Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, Konjufca: Është koha që Kosova të nisë negociatat për anëtarësim në BE

Aktuale

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, Konjufca: Është koha që Kosova të nisë negociatat për anëtarësim në BE

Më: 11 maj 2026 Në ora: 07:37 Përditësuar në ora: 14:39 më 11.05.2026
Glauk Konjufca

Konjufca: Serbia e ka goditur Kosovën në mirëbesim

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i brishtë për shkak të mungesës së mirëbesimit, duke akuzuar Serbinë për veprime që, sipas tij, cenojnë sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës. Deklaratat ai i bëri pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të kryesuar nga Kaja Kallas.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se problemi më i madh në dialogun Kosovë-Serbi mbetet mungesa e mirëbesimit, duke akuzuar Serbinë për sulme të drejtpërdrejta ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Konjufca ka përmendur sulmin në Banjskë dhe atë në kanalin e Iber-Lepencit, duke thënë se lidhjet e grupeve të përfshira me institucionet serbe janë të drejtpërdrejta.

“Si mund të ulemi me një palë e cila, derisa ne ulemi në tavolinën e dialogut, prapa shpinës organizon aksione që e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, ka deklaruar Konjufca.

Duke komentuar deklaratat e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, se zgjedhjet në Kosovë po shkaktojnë vonesa në dialog, Konjufca tha se kjo nuk është përgjegjësi e Kosovës.

Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet të kuptohen si pjesë e demokracisë dhe e kapaciteteve tona shtetërore”, është shprehur ai.

Sipas tij, situata politike po ndikon edhe në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Kosovën, pasi një pjesë e marrëveshjeve kërkojnë funksionalizimin e Kuvendit.

Konjufca është shprehur skeptik për ndonjë përparim të shpejtë në dialog, duke theksuar se edhe Serbia pritet të hyjë në proces zgjedhor deri në fund të vitit.

“Nuk pres ndonjë iniciativë në këta muaj të këtij viti. Të shohim në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat”, ka deklaruar ai.

Ai ka kërkuar gjithashtu që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk mund të konsiderohet i plotë pa Kosovën.

Konjufca: Është koha që Kosova të nisë negociatat për anëtarësim në BE

Ministri i Jashtëm Glauk Konjufca, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian një qasje më të drejtë dhe të barabartë ndaj Kosovës, duke theksuar se vendi është i gatshëm të avancojë drejt integrimit evropian përmes një procesi të bazuar në merita.

Nga Brukseli, Konjufca bëri thirrje që Kosovës t’i hapet rruga për statusin e vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Para takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së me përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, ai deklaroi se Kosova ka përmbushur detyrimet e saj dhe pret hapa konkretë nga Brukseli. Sipas tij, pyetësori i BE-së duhet të jetë hapi i parë drejt procesit të kandidimit.

Ai theksoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një çështje politike, por edhe strategjike, për shkak të ndikimit të Rusisë në rajon.

Konjufca paralajmëroi se ndikimi rus vazhdon të cenojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Evropën, duke e bërë edhe më të rëndësishëm një BE të bashkuar dhe të zgjeruar.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai ritheksoi se Prishtina mbetet konstruktive në proces, por nënvizoi se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, transmeton Klankosova.tv.

Konjufca u shpreh optimist se në muajt e ardhshëm mund të ketë zhvillime konkrete në raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, BE-ja diskuton sot me vendet e Ballkanit

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jetë një nga temat kryesore në takimin e ministrave të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet sot në Bruksel.

Bashkimi Evropian synon ta rikthejë në fokus procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, në një kohë kur dialogu ka mbetur i bllokuar për muaj të tërë.

Takimi i fundit në nivel të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte mbajtur në shtator të vitit 2023, ndërsa që nga atëherë nuk ka pasur përparim konkret në procesin e dialogut.

Sipas raportit, mungesa e takimeve gjatë vitit 2025 është arsyetuar me zhvillimet politike të brendshme në të dyja vendet.

Në Serbi, situata është ndikuar nga protestat pas tragjedisë në Novi Sad, ndërsa Kosova është përballur me krizë institucionale dhe zgjedhje të parakohshme.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila mori detyrën në fund të vitit 2024, ende nuk ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë mes palëve në kuadër të dialogut.

Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë nga Kosova dhe Serbia angazhim më të madh për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për vazhdimin e procesit të normalizimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat