipas mbrojtjes, Krasniqi ishte zëdhënës i UÇK-së dhe jo komandant me kontroll ushtarak. Po ashtu, mbrojtja hodhi poshtë pretendimin se Krasniqi ka qenë parësor në hartimin e komunikatave të UÇK-së.
Ekipi mbrojtës i Krasniqit do të vazhdojë deklaratat përmbyllëse të hënën. Po të hënën, trupi gjykues ka dy orë kohë që të parashtrojë pyetje për palët dhe pasdite radhën do ta ketë Prokuroria.
Mbrojtja e Krasniqit flet për komunikatat e UÇK-së
Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, tha se ZPS-ja po e akuzon klientin e tij se ka pasur rol parësor në hartimin dhe shpërndarjen e të gjitha komunikatave të UÇK-së.
“Ky është zmadhim i asaj që tregojnë provat. Realiteti është që Prokuroria nuk ka provuar se kush ka hartuar, as edhe një komunikatë të vetme”, tha Ellis.
Ellis tha se Krasniqi e ka pranuar se ka shkruar komunikata kur nuk ka pasur mundësi që të takohet Shtabi i Përgjithshëm për shkak të ofensivave intensive. Por, avokati tha se ZPS nuk ka vërtetuar se cilat komunikata janë ato.
Avokati tha se shumica e pretendimeve të ZPS-së mbështeten në prova të dobëta dhe jobindëse dhe i referohen intervistës së Rexhep Selimit dhënë për Prokurorinë. Por, Ellis tha se Selimi nuk e ka parë Krasniqin duke shkruar ndonjë komunikatë.
Mbrojtja po ashtu tha se nuk është provë që në shtëpinë e Krasniqit i janë gjetur katër komunikata, duke argumentuar se klienti i tij kishte mbledhur dokumente për shkrimet e tij dhe librin e tij.
Mbrojtja e Krasniqit thotë se roli i tij si zëvendëskomandant ishte dytësor
Ekipi mbrojtës i Krasniqit insistoi se nuk pranon që dokumentet e paraqitura nga ZPS-ja për periudhën kur ai ishte zëvendëskomandat i ndihmës, të jenë nënshkruar nga ai.
“Barra për autorësinë bie mbi ZPS-në”, thanë mbrojtësit e Krasniqit.
Një avokat i Krasniqit tha se dëshmitarët kanë thënë se roli si zëvendëskomandant ishte dytësor për Krasniqin, pasi ai ishte zëdhënës dhe përfaqësues politik i Shtabit.
Sipas tyre, edhe Zyrapi e ka pranuar se në periudhën nëntor 1998 dhe shkurt 1999 se këto dy rolet e fundit ishin fokusi kryesor i Krasniqit.
“Roli i zëvendëskomandantit ishte rol dytësor”, tha mbrojtja.
Avokatja: Krasniqi nuk ka mbikëqyrur punën e departamentit juridik të UÇK-së
Ekipi mbrojtës i Krasniqit ka hedhur poshtë pretendimin e ZPS-së se ai kishte mbikëqyrur departamentin juridik të UÇK-së.
“Ky pretendim mbështetet dëshmitë spekulative që i kanë bërë për interesa të veta Bislim Zyrapit”, tha avokatja Alagendra.
Ajo tha se nuk ka prova se udhëheqësi i gjykatës së UÇK-së, Sokol Dobruna ka marrë udhëzime nga Krasniqi as që i ka raportuar atij.
Alagrendra tha se vetë Dobruna e kishte konfirmuar se i ka dorëzuar raporte vetëm Azem Sylës kur ka qenë në Kosovë.
Mbrojtja: Krasniqi nuk ishte përgjegjës për UÇK-në kur mungonte komandanti i përgjithshëm
Mbrojtja ka argumentuar se pretendimi i ZPS se si zëvendëskomandant për ndihmë, Jakup Krasniqi, nuk kishte kompetencat e komandantit të përgjithshëm, Azem Syla, kur ai nuk gjendej në Kosovë.
Avokatët thanë se ky pretendim mbështetet vetëm në dëshminë e shefit të shtabit, Bislim Zyrapit.
“Dëshmitarët e tjerë e kanë konsideruar Zyrapin përgjegjës dhe jo Krasniqin si përgjegjës në UÇK kur Syla nuk ishte në Kosovë”, tha mbrojtja.
Mbrojtja po ashtu tha se vetë Syla kishte thënë se vetëm Sokol Bashota ishte zëvendës i tij.
Mbrojtja: Zëdhënësi nuk ka kontroll ushtarak, Krasniqi nuk kishte kompetencë për të bërë emërime
Mbrojtja po trajton pretendimet e ZPS-së për autoritetin e Krasniqit pas emërimit të tij si zëvendëskomandnat i UÇK-së në nëntor të vitit 1998.
Avokatja e Krasniqit tha se ZPS e pranon se para kësaj periudhe, si zëdhënës ai nuk kishte kontroll logjistik në terren që mund të çonin në veprime konkrete.
“Zëdhënësi nuk është komandant që ka kontroll ushtarak. Përgjegjësia penale mund t’i atribuohet zëdhënësit vetëm në rastet kur deklaratat specifike e lidhin me krime specifike. ZPS as nuk i është afruar vërtetimit të kësaj për këtë rast”, tha Alagendra.
Ajo argumentoi se ZPS thotë se Krasniqi ka marrë pjesë në mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm ku janë bërë emërime, por shtoi se nuk përcaktohet roli i Krasniqit në këto emërime.
“Ai nuk ka pasur kompetenca për të emëruar askënd”, tha ajo.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit: Dokumentet në shtëpi ishin materiale akademike, jo prova
Gjatë parashtrimeve përfundimtare, avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra foli për sekuestrimin e dokumenteve në shtëpinë e tij.
Ajo tha se fakti që këto dokumente apo materiale janë gjetur në shtëpinë e tij, nuk do të thotë se kanë qenë të shkruara nga Krasniqi.
"Ai mblidhte materiale për qëllime akademike dhe për të shkruar librin e tij", tha avokatja.
Po ashtu, Venkatesëari kërkoi nga trupi gjykues që të mos merret, siç tha ajo, me spekulimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në fillim të paraqitjes së deklaratës përmbyllëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ajo tha se klienti po privohet padrejtësisht nga liria tash e pesë vjet.
"Ekziston vetëm një opsion, që ju të merrni vendim për pafajësi dhe që të kthehet në familjen e tij", tha ajo.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit do të vonojë me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse gjatë tërë ditës.
Avokatja e Jakup Krasniqit: Ekziston vetëm një opsion që ai të shpallet i pafajshëm
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka nisur paraqitjen e deklaratës përmbyllëse në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ajo tha se klienti po privohet padrejtësisht nga liria tash e pesë vjet.
"Ekziston vetëm një opsion, që ju të merrni vendim për pafajësi dhe që të kthehet në familjen e tij. Në të gjitha këto 34 muaj gjykim, nuk ka asnjë dëshmitar që tregon se ai e ka rrahje, torturuar apo keqtrajtuar ndonjë person. Kjo prokurori kryesisht mbështetet në spekulime dhe pretendime të pabaza", tha ajo.
Më tej, ajo tha se Prokuroria i ka anashkaluar provat shfajësuese. Po ashtu, theksoi se ZPS nuk ka thirrur një numër vendimtar të dëshmitarëve, të cilët do të kishin dhënë informacione për hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në hyrje të parashtrimeve përfundimtare, mbrojtja e Krasniqit tha se prokuroria ka dështuar edhe të argumentojë lidhjen mes klientit të saj dhe krimeve të pretenduara.
"Kjo akuzë nuk do të duhej të ishte ngritur fare. Prokuroria do të duhej të tërhiqte aktakuzën në fazë më të hershme por këtë nuk e bëri", shtoi ajo.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit do të vonojë me paraqitjen e deklaratës përmbyllëse gjatë tërë ditës.
Përfundon fjala përfundimtare e Rexhep Selimit, vijon ajo e Jakup Krasniqit
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar seanca gjyqësore me fjalën përmbyllëse të mbrojtjes së ish-udhëheqësit të UÇK-së, Rexhep Selimi.
Trupi gjykues është në pauzë të drekës dhe do të rifillojë në ora 13:30 me fjalën përfundimtare të mbrojtjes për Jakup Krasniqin.
Avokati mbrojtës i Selimit, Geoffrey Roberts, hodhi poshtë të gjitha pretendimet që lidhen me emërimet e personave gjatë periudhës së luftës, duke i cilësuar si të pabazuara.
Ai po ashtu deklaroi se Selimi është i pafajshëm dhe kërkoi që ai të shpallet i tillë.
Avokati: Qasje e paqartë e Prokurorisë për autorësinë e dokumenteve
Sipas avokatit Tully, Prokuroria nuk e ka bërë asnjëherë të qartë autorësinë e materialeve që ia ka mveshur Selimit, dhe nuk do të thotë që nëse disa prej materialeve janë sekuestruar nga Selimi, janë të tij.
“Duhet ta keni parasysh që kjo mund të ketë pasoja konkrete për personin..
Qasja e paqartë e Prokurorisë lidhur me këto shënime në momentet e fundit të këtij gjykimi u bë edhe më e paqartë me pretendimet e tyre të forta se fjalët këtu janë të zotit Selimi.
Po t’i kishim ditur këto akuza specifike gjatë gjykimit, ne si mbrojtje do të kishim pasur strategji tjetër gjatë kundërpyetjeve tona dhe do të kishim bërë hetime tjera sa u përket pretendimeve të Prokurorisë. Këtu ne jemi cenuar”.