MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro, zbulohen njehsorë me afat të skaduar

Aktuale

MINTI gjobit KEDS-in me 30 mijë euro, zbulohen njehsorë me afat të skaduar

Më: 16 prill 2026 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) gjatë ditës së sotme ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 30,000 (tridhjetëmijë) eurosh ndaj KEDS-it, për shkak të konstatimit të gjashtë njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.

Sipas njoftimit, ky veprim është ndërmarrë në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të verifikimit të njehsorëve elektrikë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Komisioni Verifikues po vazhdon punën në terren në shtatë regjionet e vendit, me qëllim të identifikimit dhe adresimit të çdo parregullsie.

“Rezultatet e deritanishme nga analizat laboratorike të kryera në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës kanë evidentuar pasaktësi në regjistrimin e orës dhe datës në njehsorët e testuar”, thuhet në njoftim.

Në këtë drejtim, MINTI i ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë KESCO-s për kompensimin e konsumatorëve të dëmtuar dhe do të vazhdojë të përcjellë në baza ditore raportet përkatëse si dëshmi mbështetëse për këtë proces.

Njëkohësisht, Komisioni Verifikues është në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe organet e hetuesisë për trajtimin e mëtejmë të kësaj çështjeje.

MINTI ka theksuar se mbetet e përkushtuar për transparencë të plotë dhe për informimin e rregullt të qytetarëve, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe trajtimit të ankesave të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat