Ndërpritet gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut
Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut është ndërprerë përkohësisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të disa problemeve teknike.
Për këtë ka njoftuar Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale Krimet e “Luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.
Seanca po mbahej në mungesë të të pandehurve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata ende nuk ka njoftuar se kur do të vazhdojë seanca.
Nis sot gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Kosovë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet sot seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullsisë civile.
Me propozim të Prokurorisë Speciale, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nis sot procesi gjyqësor ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq, të akuzuar për veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile".
Sipas Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi do të zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit nuk janë arritur të lokalizohen deri në ngritjen e aktakuzës.
Gjykata u ka bërë thirrje publike të gjithë të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes penale të Republikës së Kosovës. Seanca e sotme shënon fillimin e një prej proceseve më të mëdha gjyqësore për krime lufte të zhvilluara nga drejtësia e Kosovës.