LDK: Rezoluta e mangët, zbardhja e të gjitha vrasjeve politike, borxh ndaj viktimave, shoqërisë dhe vetë shtetit

Aktuale

LDK: Rezoluta e mangët, zbardhja e të gjitha vrasjeve politike, borxh ndaj viktimave, shoqërisë dhe vetë shtetit

Nga: M.L. Më: 13 shkurt 2026 Në ora: 10:45
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me qëndrimin e saj ndaj Rezolutës së Kuvendit, përmes së cilës u kërkua nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që të ushtrojë proces gjyqësor të drejtë ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

Në reagim thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, e jo përmes rezolutave që, sipas LDK-së, lënë jashtë çështje thelbësore.

LDK thekson mbështetjen e saj të fuqishme për parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës, duke e cilësuar këtë si vlerë themelore të shtetit ligjor dhe të orientimit euro-atlantik të vendit.

Megjithatë, sipas kësaj partie, drejtësia nuk mund të jetë koncept i fragmentuar.

Sipas LDK-së, kjo është një detyrim ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës. Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë, thekson partia, e ka bërë Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh.

Deklarata e plotë:

DEKLARATË

Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.

LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.

Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.

Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.

Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat