Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se veprimi i sotëm i presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë legjislaturën e dhjetë është veprim në kundërshtim me Kushtetutën, derisa tha se presin që Gjykata Kushtetuese të sjellë masë të përkohshme për të parandaluar pasojat e këtij veprimi, siç e ka quajtur ai, antikushtetues.
“Ky është veprim qartazi arbitrar që bie ndesh me bazën juridike, me bazën kushtetuese dhe natyrisht cenon funksionimin kushtetues të institucioneve. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk ka asnjë boshllëk kushtetues për sa i përket rrethanave të shpërndarjes së Kuvendit”, tha Rrustemi në një konferencë të përbashkët me shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Në kontekstin aktual për sa i përket zgjedhjes së presidentit, sipas Rrustemit, Kushtetuta i parasheh dy momentet e shpërndarjes së Kuvendit dhe natyrisht shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Momenti i parë sipas nenit 86 paragrafi 6, kur pas nisjes së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Republikës, edhe në raundin e tretë me pjesëmarrje dhe me kuorum dështon zgjedhja e presidentit, qoftë edhe me 61 vota pro, moment që nuk është në situatën aktuale. Dhe rrethana e dytë është që pas fillimit të procedurës, brenda 60 ditëve Kuvendi i Kosovës nuk arrin të zgjedhë një president pavarësisht epilogut, e ne sot jemi në ditën e parë të afatit 60-ditor”, shtoi ai.
Sipas Rrustemit eventualisht shpërndarja e kuvendit mund të ndodhte më 4 maj, në përputhje me kushtetutën.
“Gjithsesi do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Presim masën e përkohshme për të ndaluar dhe kufizuar pasojat juridike të këtij dekreti. Duhet ta themi edhe një gjë, përtej interpretimit të gjykimit të ftoftë kushtetues, që është krejtësisht i pabazuar, nuk ka pasur kurrfarë urgjence, as në rrafshin politik institucional për ta shpërndarë kuvendin. Nuk ka pas në rend dite Kuvendi i Kosovës ndonjë vendim apo veprim të dëmshëm për interesat e Republikës së Kosovës për të cenuar integritetin territorial, për të marrë ndonjë vendim që cenon rendin kushtetues”, tha Rrustemi.
Madje, ai tha se në rend dite Kuvendi i Kosovës kishte ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare të vlefshme për qytetarët e Republikës me mbi 100 milionë euro.