Realizohet për herë të parë në QKUK intervenimi për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka

Aktuale

Realizohet për herë të parë në QKUK intervenimi për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka

Më: 12 mars 2026 Në ora: 12:18
Realizohet për herë të parë në QKUK intervenimi për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka shënuar një avancim të rëndësishëm në fushën e urologjisë, duke realizuar për herë të parë në Kosovë intervenimin kirurgjik minimal për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se aplikimi i kësaj procedure përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve urologjike dhe në ofrimin e trajtimeve moderne brenda sistemit publik shëndetësor në Kosovë.

Bazuar në njoftim, pacienti i lindur më 1967 është rasti i parë që iu ka nënshtruar me sukses këtij intervenimi dhe është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

“Procedura është realizuar nga ekipi i Klinikës së Urologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Anesteziologjisë, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore të laser-it holmium, e cila mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka përmes një qasjeje minimale invazive. Metoda PCNL përdoret për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka dhe realizohet përmes një prerjeje shumë të vogël në lëkurë, duke mundësuar qasje direkte në veshkë. Kjo teknikë redukton traumën kirurgjike, kohën e qëndrimit në spital dhe periudhën e rikuperimit të pacientit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se deri më tani, pacientët me këtë patologji kanë qenë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat