Sherri për tarracën e pallatit mes dy familjeve/ 62-vjeçari, i shkoi fqinjit i armatosur te banesa dhe…

Aktuale

Sherri për tarracën e pallatit mes dy familjeve/ 62-vjeçari, i shkoi fqinjit i armatosur te banesa dhe…

Më: 12 mars 2026 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Një ngjarje kriminale është parandaluar ditën e sotme (12 mars), pas sherrit mes dy familjeve fqinje me njëra-tjetrën, për shkak të sipërfaqes ndarëse të tarracës së pallatit ku jetonin.

Policia e Sarandës bëri me dije se ka arrestuar 62-vjeçarin Shefki Kaçupaj, dhe sekuestroi si provë materiale armën pistoletë me mulli me të cilën i shkoi në banesë fqinjit të tij dhe e kanosi.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, u arrestua shtetasi Sh. K., 62 vjeç.

“Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi Sh. K. kishte kanosur fqinjët, me armë zjarri (pistoletë me mulli), si pasojë e mosmarrëveshjeve me ta, mbi shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin”, bëri me dije policia vendore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat