Komisioni për Buxhet shqyrton edhe projektligjin për kredi ndërkombëtare
Buxheti i Kosovës për vitin 2026 është duke u shqyrtuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Anëtarët e komisionit janë duke shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim.
Gjithashtu po shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga MFPT-së dhe Asociacioni Ndërkombëtar për zhvillim për projektin “Kompas”: qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë; projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për zhvillim për projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “Instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe BQK-së si agjent i huamarrësit.
Miratohet marrëveshja me BE për reforma e rritje nga Komisioni për Buxhet
U miratua shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati shpjegoi se kjo marrëveshje përbëhet nga agjenda e reformave dhe tjetra pjesa e financimit apo e kredisë.
“Kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes. E mira e kësaj është, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standardit të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Murati theksoi se Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, me rreth 10%.
“Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.
Ai tha se qëllimi i marrëveshjes kornizë është krijimi i bazës së përgjithshme kontraktuale që ia mundëson Kosovës përfitimin e fondeve nga BE. Ndërkaq marrëveshja për kredinë rregullon kushtet për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.
Tashmë pas miratimit në Komision, kjo marrëveshje do të hidhet në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Mblidhet Komisioni për Integrime, shqyrton marrëveshjet ndërkombëtare
Është mbledhur Komisioni për Integrime Evropiane, anëtarët e së cilët do ta shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Më konrektisht bëhet fjalë për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.
Pas shqyrtimit, marrëveshja do të kalojë në votim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ende nuk dihet për orën kur do të mbahet seanca.
Ngërçi politik një vjeçar shkaktoi vonesa në miratimin e kësaj marrëveshje, në të cilën Kosova përfiton shumën prej 882.6 milionë eurove, që ofrohen brenda këtij instrumenti për reforma dhe rritje.
Buxheti i vitit 2026 dhe marrëveshjet me BE-në, mblidhen dy komisione
Komisioni për Integrime Evropiane dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mbajnë sot mbledhjet e tyre në Kuvendin e Kosovës, duke trajtuar çështje të rëndësishme për proceset e integrimit evropian dhe planifikimin buxhetor të vendit.
Komisioni për Integrime Evropiane do të mblidhet në sallën N-302 me fillim në ora 11:30.
Në rendin e ditës janë tri pika kryesore: miratimi i rendit të ditës, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje” dhe pika të ndryshme. Mbledhja ka për qëllim diskutimin dhe përgatitjen e rekomandimeve për miratimin e marrëveshjes që synon përkrahjen e reformave dhe zhvillimit ekonomik në vend.
Ndërkaq, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mblidhet në sallën C-203 me fillim në ora 12:00. Rendi i ditës përfshin shqyrtimin e disa projektligjeve të rëndësishme, duke përfshirë Projektligjin nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve financiare dhe kredive ndërkombëtare për projekte zhvillimore në fushat e politikave fiskale, konkurrueshmërisë, shëndetësisë dhe edukimit në fëmijërinë e hershme. Pikat përfshijnë gjithashtu shqyrtimin e instrumentit për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.
Mbledhjet e sotme pritet të ofrojnë debat dhe vlerësim mbi instrumentet e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mënyrën e implementimit të tyre në vend, duke siguruar transparencë dhe përgatitje për votimin e projektligjeve në seancat plenare të Kuvendit.
Deputetët dhe komisionet kanë për qëllim të adresojnë sfidat dhe mundësitë që ofrojnë këto marrëveshje për zhvillimin ekonomik dhe institucional të Kosovës.