LIVE: KQZ mbylli rinumërimin e 185 vendvotimeve, pret përfundimin e afateve të ankesave

Aktuale

LIVE: KQZ mbylli rinumërimin e 185 vendvotimeve, pret përfundimin e afateve të ankesave

Nga: Bota sot Më: 7 qershor 2026 Në ora: 08:33 Përditësuar në ora: 09:02 më 20.06.2026
Qendra e Numërimit të votave

Elezi: KQZ po pret përfundimin e afateve të ankesave

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është teknikisht i gatshëm të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Ai tha se para shpalljes së rezultateve duhet të pritet nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit në QNR.

Sipas tij, afati për ankesa pas ditës së fundit të numërimit ka përfunduar të premten.

Elezi theksoi se KQZ do të presë gjithashtu nëse ka ankesa për rinumërimin e përmbyllur më 19 qershor në ora 12:00.

"Para shpalljes së rezultateve, si zakonisht, KQZ do të kërkojë konfirmim nga PZAP nëse ka ndonjë ankesë që është në shqyrtim", tha Elezi.

Ai shtoi se para shpalljes së rezultateve, KQZ kërkon konfirmim nga PZAP për ndonjë ankesë në shqyrtim.

KQZ mbylli rinumërimin e 185 vendvotimeve, pret përfundimin e afateve të ankesave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten ka përfunduar rinumërimin e 185 vendvotimeve për të cilat ishte marrë vendim për rinumërim, duke mbyllur kështu të gjitha aktivitetet e numërimit për zgjedhjet e 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sdeklaroi se institucioni është teknikisht i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare, por paraprakisht duhet të përfundojnë afatet ligjore për paraqitjen e ankesave dhe të merret konfirmimi nga PZAP nëse ka raste në shqyrtim.

Vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave dhe konfirmimit nga PZAP-ja, KQZ-ja pritet të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Përfundon rinumërimi i votave për zgjedhjet e 7 qershorit: Çka tash?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar rinumërimin e 185 vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se ky institucion teknikisht është gati të shpallë rezultatet përfundimtare, por sipas ligjit, duhet fillimisht të konsumohet afati prej 48 orësh që palët kanë për të dorëzuar ankesat eventuale për rinumërimin që përfundoi.

Ky afat nis nga ora 12:00 e së premtes. Në rast se ka ankesa, ato më pas shqyrtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.

Rinumërimi u bë me vendim të KQZ-së bazuar në Rregullore zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, që synon të adresojë problemet eventuale dhe për t’u siguruar që numërimi është zhvilluar me saktësi.

Elezi tha se do të përpilohet një raport me gjetje të detajuara gjatë procesit të rinumërimit.

Sa mandate fituan partitë?

Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka fituar 42.96 për qind të votave dhe pritet të ketë 53 ulëse në Kuvendin prej 120 anëtarësh. Ky është numër më i vogël i deputetëve, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e Kurtit kishte fituar 57 mandate.

Subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 21.13 për qind të votave të fituara dhe në legjislaturën e 11-të pritet të ketë 22 deputetë – po aq sa kishte edhe në legjislaturën paraprake.

Lidhja Demokratike e Kosovës është forca e tretë me 17.60 për qind apo 18 deputetë – nga 15 deputetë sa kishte në dhjetor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, apo një më shumë se në dhjetor.

Ndarja e mandateve në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit

Nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, sipas rezultatit preliminar, i ka fituar Lista Serbe, që mbështetet nga Beogradi zyrtar. Ndërkaq, një mandat ka fituar partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Nga komunitetet joshumicës serbe, KDTP-ja ka fituar dy mandate dhe nga një kanë fituar koalicioni Vakat, IRDK-ja, SDU-ja, NDS-ja, PSA-ja, PLE-ja, PREBK-ja dhe JGP-ja.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, dalja ishte 37 për qind, gjë që paraqet një rënie në pjesëmarrje krahasuar me rreth 45 për qind, sa ishte dalja në zgjedhjet e dhjetorit.

Çfarë do të ndodhë më pas?

Pasi rezultatet të jenë shpallur, më pas duhet të certifikohen nga KQZ-ja dhe vetëm pas kësaj, zyrtarisht hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja.

Deputetët e rinj kanë tri punë të rëndësishme përpara: konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit të ri.

Përderisa për dy të parat kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash – dhe LVV-ja mund t’i bëjë numrat së bashku me pakicat joserbe – për presidentin duhen dy të tretat e votave.

Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pikërisht për shkak të dështimit të deputetëve që të zgjedhin pasardhësinë e Vjosa Osmanit brenda afatit kushtetues, pasi ish të parës së vendit i përfundoi mandati në prill.

Nga LVV-ja kanë thënë se pas certifikimit të rezultateve do të bisedojnë me partitë opozitare për krijimin e institucioneve, ndërkaq nga partitë ish-opozitare është vënë theksi te një marrëveshje politike për tejkalimin e ngërçit.

Muaj më parë, bisedimet për çështjen e presidentit dështuan dhe në atë kohë LVV-ja kishte paraqitur disa oferta për LDK-në dhe PDK-në, por që u konsideruan të papranueshme nga këto dy subjekte.

Kurti ka deklaruar se shpreson që këtë herë situata të jetë ndryshe sa i përket bisedimeve për çështjen e presidentit.

“Ju e dini që në këtë pranverë, si Qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar”, ka deklaruar ai ditë më parë.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.

KQZ tregon kur përfundon rinumërimi

Mëngjesin e sotëm në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve.

Gjatë ditës së parë të rinumërimit janë përfunduar 176 nga gjithsej 185 vendvotime për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur rinumërimin.

Pjesa e mbetur, 9 vendvotime, pritet të rinumërohen gjatë paradites së sotme, me ç’rast do të përmbyllet edhe procesi i rinumërimit sipas vendimit të KQZ-së.

Sipas këtij vendimi, 185 vendvotimet e rinumëruara përbëjnë 7.41% të gjithsej 2,498 vendvotimeve të rregullta ku është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026, bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Vendimi i KQZ-së mbështetet në Rregulloren Zgjedhore për funksionimin e QNR-së. Në këtë akt nënligjor parashihet që, pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në QNR, KQZ të vlerësojë situatën dhe sipas nevojës të vendosë për rinumërim. Kjo masë kontrolli është paraparë për të adresuar problemet e evidentuara në disa Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, me qëllim sigurimin e saktësisë së procesit”, tha Elezi.

Sipas komunave, vendvotimet e rinumëruara ndahen si më poshtë: Deçan (4), Gjakovë (10), Gllogoc/Drenas (5), Gjilan (9), Dragash (4), Istog (4), Kaçanik (3), Klinë (5), Fushë Kosovë (5), Kamenicë (3), Mitrovicë e Jugut (7), Leposaviq (2), Obiliq (3), Rahovec (5), Pejë (9), Podujevë (7), Prishtinë (18), Prizren (16), Skënderaj (5), Shtime (3), Shtërpcë (2), Suharekë (6), Ferizaj (10), Viti (5), Vushtrri (6), Zubin Potok (2), Zveçan (2), Malishevë (5), Junik (1), Mamushë (1), Hani i Elezit (1), Graçanicë (3), Ranillug (1), Partesh (1), Kllokot (2) dhe Mitrovicë e Veriut (2).

KQZ drejt përmbylljes së rinumërimit, mbesin edhe 9 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të vendvotimeve të rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon dhe është drejt përfundimit.

Sipas përditësimit të fundit nga KQZ, deri më tani janë rinumëruar 176 nga gjithsej 185 vendvotime, ndërsa kanë mbetur edhe 9 të tjera për t’u përmbyllur.

Nga KQZ kanë bërë të ditur se pjesa e mbetur e procesit pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Procesi i rinumërimit kishte nisur në mëngjesin e së enjtes dhe përfshin në total 185 vendvotime të rregullta, që përbëjnë 7.41% të gjithsej 2,498 vendvotimeve ku është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026. 

Pas dyshimeve për votimin nga diaspora, KQZ jep sqarime të detajuara për procesin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me organizimin e votimit jashtë Kosovës, veçanërisht procesin e votimit përmes postës, duke theksuar se të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe me masa të shtuara sigurie.

Në një sqarim të detajuar, KQZ bëri të ditur se, në zbatim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe organizimin e votimit si në përfaqësitë diplomatike, ashtu edhe përmes postës.

Sipas KQZ-së, procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora ka përfshirë mekanizma të veçantë verifikimi, përfshirë fotografimin në kohë reale të aplikuesit me dokument identifikimi, si dhe dërgimin e një dëftese unike regjistrimi në adresën elektronike të secilit votues.

Institucioni zgjedhor ka theksuar se për votimin fizik janë hapur 30 qendra votimi në ambasada dhe konsullata, ndërsa për votimin me postë janë vendosur kuti postare në 22 shtete të ndryshme të botës.

KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se, për të rritur sigurinë e procesit, në dy proceset e fundit zgjedhore votuesve u janë dërguar fletëvotime të shtypura nga vetë institucioni, të pajisura me elemente sigurie të ngjashme me ato që përdoren në vendvotimet brenda Kosovës.

Në reagim sqarohet edhe procedura e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare jashtë vendit. Sipas KQZ-së, zyrtarët e autorizuar të përfaqësive diplomatike kanë kryer tërheqjen e zarfeve, të cilat më pas janë evidentuar, vulosur me lidhëse sigurie dhe janë dërguar në Kosovë përmes postës diplomatike.

Pas mbërritjes në Kosovë, zarfet i janë nënshtruar procesit të verifikimit dhe vlerësimit në prani të vëzhguesve të akredituar. KQZ thekson se gjatë hapjes së thasëve dhe shqyrtimit të zarfeve nuk është evidentuar asnjë parregullsi.

“Vëzhguesit e organizatave të akredituara dhe të subjekteve politike kanë qenë të pranishëm pothuajse gjatë gjithë procesit dhe nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje”, thuhet në njoftim. Në fund, KQZ ka nënvizuar se procesi i votimit përmes postës, tërheqja e pakove, verifikimi dhe numërimi i votave janë zhvilluar me transparencë të plotë dhe se deri më tani nuk është paraqitur asnjë ankesë zyrtare apo vërejtje nga vëzhguesit e akredituar lidhur me këto procedura.

KQZ përditëson rezultatet: 169 nga 185 vendvotime të procesuara

Nga: A.M.

Me 95.48% të vendvotimeve të procesuara (169 nga gjithsej 185), tabloja e rezultatit zgjedhor po merr formë më të qartë, duke konfirmuar një epërsi të qëndrueshme të Lëvizjes Vetëvendosje në krye të garës, ndërsa partitë opozitare mbeten në një distancë të konsiderueshme, por me diferenca të ngushta mes tyre.

Sipas përditësimit të fundit të datës 18.06.2026 në orën 22:41, rezultatet e subjekteve kryesore politike paraqiten kështu:

Lëvizja Vetëvendosje – 36.79% (8,876 vota)

Partia Demokratike e Kosovës – 18.19% (4,388 vota)

Lidhja Demokratike e Kosovës – 16.07% (3,878 vota)

Srpska Lista – 12.72% (3,069 vota)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 8.05% (1,942 vota)

Koalicija Vakat dhe subjektet tjera mbeten me përqindje më të ulëta të votave.

​Rinumërohen 102 nga 185 vendvotimet, pritet të kryhet brenda dy ditësh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 102 nga 185 vendvotimet e përcaktuara për rinumërim, që nisi në mëngjesin e sotëm dhe pritet të përfundojë brenda dy ditësh.

“Nga fillimi i këtij procesi, të enjten në mëngjes dhe deri më tani (e enjte, 18 qershor, ora 16:00), janë rinumëruar 102 vendvoitme nga 185 sosh.

Sipas vendimit të KQZ-së, do të rinumërohen fletëvotimet e 185 vendvotimeve të rregullta, të cilat paraprakisht janë numëruar në Qendrat Komunale të Zgjedhjeve.

Ky numër përbën 7.41% të vendvotimeve nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta në të cilat është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Numri i vendvotimeve që do të rinumërohen sipas komunave: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Poduejevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skëndera (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

Procesi i rinumërimit: ja si renditen partitë deri tani

Nga: A.M.

Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave, gjatë ditës së sotme ka filluar procesi i rinumërimit të mbi 7% të vendvotimeve të cilat janë caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Deri tani, janë rinumëruar 73 kuti ose 85,88% e votave që janë përcaktuar për rinumërim, përcjell “Bota sot”.

Këto janë rezultatet aktuale që dalin nga rinumërimi:

Lëvizja Vetëvendosje – 32,88%

Partia Demokratike e Kosovës - 17,34%

Lidhja Demokratike e Kosovës – 16,07%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 12,41%

​Rinumërimi i votave, Elezi jep detaje

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur sot procesi i rinumërimit të fletëvotimeve të 185 vendvotimeve. Ky numër i vendvotimeve që do të rinumërohen është prej 2498 në total, apo 7.41% e tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se vendimi për t'u rinumëruar këto vendvotime është për tu siguruar që procesi i numërimit ka shkuar me saktësi, derisa thekson se ky proces do të përfundoj brenda dy ditësh.

Pse po rinumërohen votat?

"Arsyeja pse KQZ-ja ka vendosur që të rinumërohen këto vendvotime është për t'u siguruar nëse procesi i rinumërimit është zhvilluar me saktësi në qendrat komunale të numërimit. Domethënë, në procesin e rinumërimit do të përfshihen 185 vendvotime, vendvotimet e të cilave paraprakisht janë numëruar në qendrat komunale të numërimit gjatë ditëve të kaluara. Sipas dinamikës, e cila po zhvillohet këtu në QNR, besojmë që brenda dy ditësh do të përmbyllet rinumërimi i të gjitha këtyre vendvotimeve", tha Elezi.

Elezi tha se janë të gatshëm t'i shpallinrezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, por do të presin nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit të votave.

Elezi tregon kur mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

"Sa i përket çështjes së rezultateve, së pari Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm teknikisht që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 8 qershorit, por sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, duhet të presë nëse do të ketë ankesa lidhur me administrimin e numërimit nga dita e fundit e zhvilluar këtu në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, më konkretisht nga dita e djeshme, e mërkurë. Në versionin më të mirë, pra nëse nuk do të ketë ankesa, atëherë KQZ-ja siguron se mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare. Por, nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ-ja do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse, siç është rasti PZAP apo Gjykata Supreme, nëse çështja shkon deri në këtë institucion", tha tutje ai.

Në fund të procesit të rinumërimit do të përgatitet një raport i detajuar lidhur me gjetjet e evidentuara, e më pas do të i'u paraqitet anëtarëve të KQZ-së për shqyrtim e vendimmarrje dhe varësisht nga gjetjet e rekomandimet, KQZ do të vendosë për hapat e mëtejmë.

Numri i vendvotimeve që do të rinumërohen sipas komunave është si në vazhdim: Deçan (4 vendvotime, 8.33%); Gjakovë (10, 6.94%); Gllogoc/Drenas (5, 6.85%); Gjilan (9, 7.09%); Dragash (4, 7.02%); Istog (4, 6.67%); Kaçanik (3, 6.82%), Klinë (5, 8.06%); Fushë Kosovë (5, 8.06%); Kamenicë (3, 6.52%); Mitrovicë e Jugut (7, 7%); Leposaviq (2, 8%); Obiliq (3, 8.82%); Rahovec (5, 6.67%); Pejë (9, 6.67%); Podujevë (7, 6.80%) Prishtinë (18, 6.87%); Prizreni (16, 6.90%); Skënderaj (5, 7.04%), Shtime (3, 9.09%) Shtërpcë (2, 11.76%); Suharekë (6, 6.98%); Ferizaj (10, 6.85%); Viti (5, 8.06%); Vushtrri (6, 6.74%); Zubin Potok (2, 13.33%); Zveçan (2, 18.18%); Malishevë (5, 6.94%); Junik (1, 16.67%); Mamushë (1, 20%); Hani i Elezit (1, 9.09%); Graçanicë (3, 9.09%); Ranillug (1, 10%); Partesh (1, 14.29%); Kllokot (2, 25%) dhe Mitrovicë e Veriut (2, 9.52%).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat