​Fetoshi: Nga Tivati në Mitrovicë, Serbia po vazhdon operacionet kundër integritetit zgjedhor në Kosovë

Aktuale

​Fetoshi: Nga Tivati në Mitrovicë, Serbia po vazhdon operacionet kundër integritetit zgjedhor në Kosovë

Më: 5 qershor 2026 Në ora: 16:42
Arben Fetoshi

Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka thënë se Serbia edhe njëherë u përpoq të nxisë tensionet para zgjedhjeve në Kosovë, dhe siç vlerëson ai, këtë e bëri sot kur Lista Serbe, gjegjësisht kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut tenstoi të mgjyroste mbishkrimin “I love Mitrovica”, që ishte vendosur nga udhëheqja e kaluar në këtë komunë.

Përmes një reagimi në Facebook, Fetoshi ka thënë se Serbia po vazhdon operacionet e saj kundër integritetit zgjedhor në Kosovë, duke i lidhur zhvillimet e fundit në veri të vendit me ngjarjet që paraprinë samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.

Në një reagim publik me titull “Nga Tivati në Mitrovicë”, Fetoshi ka thënë se skenari i dështuar i Serbisë për ta lënë në hije samitin në Tivat ka vazhduar në veri të Mitrovicë me, siç ka thënë ai, provokime kundër simbolit “I❤︎ Mitrovica”, me qëllim të nxitjes së tensioneve para zgjedhjeve.

Sipas tij, plani për të dërguar në Tivat persona që do të cenonin sigurinë para samitit u pengua nga autoritetet malazeze, ndërsa pas këtij dështimi, tensionet u zhvendosën në veri të Kosovës.

Reagimi i tij i plotë:

NGA TIVATI NË MITROVICË

(Operacionet e Serbisë kundër agjendës së BE-së dhe integritetit zgjedhor në Kosovë)

Skenari i dështuar i Serbisë për ta lënë në hije samitin BE-Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat të Malit të Zi, ka vazhduar sot në veri të Mitrovicës me provokimin kundër simbolit të paqes dhe integrimit (I❤︎ Mitrovica), për të nxitur destabilizim para zgjedhjeve.

Plani i djeshëm për zbarkim në Tivat me 87 ‘mercenarë’ që do ta kërcënonin sigurinë para samitit, u pengua nga autoritetet malazeze, duke i kthyer ata në Serbi, prandaj “duhej” vazhduar me tensione në veri, për shkak të qëllimit minues ndaj zgjedhjeve.

Përpjekjet e Serbisë për ndërhyrje rajonale reflektojnë agjendën e integrimit euro-atlantik me Republikën e Kosovës si faktor i rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë.

Për këtë arsye, Aleksandër Vuçiq orkestroi “mbështetjen” nga Maqedonia e Veriut me mesazhe nacionaliste kundër Kosovës, artikuloi qartë objektivin për ta kontrolluar votën e çdo serbi në Kosovë përmes Listës Serbe dhe planifikoi sabotimin e BE-së në Tivat, për ta sfiduar Podgoricën si aleate të NATO-s.

Pas dështimit në Mal të Zi dhe viktimizimit të zakonshëm me “diskriminim”, BIA aktivizoi provokimin në veri duke përfshirë Milan Radojeviqin e Ivan Zaporozhcin, me qëllim të mobilizimit emocional, përmes një simboli të kornizuar nga propaganda dhe strukturat serbe si “sulm ndaj identitetit” të tyre apo si veprim për “shqiptarizimin” e veriut.

Pamja e kësaj strategjie të Serbisë bëhet edhe më e qartë kur samiti në Tivat dhe konsolidimi i Kosovës vendosen në kontekstin e projektit për “Botën Serbe”.

Nisma e shpallur në prag të samitit nga Macron dhe Merz për ta përshpejtuar integrimin e rajonit në BE dhe propozimi në SHBA për anëtarësimin e Kosovës në NATO, janë mesazhe strategjike që pamundësojnë synimet hegjemoniste të Serbisë.

Nga ana tjetër, arrestimi i “sekserëve” për votat e Listës Serbe zvogëlon hapësirën e ndërhyrjeve të saj për kontroll absolut mbi qytetarët serbë, që të mund ta përdorë si një “argument” të narrativës së “terrorit e represionit”.

Në një situatë të tillë, orkestrimi i një krize të re në veri duke mobilizuar punonjësit e strukturave ilegale të arsimit e shëndetësisë, është një operacion hibrid që ka për qëllim ta cenojë rendin dhe integritetin e procesit të zgjedhjeve më 7 qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat