Qasja në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e drejtë themelore dhe universale e njeriut, prandaj autoritetet vendore duhet ta trajtojnë në mënyrë më të rreptë krimin mjedisor në Kosovë.
Kështu u tha sot në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, kur Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me organizatën joqeveritare EcoZ, organizoi një diskutim mbi raportin “Hartëzimi dhe vlerësimi paraprak i shkallës dhe lokacionit të deponive ilegale të mbeturinave në Kosovë”.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, zbatimit të ligjit, mbrojtjes së mjedisit dhe shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi sfidat dhe nevojën për një qasje më të koordinuar në luftimin e krimit mjedisor.
Sipas EULEX-it, diskutimi u fokusua në trajtimin e hedhjes së paligjshme të mbeturinave jo vetëm si çështje e menaxhimit të mbeturinave, por edhe si vepër që cenon mjedisin dhe kërkon hetim e ndjekje penale nga institucionet kompetente.
Në panel morën pjesë Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, drejtoresha ekzekutive e EcoZ, Egzona Shala Kadiu, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vucetaj, udhëheqësi i Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, Fadil Haliti, udhëheqësi i Divizionit për Gjendjen e Mjedisit në Agjencinë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit, Tafë Veselaj, si dhe drejtoresha për Planifikim dhe Zhvillim në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave të Kosovës, Linda Çavderbasha.
Gjatë diskutimit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e deponive ilegale dhe formave të tjera të krimit mjedisor, duke vlerësuar se një qasje e koordinuar mes autoriteteve, sektorit të menaxhimit të mbeturinave dhe shoqërisë civile është thelbësore për mbrojtjen e mjedisit.
EULEX theksoi se mbështetja e institucioneve të Kosovës në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore mbetet pjesë e angazhimit të tij të vazhdueshëm, ndërsa u rikujtua se qasja në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e drejtë themelore dhe universale e njeriut.
Raporti i prezantuar gjatë aktivitetit synon të ofrojë një pasqyrë më të qartë mbi përmasat dhe shpërndarjen e deponive ilegale në Kosovë, duke shërbyer si bazë për veprime konkrete në mbrojtje të mjedisit dhe restaurimin e natyrës.