Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor, duke theksuar se gjatë fushatës janë zhvilluar mijëra aktivitete, tubime dhe takime në të gjithë vendin.
Ai shprehu mirënjohje për qytetarët që i pritën dhe ndanë me të shqetësimet dhe nevojat e tyre, përcjell “Bota sot”
Kurti falënderoi gjithashtu të gjithë votuesit në Kosovë dhe mërgatë që morën pjesë në zgjedhje dhe shprehën vullnetin e tyre përmes votës.
Ai theksoi se puna për shtetin do të vazhdojë, pavarësisht se procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar.
Postimi i plotë
Për dhjetë ditë të fushatës kemi mbajtur mijëra aktivitete, tubime e takime cep më cep të Republikës sonë.
Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që na pritën krahëhapur dhe pa asnjë hezitim e me të cilët ndamë përvojat dhe nevojat që kanë për të ecur edhe më shumë përpara.
Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike, doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës.
Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt.
Ju faleminderit!