Kurti kundër zgjedhjeve të reja: Zgjedhja e presidentit, detyrim kushtetues; paralajmëron kompromis për presidentin

Aktuale

Kurti kundër zgjedhjeve të reja: Zgjedhja e presidentit, detyrim kushtetues; paralajmëron kompromis për presidentin

Më: 20 prill 2026 Në ora: 07:45 Përditësuar në ora: 11:16 më 20.04.2026
Qeveria e Kosovës

​Jagxhiu: Projektligji për llogaridhënie të agjencive ekzekutive, avancon procesin e racionalizimit

Qeveria e Kosovës ka proceduar për votim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që lidhen me racionalizimin dhe vendosjen e vijave të llogaridhënies së agjencive ekzekutive, si pjesë e reformës së administratës publike dhe procesit të integrimeve evropiane.

Përmes këtij ligji, dhjetë institucione të trashëgimisë kulturore konsolidohen në një institucion të vetëm, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, i cili sipas praktikave më të mira të BE-së, integrohet në Ministrinë e Ekonomisë

Në një konferencë për media, ministri i Digitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se ky projektligj synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e administrimit në sektorin e kulturës dhe të ekonomisë.

Jagxhiu: Ky ligj avancon procesin e racionalizimit të agjencive

“Qëllimi i këtij ligji është rritja e efikasitetit, e llogaridhënies në qeverisje dhe përmirësimi i administrimit në sektorin e kulturës dhe atë të ekonomisë. Ky ligj avancon procesin e racionalizimit të agjencive. Përmes këtij ligji, dhjetë institucione të trashëgimisë kulturore konsolidohen në një institucion të vetëm, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, i cili sipas praktikave më të mira të BE-së, integrohet në Ministrinë e Ekonomisë. Procesi i racionalizimit të agjencive është një nga reformat thelbësore në kuadër të reformës së administratës publike që tash udhëhiqet nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Kjo reformë ka për qëllim organizimin sa më të mirë dhe sa më racional të administratës publike, rritjen e shpejtësisë së ekzekutimit të veprimeve dhe shërbimeve, rritjen dhe promovimin e efikasitetit, e efektivitetit institucional dhe vendosjen e vijave të qarta të llogaridhënies ndërmjet agjencive dhe ministrive”, tha ai.

​Arrestimi i Raduloviqit, Kurti: Serbia synon destabilizimin, institucionet tona të sigurisë po japin rezultate

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të hënën se Serbia nuk është tërhequr nga përpjekjet destabilizuese, porse prania e institucioneve të sigurisë po sjell rezultate.

Kështu tha kreu i ekzekutivit në mbledhjen e Qeverisë, teksa mirëpri arrestimin e Stefan Raduloviqit, i dyshuar për sulmin terrorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën dy të tjerë.

Kurti: Mirëpresim arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë

“Me vendosmëri, angazhim e sakrificë, në qeverisjen tonë edhe në këto ditë të mandatit të tretë kemi shpartalluar bandat kriminale paraushtarake që shërbenin si struktura paralele ilegale në veri. Kemi shtrirë sovranitetin, kemi vendosur rend e ligj, përkundër mosbesimit. Fqinji ynë verior nuk është tërhequr nga përpjekjet destablizuese, por prania vigjilente e shtetit po sjell rezultate.

Përshëndesim aksionet e institucioneve tona të sigurisë që gjetën e konfiskuan armatim në lokacione të ndryshme. Mirëpresim arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë. Drejtësia bëhet e plotë vetëm kur Milan Radoiçiq vihet para drejtësisë në Kosovë. Se luftimi i krimit të organizuar është pakompromis dëshmojnë edhe aksionet e suksesshme anti-drogë në Pejë, e ato anti-bixhoz në disa qytete të vendit tonë”, tha ai.

Qeveria shpall si organizatë terroriste organizatën e Trupave të Gardës Revolucionare Islamike

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për shpalljen e Organizatës së Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim synon forcimin e bazës ligjore dhe strategjike të vendit në raport me sigurinë ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit.

“Ky propozim vendim paraqet bazën ligjore dhe strategjike për shpalljen e trupave të Gardës Revolucionare Islamike si organizatë terroriste në Republikën e Kosovës.

IRGC-jq është identifikuar si një strukturë që përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global.

Përmes këtij vendimi, Kosova forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Është një pozicion i qartë i Kosovës dhe të aleatëve të saj në luftën e përbashkët në luftën kundër terrorizmit”, tha Kurti.

​Qeveria emëron kryesuesin e bordit të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës”

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës Sh.A.

Kryesues i këtij bordi u emërua Shaban Neziri.

Neziri u propozua nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti: Për kryesues të këtij bordi propozohet Shaban Neziri

“Për kryesues të këtij bordi propozohet Shaban Neziri”, tha ai.

​Ekzekutivi miraton projekt-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për të huajt

Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 09/2019 për Integrimin e të Huajve.

Ky plotësim ndryshim, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka për qëllim mundësimin e zgjatjes së afatit të strehimit elementar për personat me status refugjati, me status të mbrojtjes plotësuese dhe personat me mbrojtje të përkohshme përtej periudhës dy vjeçare.

Ai tha se ndryshimi është bërë për shkak të vështirësive të integrimit të këtyre personave edhe pas përfundimit të afatit aktual dyvjeçar.

Qeveria miraton projekt-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për të huajt

“Ky plotësim-ndryshim rregulloreje ka për qëllim mundësimin e zgjatjes së afatit të strehimit elementar për personat me status refugjati, personat me status të mbrojtjes plotësuese, si dhe personat me mbrojtje të përkohshme përtej periudhës dy-vjeçare. Sipas rregullores në fuqi, këtyre kategorive u sigurohet strehim elementar deri në dy vite. Megjithatë, praktika ka dëshmuar se një numër i konsiderueshëm i këtyre personave, edhe pas përfundimit të këtij afati, nuk kanë arritur të integrohen plotësisht, çka ka krijuar nevojën e ndryshimit të kësaj dispozite dhe zgjatjen e afatit të strehimit”, tha ai.

​Kosova dhe Shqipëria me tjetër hap të rëndësishëm për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar Projektligji për ratifikimin e marrëveshjeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qëllimi i marrëveshjeve ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë është sigurimi i organizimit të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për realizimin e këtij projekti madhor.

Kurti: Qëllimi i kësaj marrëveshje është sigurimi i organizimit të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është sigurimi i organizimit të suksesshëm të Lojërave Mesdhetare përmes një kornize të qartë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve ku Kosova vepron si shtet mikpritës ndërsa Shqipëria në rolin e partnerit për organizimin e disiplinës së lundrimit në Durrës. Përmes këtij bashkëpunimi sigurohet realizimi i plotë i detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e qytetit mikpritës dhe dokumentet përkatëse ndërkombëtare. Ky projekt përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rritjen e profilit ndërkombëtarë Kosovës dhe për zhvillimin e sportit dhe të ekonomisë. Në thelb është një iniciativë strategjike që forcon bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha Kurti.

​Qeveria miraton tri protokollet e CEFTA-s

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjet për ratifikimin e tri protokolleve shtesë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), përfshirë Protokollin Shtesë 6 për tregtinë në shërbime, Protokollin Shtesë 5 për aderimin dhe amendamentimin e marrëveshjes, si dhe Protokollin Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se miratimi i këtyre protokolleve përbën një arritje të madhe për vendin, duke përmendur se për herë të parë do miratohen pa përfshirjen e UNMIK-ut.

Kusari: Është hera e parë që protokollet e CEFTA-s do të miratohen në Kuvend pa UNMIK-un

“Kjo është një arritje shumë e madhe e Republikës së Kosovës, është hera e parë që protokollet e CEFTA-s do të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si Republikë e Kosovës, pa UNMIK-un.

Kjo është bërë falë një pune intensive edhe të qeverisë Kurti 2, e gjithashtu tashmë kemi arritur në fazën ku protokollet 5, 6 dhe 7, si protokoll shtesë për të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, kanë trajtimin e barabartë në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s. Ministria në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në fushën e tregtisë, ka zhvilluar nismat për negocimin e këtyre tre protokolleve”, tha ajo.

Kurti: Komisioni Evropiani nis transferimin e mjeteve në vlerë 61 milionë euro për Planin e Rritjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kompromis për presidentin, duke thënë se duhet vullnet për zgjidhje e vendime jo të lehta.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se shkuarja në zgjedhje nuk është opsion për vendin.

Kurti paralajmëron kompromis për presidentin

“Kemi hyrë në pjesën e fundit të muajit prill, dhe para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje unë besoj që nuk është opsion, e zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese. Kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis, dhe vendime jo të lehta. Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se fiton 80 deputetë, andaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve, dhe nga ato pozicione të zhvillohen bisedime të sinqerta, me interesin për vendin tonë... Qytetarët votuan për 4 vjet, dhe në përputhje me vullnetin e tyre do ta sjellim për miratim programin qeverisës 2026-2030”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për nisjen e transferimit të mjeteve të fondeve nga Plani i Rritjes. Ai tha se këto mjete do të investohen direkt në projekte.

Kurti: Komisioni Evropiani nis transferimin e mjeteve në vlerë 61 milionë euro për Planin e Rritjes

“Pas miratimit dhe ratifikimit në Kuvend, Komisioni Evropiani nis transferimin e mjeteve në vlerë 61 milionë euro për Planin e Rritjes. Në buxhetin e shtetit janë bartur 28 milionë euro në formë kredie, e pjesa tjetër 33 milionë euro do të kalojë me kornizë. Krahas mbështetjes direkte buxhetore, këto mjete do të investohen direkt në projekte. Në hapin e radhës pas përmbushjes së disa reformave, përfitojmë rreth 90 milionë euro, por duhet të miratohen disa ligje që kemi proceduar, e do t’i procedojmë sot”, tha ai.

Tutje Kurti përmendi edhe miratimin në shqyrtimin e parë të Projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme.

E sipas tij me të merr fund parulla “rroga e vogël, fitimi i madh”.

Kurti: Byroja do të bëhet, me të merr fund parulla “rroga e vogël fitimi i madh”

“Miratimi në shqyrtim të parë i Projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë padyshim përbën një lajm shumë të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Por, që institucioni përkatës të jetësohet e të nis punën është i domosdoshëm miratimi në shqyrtim të dytë, e dimë që emri i Ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, të mbështjellura si ankesë në Kushtetuese, por ne nuk do të ndalemi. Do ta jetësojmë këtë zotim, Byroja do të bëhet, me të merr fund parulla “rroga e vogël fitimi i madh”. E kemi thënë edhe më herët, pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme nuk është as private as legjitime”, tha Kurti.

Fund parullës “rroga e vogël, fitimi i madh”, Kurti flet për miratimin e Projektligjit për Byronë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin në shqyrtim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend.

Kurti theksoi se funksionalizimi i kësaj byroje është i domosdoshëm dhe kërkon miratimin e ligjit edhe në lexim të dytë në Kuvend.

“Miratimi në shqyrtim të parë i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,padyshim që përbën lajm të mirë për vendin tonë dhe drejtësinë. Që Byroja të jetësohet dhe të nisë punën, është e domosdoshme që ky ligj të miratohet edhe në lexim të dytë”, deklaroi Kurti.

Ai pranoi se Projektligji ka hasur në kundërshtime të mëdha, përfshirë edhe ankesa në Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por nënvizoi se Qeveria nuk do të ndalet në rrugën e saj.

“E dimë që emri i ligjit ka trazuar shumëkënd, prandaj kundërshtimet kanë qenë të mëdha, madje edhe të mbështjella si ankesa në Gjykatën Kushtetuese. Vazhdojnë të jenë ende të mëdha, por ne nuk mund dhe nuk do të ndalemi”, u shpreh ai.

Kryeministri shtoi se themelimi i kësaj byroje do të shënojë fundin e praktikave të paligjshme të pasurimit.

“Do ta jetësojmë këtë zotim, Byroja do të bëhet sepse me të përfundimisht merr fund ajo parolla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as legjitime, sepse ajo kurrë nuk është fituar”, përfundoi Kurti.

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në parim të premten e kalaur. Për të kanë votuar 81 deputetë, por vërejte për përmbajtjen e tij kanë dhënë deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së.

Kurti kundër zgjedhjeve të reja: Zgjedhja e presidentit, detyrim kushtetues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit gjatë mbledhjes së Qeverisë, duke theksuar se vendi po i afrohet një afati kushtetues dhe se nevojitet vullnet politik për zgjidhje.

Kurti u shpreh se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë zgjidhje në këtë fazë.

“Para vetes kemi një afat kushtetues që po afron. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare unë besoj se nuk është opsion", tha ai.

Ai theksoi se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

“Zgjedhja e presidentit është detyrë kushtetuese e të zgjedhurve të popullit, kjo kërkon vullnet për zgjidhje, gatishmëri për kompromis dhe vendime jo të lehta,” u shpreh Kurti.

Kryeministri shtoi se asnjë parti nuk ka fuqinë për të siguruar shumicën e cilësuar e vetme, duke bërë thirrje për bashkëpunim politik.

“Ne e dimë që nuk ka parti që mund të pretendojë se i fiton 80 e më shumë deputet, ndaj duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve dhe nga këto pozicione të zhvillohen diskutime të sinqerta e të arsyeshme në interesin më të mirë për vendin tonë", tha Kurti.

Ai theksoi se institucionet kanë nevojë për stabilitet, veçanërisht në kohën e zhvillimeve gjeopolitike.

“Shteti ka nevojë për stabilitet institucional, veçmas në këtë kohë të trazuar nga zhvillimet dhe tensionet gjeopolitike.”

Kurti paralajmëroi se një cikël i ri zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha, por vetëm vonesa dhe kosto shtesë financiare.

“Një cikël i ri zgjedhor nuk sjell ndryshime të mëdha në rezultat, por mund t’i vonojë punët e mira dhe të krijojë shpenzime të tjera të panevojshme, duke filluar nga së paku 10 milionë euro për KQZ,” deklaroi ai.

Sipas tij, zgjidhja duhet të reflektojë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e fundit dhe të garantojë stabilitet institucional në vend.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat