Abdixhiku e pranon ftesën e Kurtit, nesër në 18:00 takohen në Kuvend
Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të takohen nesër.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa konfirmoi se takimi do të zhvillohet në 18:00.
“Po, nesër në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ai.
PDK mbyll derën për koalicion me Kurtin: Qëndrojmë në opozitë
Partia Demokratike e Kosovës i është përgjigjur zyrtarisht ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim, duke ritheksuar se nuk do të jetë pjesë e shumicës qeverisëse dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.
Në letrën e siguruar, të nënshkruar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, thuhet se partia i referohet takimit të 10 korrikut dhe qëndrimeve të saj publike, duke konfirmuar se pozicioni i saj mbetet i pandryshuar.
“Në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”.
PDK shpreh gjithashtu pritjen që Albin Kurti, në përputhje me përgjegjësinë që buron nga rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, të arrijë marrëveshje me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend për krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Në këtë takim nuk do të marrë pjesë as Aleanca, pasi ajo insiston në ofertën e vet prej 6 pikash.
Aleanca refuzon takimin me Kurtin, kjo është ftesa që iu dërgua Ardian Gjinit
Aleanca nuk do të shkojë në takimin në të cilin i ftoi sërish sot kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kjo parti e ka refuzuar ftesën e Kurtit, sikurse herën e parë, merr vesh media.
Në ftesën dërguar Gjinit, Kurti i kërkon atij takim për nesër apo të mërkurën pasdite.
“I nderuar z. Ardian Gjini, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Uroj që kjo letër t’ju gjejë mirë. Meqë për ditën e enjte, më 6 gusht, e kemi seancën për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 11-të, ju ftoj për takim në Kryeministri, për të biseduar për rrugën përpara, në formatin 1+1, pra ju si kryetar dhe një bashkëpunëtor i juaji, nesër, të martën, në ora 18:00 ose 19:00, apo të mërkurën pasdite në 14:00, 15:00, 16:00 ose 17:00. Me shpresë në përgjigje pozitive, ju përshëndes. Sinqerisht, Albin Kurti”, thuhet në letrën e Kurtit.
Kurti fton Gjinin, Hamzën dhe Abdixhikun në takim para seancës së 6 gushtit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka dërguar ftesë për takim liderëve të partive politike, para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, të caktuar për 6 gusht.
Bëhet e ditur se në qendër të takimit do të jenë përpjekjet për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit, si dhe diskutimet për krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Dderi më tani, ftesa për takim të paraparë për ditën e martë u është dërguar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atij të Aleancës, Ardian Gjini.
Sipas të njëjtave burime, pjesë e agjendës pritet të jetë edhe çështja e formimit të Qeverisë së re dhe mundësitë për arritjen e një konsensusi politik.