Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka miratuar vendimin e qeverisë për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Ky vendim u përkrah nga të gjithë anëtarët e komisionit pa dallime partiake, përveç anëtarit nga Lista Serbe. Megjithatë, nga opozitarët u kërkua që ushtarët e FSK-së që zbarkojnë atje të kenë mbështetjen e plotë në aspektin logjistik, shëndetësor dhe financiar. Kërkesë kjo e cila u tha është zbatuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Anëtari i komisionit, deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, duke shprehur mbështetjen ndaj këtij vendimi, tha se Kosova tani nuk është vetëm konsumuese e sigurisë, por edhe kontribuuese dhe prodhuese e saj.
Rama: Kosova po bëhet prodhuese e sigurisë
“Kjo është një dëshmi që Forca e Sigurisë së Kosovës është ngritur në kuptimin profesional dhe gjithmonë në standardet e NATO-s. Nuk është misioni i parë, kemi pasur edhe misione të tjera ku na kanë bërë të ndihemi krenarë me çdo mision që kanë marrë pjesë. Është me rëndësi mirëqenia e tyre dhe trajtimi atje. Ne jemi për atë punë që t’iu krijojmë kushte sa më të mira. U tha edhe këtu se kush ka menduar që ne kemi me ardh në këtë fazë që mos me qenë konsumues të sigurisë, por prodhues të sigurisë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme”, tha ai.
Mbështetje këtij vendimi i ofroi edhe anëtari i komisionit nga radhët e LDK-së, Fadil Hadergjonaj, por shprehu edhe nevojën që ushtarët e FSK-së të kenë mbështetjen e nevojshme nga shteti.
Hadergjonaj: Ushtarët e FSK-së që zbarkojnë në Gaza të kenë mbështetjen e nevojshme nga shteti
“Është hera e parë që merr pjesë në misione të kësaj natyre, ruajtjes dhe mbajtjes së paqes. Ne si LDK e mbështesim këtë mision dhe FSK-në, por të njëjtën kohë kërkojmë që këta pjesëtarë që do të zbarkojnë në Gaza të kenë mbështetjen e plotë, qoftë në aspektin logjistik, të pajisjeve që do të shfrytëzohen atje, si dhe shëndetësor e financiar”, shtoi ai.
Të gjitha këto kërkesa janë zbatuar nga ekzekutivi, sipas deputetit të LVV-së, Enver Dugolli.
Dugolli: Ushtarëve të FSK-së që zbarkojnë në Gaza nuk do t’iu mungojë asgjë
“Ky vendim i qeverisë është një vendim që e rrumbullakon përpjekjen e kahmotshme të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Jam i sigurt me ato informacione që kemi se janë shqyrtuar të gjitha kërkesat me kujdes dhe të FSK-së sipas standardeve të NATO-s dhe aleatëve. Andaj qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes ka qenë e kujdesshme duke i akomoduar të gjitha kërkesat që dalin konform standardeve të shteteve që marrin pjesë në këtë operacion. Pa dyshim se jemi të sigurt se asgjë nuk do të mungojë edhe nga aspekti operacional, mbështetjes logjistike dhe të mirëqenies”, tha ai.
Krahas kësaj, komisioni diskutoi edhe për vizitën në kampin “Enver Zymberi” të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, për çka u nxit debat mes deputetëve. Në fund, propozimi i deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, për të shkuar në këtë kamp nuk mori mbështetjen e nevojshme.