Gërvalla: Rend, siguri e integritet në të gjitha institucionet korrektuese

Aktuale

Gërvalla: Rend, siguri e integritet në të gjitha institucionet korrektuese

Më: 12 mars 2026 Në ora: 12:11
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka zhvilluar takim me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët thotë se trajtuan çështjet që lidhen me sigurinë, menaxhimin dhe integritetin e sistemit korrektues.

Gërvalla thotë se siguria në institucionet korrektuese, parandalimi i kontrabandës, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe zbatimi i plotë i ligjit janë përgjegjësi që nuk lënë hapësirë për kompromis.

“Institucionet korrektuese kërkojnë disiplinë, profesionalizëm dhe standarde të qarta të llogaridhënies në çdo nivel të drejtimit. Çdo institucion duhet të funksionojë me rend të plotë, me kontroll efektiv dhe me përgjegjësi të qartë institucionale, sepse çdo dobësi në këtë sistem dëmton drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në drejtësi”, thotë ministrja e Drejtësisë.

Gërvalla shtoi se sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë. Kjo, sipas saj, kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend.

“Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër”, ka thënë ministrja Gërvalla.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat