Rasti i Sami Lushtakut në procedurë të rregullt
Kryetari i komunës së Skenderajt Sami Lushtaku u lirua në procedurë të rregullt, pas intervistimit në lidhje me incidentin e djeshëm me kryetarin e degës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili tha se Lushtaku e ka sulmuar fizikisht atë.
Lajmin për lirimin e Lushtakut në procedurë të rregullt e konfirmoi Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
"Intervistimi i S.L. është kryer. Rasti ka shkuar në procedurë të rregullt. Hetimet për rastin vazhdojnë", bëri të ditur Prokuroria.
Para Stacionit të policisë këtë pasdite ishin mbledhur qytetarë të shumtë në përkrahje të Sami Lushtakut.
Para intervistimit, Sami Lushtaku, në një postim për incidentine e djeshëm, tha se ‘’si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë’’.
Lushtaku shkroi edhe se ai i respekton institucionet për të cilat, ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë luftuar.
‘’Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës’’, ka shkruar ai.
Postimi:
Unë i përgjigjem Republikës, kombit dhe Zotit.
Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë.
I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka.
Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.
Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!