Albin Kurti: Investimet në ushtri e polici forcojnë Kosovën, Friedrich Merz: Nevojitet partneritet transatlantik i ri

Aktuale

Albin Kurti: Investimet në ushtri e polici forcojnë Kosovën, Friedrich Merz: Nevojitet partneritet transatlantik i ri

Më: 13 shkurt 2026 Në ora: 10:21 Përditësuar në ora: 23:58 më 13.02.2026
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti nga Mynihu: Investimet në polici dhe ushtri po e bëjnë Kosovën më të fortë dhe më të sigurt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka thënë për RTK se po zhvillon takime të shumta me zyrtarë të ndryshëm të vendeve evropiane dhe të botës.

Kurti ka theksuar se në këto takime ka për synim që t’i tregojë arritjet e Kosovës, por edhe planet dhe objektivat e tjera.

Kryeministri u ndal edhe tek tema kryesore e konferencës këtë vit, me titullin “Shkatërrimi”, duke u fokusuar te pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimet globale. Ai e vlerësoi Kosovën si një vend që ndriçon për demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.

“Kur po bisedojmë me diplomatët dhe politikanët ndërkombëtarë, themi që ne nuk kemi sfida të sigurisë që mund të na cenojnë nga brenda. Të tilla kemi nga fqinjët tanë veriorë dhe agresivë, por ne jemi duke investuar shumë, si në polici, ashtu edhe në ushtri, me partnerët evropianë, për të forcuar aftësitë dhe masat tona”, tha Kurti.

Kurti me sekretarin e Shtetit për Punë të Brendshme të Gjermanisë, diskutojnë çështje që ndërlidhen me diasporën

Kryeministri nënvizoi se këto investime dhe bashkëpunime ndërkombëtare po fuqizojnë Kosovën, duke e bërë vendin një pikë referimi për stabilitet dhe siguri në rajon.

Gjatë një interviste nga Mynihu, ai përgëzoi Kuvendin e Kosovës për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar se mbi një miliard euro janë aprovuar nga Banka Qendrore dhe Këshilli Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Gjermani, së bashku me zv. kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.

Konferenca e Munihut: Merz bën thirrje për "ringjalljen" e besimit transatlantik

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e hapi Konferencën e Sigurisë në Munih (MSC) duke përshkruar një peizazh gjeopolitik të zhveshur nga orientimet e dikurshme dhe duke thënë se rendi i vjetër botëror “nuk ekziston më”.

Ai paralajmëroi për kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe Kina, si dhe sugjeroi se marrëdhëniet SHBA-Evropë duhet të riparohen për t’u përballur me sfidat aktuale.

“Sado i papërsosur që ishte edhe në ditët e tij më të mira”, rendi global që “mbështetej në të drejta dhe rregulla” ka marrë fund, tha Merz në fjalimin e tij kryesor në këtë tubim vjetor.

“Kemi kaluar pragun drejt një epoke që karakterizohet sërish hapur nga fuqia dhe politika e fuqive të mëdha”.

Duke e cilësuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës si shembullin më të qartë të këtij realiteti të ashpër, ai tha gjithashtu se Kina “i shfrytëzon në mënyrë sistematike varësitë e të tjerëve”.

Merz bëri thirrje për një “partneritet të ri transatlantik”, duke paralajmëruar se në “epokën e rivalitetit mes fuqive të mëdha, as Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë mjaftueshëm të fuqishme për të vepruar e vetme”.

“Duhet ta kuptojmë në të dy anët e Atlantikut se jemi më të fortë së bashku… Prandaj le ta riparojmë dhe ringjallim bashkë besimin transatlantik”, tha ai.

Konferenca treditore e Sigurisë në Munih - ku marrin pjesë qindra liderë evropianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë - zhvillohet një vit pasi zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tronditi konferencën me kritika të ashpra, duke akuzuar Evropën për politika të rrezikshme lidhur me emigracionin dhe partitë e ekstremit të djathtë.

“Është hapur një përçarje mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Merz në fjalimin e tij.

“Zëvendëspresidenti JD Vance e tha këtë shumë hapur këtu në Munih një vit më parë”.

Duke nënvizuar gjithashtu shqetësimet në Evropë, një raport i hartuar nga organizatorët dhe i publikuar para konferencës foli për shfaqjen e “politikës së topit shkatërrues” dhe deklaroi se “më i fuqishmi ndër ata që po i godasin me sëpatë rregullat dhe institucionet ekzistuese është presidenti amerikan, Donald Trump”.

Delegacioni amerikan këtë vit udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili foli për një “moment përcaktues” në një botë që “po ndryshon shumë shpejt para syve tanë”.

“Bota po ndryshon shumë shpejt para syve tanë. Bota e vjetër ka ikur – sinqerisht, bota në të cilën u rrita – dhe ne jetojmë në një epokë të re në gjeopolitikë, dhe kjo do të kërkojë nga të gjithë ne që të rishqyrtojmë se si duket kjo dhe cili do të jetë roli ynë”, tha Rubio në komentet para nisjes nga baza ajrore Andress në Mariland.

Rubio u takua me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, për bisedime dypalëshe disa orë pas mbërritjes në Munih.

Rubio tha se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 14 shkurt, kur ai të arrijë, megjithëse nuk ishte “100 për qind” i sigurt se takimi do të ndodhë.

I pyetur për sulmet e vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të cilat kanë zhytur qindra mijëra njerëz në të ftohtë dhe errësirë gjatë dimrit, Rubio tha se kjo është arsyeja pse Uashingtoni po vazhdon përpjekjet e tij për paqe.

“Njerëzit po vuajnë. Është koha më e ftohtë e vitit. Është vuajtje e paimagjinueshme”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, i tha Radios Evropa e Lirë se pret të bisedojë gjithashtu me Rubion.

“Ne do të jemi të interesuar [të vazhdojmë] kontaktet tona të rregullta në nivelet më të larta” tha Sybiha, i cili mirëpriti vizitorë, përfshirë Ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në një ekspozitë dronësh në “Shtëpinë e Ukrainës” në Munih.

“Vetëm [presidenti amerikan Donald] Trump mund ta përfundojë luftën, vetëm pala amerikane”, i tha Sybiha REL-it.

Trump e ka bërë përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës një prioritet që nga rikthimi i tij në presidencë në janar 2025, por Moska ka treguar pak gatishmëri për kompromis, dhe dy rundet e fundit të bisedimeve SHBA-Rusi-Ukrainë kanë lënë palët në mospajtim për çështje kyç, përfshirë kontrollin e territorit në rajonin ukrainas të Donbasit.

Zyrtarë rusë dhe ukrainas thanë më 13 shkurt se një rund i ri bisedimesh trepalëshe do të mbahet në Gjenevë më 17-18 shkurt.

“Gjëja më e rëndësishme që mund të arrijmë së bashku është përfundimi i luftës me një paqe dinjitoze dhe krijimi i garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën dhe për gjithë Evropën - që askush në Evropë të mos ketë frikë se do të mbetet pa mbrojtje”, shkroi Zelensky në një postim në X, ku përfshiu pamje nga mbërritja e tij në Munih.

Lufta “ka pasoja shumë përtej Ukrainës”, i tha për REL kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stere.

“Bëhet fjalë për përballjen me forca që përdorin fuqinë ushtarake për të shtyrë interesat e tyre, çka është thelbësore për sigurinë e gjithë Evropës dhe, në fakt, edhe përtej saj”.

Store shtoi se “duhet të ushtrojmë çdo presion ndaj Rusisë që ta ndalë këtë luftë. Ajo mund të ishte ndalur çdo ditë nga Rusia. Rusia është agresori. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur Ukrainën që të arrijë një armëpushim dhe një paqe të drejtë”.

Organizatorët e MSC-së thanë se ngjarja e këtij viti është më e madhja ndonjëherë, me më shumë se 1.000 delegatë, përfshirë rreth 50 krerë qeverish dhe diplomatë të lartë.

Konferenca e Munihut po zhvillohet në një kohë trazirash globale, me mundësinë e sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj Iranit, me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia që po i afrohet përvjetorit të katërt dhe me tensione lidhur me të ardhmen e aleancës transatlantike të NATO-s.

Këto shqetësime të fundit u shfaqën në një aktivitet të vogël anësor në prag të konferencës, ku ish-presidenti i Komisionit të BE-së, Jose Manuel Barroso, tha: “ne duhet… të mbetemi atlantikë, por ta evropianizojmë NATO-n.”

Barroso bëri thirrje për pavarësi më të madhe evropiane në mbrojtje mes frikës se Uashingtoni po tërhiqej nga angazhimi, duke shtuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë Ukrainën do të forconte gjithashtu sigurinë e tij.

“Të jemi të sinqertë, ata nuk do të jenë anëtarë të NATO-s", i tha Barroso REL-it. “Por anëtarë të Bashkimit Evropian – mendoj se mund të jenë. Pra, le të gjejmë një mënyrë.”

E pyetur se çfarë pret nga fjalimi i Rubios në konferencë më 14 shkurt dhe nga angazhimi i SHBA-së me evropianët, ministrja e Jashtme e Rumanisë, Oana Toiu, u tha gazetarëve: “Shpresoj që delegacioni i SHBA-së… do të ritheksojë një mesazh të fortë mbështetjeje”.

“Dhe gjithashtu përtej fjalëve, përtej bisedave, mendoj se ajo që na duhet tani është veprim i përbashkët, burime të përbashkëta për qëndrueshmërinë, por edhe për procesin e paqes [në Ukrainë]".

Toiu shtoi se “ndërtimi ose rindërtimi i besimit në partneritetin transatlantik është gjithashtu shumë i rëndësishëm për hapat e ardhshëm në procesin e paqes në Ukrainë”.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, i tha REL-it se “shpreson shumë që kredia prej 90 miliardë eurosh (107 miliardë dollarë), e miratuar nga evropianët, të vihet në zbatim dhe të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur”, por tha se nuk kishte detaje.

Gjatë rrugës për në Munih, Rubio shprehu besim se mesazhi i tij për evropianët e shqetësuar do të “pritej mirë”. Ai shoqërohet nga një grup i madh senatorësh amerikanë nga dy partitë, të cilët kanë njoftuar takime me Zelenskyn, shefin e NATO-s, Mark Rutte, dhe të tjerë.

Në një deklaratë, anëtarja kryesore e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Jeanne Shaheen, tha se do ta përdorë këtë udhëtim për të “forcuar mbështetjen për Ukrainën dhe për t’u bërë thirrje kolegëve të mi në Kongres që të miratojnë legjislacion dypartiak për sanksione për të mbajtur Rusinë dhe mbështetësit e saj përgjegjës”.

Kancelari gjerman: Evropa duhet të zgjidhë varësinë e saj

Kancelari gjerman, Friedrich Mertz, tha se Evropa duhet të zgjidhë varësinë e saj “të vetë-shkaktuar” ndaj SHBA-së për të riformuar marrëdhëniet transatlantike.

Merz në edicionin e 62-të të Konferencës së Sigurisë në Mynih, tha se “askush nuk na detyroi të hynim në  këtë varësi të tepruar nga Shtetet e Bashkuara në të cilën kemi gjetur veten kohët e fundit. Kjo varësi ishte e vetë-shkaktuar, por tani e heqim këtë gjendje sa më shpejt të mundemi,” thotë ai.

Ai thotë se kjo do të arrihet përmes forcimit të shtyllës evropiane të NATO-s.

“Supozojmë se mund të kemi mendime të ndryshme më shpesh se në të kaluarën, do të duhet të negociojmë për rrugën e duhur përpara, dhe ndoshta do të duhet të diskutojmë për këtë. Por nëse e bëjmë këtë me forcë të re, respekt të ri dhe respekt për veten, do të jetë në dobi të të dyja palëve”, tha ai.

Ai thotë se shenjat e para të kësaj u shfaqën në një përballje të fundit me SHBA-në rreth Grenlandës, raporton TheGuardian.

Kurti arrin në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arrirë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Sivjet mbahet edicioni i 63-të i kësaj konference. Krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC-së, kryeministri do të zhvillojë edhe takime bilaterale në margjinat e konferencës.

Dje presidentja e vendit, Vjosa Osmani anuloi pjesëmarrjen e saj në këtë ngjarje për shkak të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme në vend.

 

Konferenca e Sigurisë në Mynih është forumi kryesor në botë për debatimin e politikave ndërkombëtare të sigurisë. Ajo shërben si një platformë për nisma diplomatike që synojnë trajtimin e shqetësimeve më urgjente të sigurisë në botë.

Ajo i koncepton konferencat e saj si një lloj “tregu idesh”, ku zhvillohen iniciativa dhe zgjidhje dhe ku shkëmbehen mendime. MSC ofron një hapësirë për nisma dhe ide diplomatike, zyrtare dhe jozyrtare, për të adresuar shqetësimet më të ngutshme të sigurisë globale.

-----

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në edicionin e 62-të të Konferenca e Sigurisë në Mynih (Munich Security Conference 2026 – MSC).

Krahas pjesëmarrjes në ngjarjet e organizuara në kuadër të MSC-së, kryeministri do të zhvillojë edhe takime bilaterale në margjinat e konferencës.

Konferenca e Sigurisë në Munih i mban punimet këtë vit më 13-15 shkurt në qytetin gjerman. Ajo konsiderohet konferencë me nam, për shkak të pjesëmarrjes së zyrtarëve shtetërorë të niveleve më të larta.

Në nivel botëror, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat