LVV dhe LDK pa marrëveshje, Kurti e Abdixhiku zbulojnë çfarë u diskutua në takim

Aktuale

LVV dhe LDK pa marrëveshje, Kurti e Abdixhiku zbulojnë çfarë u diskutua në takim

Më: 4 gusht 2026 Në ora: 08:24 Përditësuar në ora: 23:02 më 04.08.2026
Albin Kurti

Abdixhiku: Për një marrëveshje të mirë, LDK i ka të gjitha votat e grupit parlamentar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia që ai drejton nuk do të japë mbështetje politike pa u arritur fillimisht një marrëveshje me substancë, duke theksuar se vetëm një marrëveshje e mirë do t’i siguronte të gjitha votat e LDK-së

Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se bisedimet janë ende në proces dhe se për këtë arsye nuk mund të japë më shumë detaj, teksa shtoi se për një marrëveshje të mirë politike, LDK i ka të 18-të votat.

Abdixhiku: Për një marrëveshje të mirë, LDK i ka të gjitha votat, për një jo të mirë, as votën time

“E kam thënë shpeshherë, për marrëveshje të mirë LDK-ja i ka të gjitha votat, për marrëveshje jo të mirë nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Pra, nuk mund të diskutoj për mbështetje politike pa pasur substancë. Fillimisht do të ndërtohet marrëveshja e më pas të prezantohet ajo marrëveshje dhe më pas do të flasim për aritmetikë, për numra, për mundësitë e realizimit e kështu me radhë. Në këtë përpjekje po përpiqemi për balancat sociale. Kërkoj falje që s’mund të jap më shumë detaje sepse jemi në proces diskutues dhe ju lutem që të kemi mirëkuptim për këtë çështje sepse po vazhdojmë tutje diskutimet”, tha Abdixhiku.

I pyetur nëse është arritur ndonjë pajtueshmëri me Lëvizjen Vetëvendosje, ai u përgjigj se çdo marrëveshje do të bëhet publike vetëm pasi të finalizohet.

Abdixhiku: Po sa të kemi pajtueshmëri të plotë, do ta zyrtarizojmë marrëveshjen me VV-në

“Posa të kemi pajtueshmëri të plotë për të gjitha çështjet, do ta shpallim këtë marrëveshje. Por ende jemi në proces e tutje, prandaj ju lutem për mirëkuptim. Mund të kemi takime në ditët në vijim, mund të presim konstituimin e Kuvendit, më pas i kemi 25 ditë apo sa duhet, 10 ditë dhe dy javë për mandatin e mandatarit para se të bëhet qeveria e re në vend, por sa më herët më mirë sepse sa më gjithëpërfshirëse, aq më mirë për të gjithë”, theksoi ai.

Abdixhiku u pyet edhe për çështjen e presidentit konsensual, ku tha se një president i tillë është ai që siguron mbështetjen e 80 deputetëve, duke shtuar se LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucione.

Abdixhiku: Presidenti konsensual është ai që i ka 80 vota në kuvend

“Tani, president konsensual gjykoj është secili president që i merr 80 vota. LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucionet e Kosovës për t’i pasur votat e veta”, u shpreh Abdixhiku.

Ndërkaq, i pyetur për deklaratën e Kurtit se marrëveshja politike nuk duhet ta përmbysë rezultatin zgjedhor, kreu i LDK-së tha se për këtë çështje ka pasur pajtueshmëri mes palëve.

Abdixhiku: S’kemi ide ta kontestojmë rezultatin zgjedhor, po përpiqemi t’ia japim më të mirën Kosovës

“Jo, jo. Kemi pasur dakordësi të plotë, njëra prej çështjeve bazike që marrëveshjet në tavolinë nuk e përmbysin rezultatin zgjedhor. Prandaj edhe ju thashë në fillim që ne s’kemi asnjë ide të kontestojmë rezultatin zgjedhor, po përpiqemi që brenda interesave të Republikës dhe rrethanave që jemi tani, t’i japim më të mirën për Republikën e Kosovës”, shtoi Abdixhiku.

Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora 10:00.

Kurti: Jam i gatshëm të takohem me Hamzen e Gjinin

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nënkryetarin e kësaj partie, Lutfi Haziri, dhe ish-presidenten Vjosa Osmani, nuk ka rezultuar me marrëveshje politike, por ka shërbyer për diskutimin e zhvillimeve aktuale dhe mundësive për bashkëpunim.

Ai paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

Duke folur për takimin me LDK-në, Kurti konfirmoi se nuk është arritur marrëveshje politike.

Kurti: S’ka marrëveshje me LDK-në

“Sa i përket takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me krerët e saj, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Pra, diskutuam për qasjet e ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, tha ai.

Ai paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një dakordim, zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme.

Kurti: Nëse s’kemi marrëveshje, zgjedhjet janë të pashmangshme

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Do të përpiqemi maksimalisht, do të vazhdojmë komunikimin dhe takimet, por ndërkohë që e bëjmë këtë, meqenëse janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe do të na duhet që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike në ditën e nesërme, pasnesër të jemi në fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së XI”, shtoi Kurti.

Kurti tha se është diskutuar për sfidat politike dhe institucionale të vendit.

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ka vullnet e zell për të punuar bashkë

“Në anën tjetër, unë isha bashkë me ministrin e Financave dhe anëtarin tonë të Kryesisë, Hekuran Murati. Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale, të sfidave të cilat na presin në aq shumë fusha për progresin që i nevojitet qytetarëve të Republikës dhe shtetit tonë. Me ç’rast, natyrisht, ndamë edhe shumë brenga që i kemi, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo natyrisht që është optimiste për të dy subjektet tona dhe besoj që është edhe një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe për qytetarët në përgjithësi”, tha Kurti.

Sipas tij, takimet ndërmjet partive politike duhet të jenë normale dhe jo të jashtëzakonshme.

Takimet me LDK-në s’janë lajm, mostakimet me partitë e tjera janë lajm

“Nuk mund të themi që takimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë ndonjë lajm tashmë në Kosovë. Është normale që ato të ndodhin. Unë besoj që takimet ndërmjet subjekteve politike nuk do të duhej në përgjithësi të ishin lajm, meqenëse pavarësisht a jemi në opozitë apo në qeverisje, ne duhet të takohemi, duhet të komunikojmë, duhet të bashkëpunojmë për ato për çfarë pajtohemi dhe duhet të synojmë të pajtohemi edhe për ato për të cilat nuk pajtohemi. Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë është që nuk arritëm të takohemi sërish me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zotëri Ardian Gjinin, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Gjakovës, përkundër përpjekjeve tona. Mendojmë që është e paarsyeshme që të mos takohemi e bisedojmë kur e dimë që politikanët në Kosovë, edhe vendorë, por edhe me diplomatët e politikanët ndërkombëtarë, takohen aq shumë e shpesh sa pothuajse secili me secilin, e tash të mos takohet vetëm kryeministri, përkatësisht unë, me kryetarin e një komune, përkatësisht kryetarin e AAK-së, Gjini, besoj që kjo është lajm sot në Kosovë”, tha ai.

Ai tutje shtoi se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së dhe atë të AAK-së.

Kurti: Jam i gatshëm të takohem me Hamzen e Gjinin

“Në anën tjetër, për dallim prej kryetarit të AAK-së, i cili u vetëpërjashtua para se të fillojë procesi i bisedimeve, e kemi një situatë tjetër gjithashtu jo të lehtë, për shkak se kryetari i PDK-së u vetëpërjashtua në fillim të procesit të bisedimeve. Zhvilluam vetëm një takim, unë besoj që duhet të takohemi edhe më tej. Kjo nuk u bë e mundur. Vullneti dhe gatishmëria ime, përveçse interesimi im, do të jenë gjithmonë aty. Pra, në një kohë të përshtatshme, në cilindo vend që zgjedhin ata, unë jam i gatshëm që të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së. Kemi aq shumë tema për t’i diskutuar, nuk besoj që nuk ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka shumë gjëra për të cilat pajtohemi dhe që mund t’i shndërrojmë në një plan veprimi. Në anën tjetër, për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi edhe përpiqemi që t’i urëzojmë ato”, u shpreh tutje Kurti.

Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora 10:00.

Abdixhiku: LDK qëndron brenda parimeve të bëra publike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi mbi treorësh me liderin e LVV-së, Albin Kurti, është zhvilluar në frymë konstruktive, por pa arritur një marrëveshje konkrete, raporton KosovaPress.

Ai tha se LDK-ja do të vazhdojë diskutimet me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të siguruar stabilitet institucional.

Abdixhiku tha se ky ishte takimi i dytë ndërmjet dy palëve pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe se LDK-ja mbetet e përkushtuar për të shmangur një proces të ri zgjedhor.

Abdixhiku: Ky ishte takimi i dytë që të shmangim me çdo kusht zgjedhjet e reja

“Ky është një takim i dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, me vullnet të mirë, me respektim të plotë edhe të rezultateve zgjedhore por edhe të gatishmërisë sonë si Lidhje Demokratike e Kosovës që me çdo çmim e me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja, të katërtat me radhë për më pak se dy vite. Besoj se kështu e respektojmë jo vetëm interesin e LDK-së, por interesin e Republikës së Kosovës, e cila ka nevojë për stabilitet institucional dhe për punë, më tepër se sa për dramë politike”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se gjatë takimit janë diskutuar tema programore, politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit, ndërsa dialogu do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Abdixhiku: Diskutuam tema programore e strategjike, dialogu do të vazhdojë

“Ishte një takim i mirë, i mbarë, në të cilin u trajtuan çështje të ndryshme programore, politike, të ardhme dhe strategjike, besoj, për Republikën e Kosovës. Do të përpiqemi edhe në ditët në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore, më të detajuara”, theksoi ai.

Kreu i LDK-së ritheksoi se partia nuk heq dorë nga parimet e saj për një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse dhe për ruajtjen e balancës demokratike në institucionet e vendit.

Abdixhiku: LDK qëndron brenda parimeve të bëra publike

“LDK-ja natyrisht se qëndron brenda parimeve tashmë të bëra publike. E para që na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mënyrë që të ruhet stabiliteti institucional dhe e dyta që është shumë e rëndësishme, të ketë balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës. Dhe këtë balancë demokratike LDK-ja duhet të ndjehet e përfaqësuar, në të kundërtën edhe kontributi i LDK-së po edhe konstelacioni politik i ndërtuar rreth saj s’do të ketë as forcë as fuqi të nevojshme”, tha ai.

Abdixhiku paralajmëroi se nëse nuk arrihet një zgjidhje politike, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.

Abdixhiku: Nëse s’bëjmë asgjë, zgjedhjet janë të garantuara

“Do të vazhdojmë takimet, po kaq vullnet të mirë. Në qoftë se s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja. Dhe besoj që kjo s’është as lajm i mirë për popullin e Kosovës, as lajm i mirë as për partitë politike. Prandaj edhe marrim pjesë në takime, që të provojmë t’i japim më të mirën, të vetëdijshëm për interesin e vendit dhe të vetëdijshëm për politikat që i përfaqësojmë si ne si LDK”, u shpreh Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se deri më tani nuk është diskutuar për emra konkretë, pasi bisedimet janë ende në nivel parimor.

Abdixhiku: Insistojmë të ruhet demokracia dhe LDK të ndjehet e përfaqësuar

“Dhe në këtë përpjekje tonën do të insistojmë që të ruhet demokracia e Kosovës dhe që LDK-ja, në qoftë se mund të arrijë partneritet me palën tjetër, të ndjehet e përfaqësuar. Nuk kemi folur për emra konkretë, prandaj ende jemi në diskutimet e parimeve”, theksoi ai.

Në fund, Abdixhiku tha se nëse deri më 6 gusht nuk ka zhvillime, LDK-ja kërkon që të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se partia nuk synon postin e kryetarit të Kuvendit.

LDK-ja s’ka apetite për postin e kryetarit të kuvendit, thotë Abdixhiku

VIDEO

“Në qoftë se deri më datë 6 gusht nuk ndodh asgjë, kemi kërkuar të vazhdohet procesi tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse s’ka nevojë që të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë edhe, siç e thotë Kushtetuta, propozimin e partisë së parë. Dhe në këtë drejtim LDK-ja jep emrin e vet për nënkryetar të Kuvendit. Për çështje të tjera, më pas kemi afat kohor shtesë. Sa më herët më mirë që bëjmë zgjidhje, sepse Kosova ka shumë probleme, shumë sfida përpara, dhe në këtë drejtim duhet t’i japim zgjidhje konkrete”, shtoi ai.

Kujtojmë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e 11-të, është thirrur më 6 gusht me fillim nga ora 10:00.

Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku paralajmëron vazhdimin e negociatave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si pozitiv takimin treorësh të zhvilluar të martën me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke bërë të ditur se dialogu ndërmjet dy palëve pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha se LDK-ja iu përgjigj ftesës me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve dhe me synimin për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Sot morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, në respekt të rezultatit zgjedhor dhe me gatishmërinë e LDK-së për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe të shtetit. Ishte një takim i mirë, i mbarë. Trajtuam çështjet që lidhen me ndryshimet programore, politike dhe të ardhmen strategjike. Do të përpiqemi që edhe në ditët në vijim të zhvillojmë diskutime më thelbësore”, deklaroi Abdixhiku.

Ai ritheksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj të bëra publike më herët, duke nënvizuar se formimi i institucioneve të reja kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes forcave politike.

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende s’ka marrëveshje

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se ka vullnet e zell për të punuar bashkë, pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Kurti e ka cilësuar këtë si lajm të mirë, por ka shtuar se ende nuk ka marrëveshje. 

Nis takimi Kurti–Abdixhiku, marrin pjesë edhe Osmani, Haziri e Murati

Takimi i thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me përfaqësuesit e LDK-së ka nisur në Kuvend.

Krahas kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në takim po merr pjesë edhe Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit ishte numër një në listën e kësaj partie. Në takim ka shkuar edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ndërsa Kurtin e ka shoqëruar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Para nisjes së takimit, Kurti ka deklaruar se e kanë mbështetjen e mjaftueshme për Kuvendin dhe Qeverinë, ndërsa ka theksuar se për zgjedhjen e presidentit nevojitet edhe përfshirja e opozitës.

“Ne e kemi të mjaftueshme mbështetjen sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë, por që të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca, por edhe opozita. Sepse kushtetutshmëria është e tillë që presidentin e sheh si shprehje të unitetit të popullit dhe këtu opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, ka thënë Kurti.

Takimi me Abdixhikun, Kurti hap temën e presidentit: Duhet edhe opozita

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbërritur në kuvend bashkë me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për takim me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun, nënkryetarin Lutfi Hazirin dhe Vjosa Osmanin.

Kurti tha se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit nuk i takon vetëm mazhorancës por edhe opozitës.

Kurti: Zgjedhja e presidentit s’është përgjegjësi veç e mazhorancës por edhe e opozitës

“Të gjithë e dini mirë se për zgjedhjen e presidentit nuk ka përgjegjësi vetëm mazhoranca por edhe opozita sepse kushtetushmëria është e tillë që presidentin e sheh si shprehje të unitetit të popullit dhe ku opozitë e qeveri duhet të jenë bashkë”, tha Kurti.

Ky është takimi i dytë në mes Kurtit dhe Abdixhikut, ndërsa PDK dhe Aleanca ia kanë refuzuar takimet kreut të VV-së.

Abdixhiku, Osmani dhe Hazirin i shkojnë në takim Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbërritur në kuvend bashkë me Vjosa Osmanin e Lutfi Hazirin për takimin me kreun e VV-së, Albin Kurti.

Abdixhiku nuk pranoi që të fliste para takimit, duke thënë se një gjë të tillë do ta bëjë pas takimit që do ta kenë me Kurtin.

Për dallim prej takimit të parë më 11 korrik, këtë herë Abdixhiku në takim e ka marrë edhe nënkryetarin e partisë, Lutfi Hazirin.

Ftesën për takime Kurtit ia kanë refuzuar kreu i PDK-së, Bedri Hamza dhe ai i Aleancës, Ardian Gjini.

Kurti optimist për takimin me Abdixhikun: Do të shkoj me vullnet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me synim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Ai tha se dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe më pas edhe presidenti.

Kurti tha se takimi me Abdixhikun do të mbahet në formatin “1+1”, ndërsa ai do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha ai.

Ai theksoi se takimi me LDK-në synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.

“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai.

Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.

“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha ai.

Kurti dhe Abdixhiku takohen sot – a po hapet rruga për marrëveshje politike?

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen sot në orën 18:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Takimi zhvillohet vetëm tri ditë para seancës konstituive të Kuvendit dhe në një moment të rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja. Në qendër të bisedimeve pritet të jetë mundësia e bashkëpunimit politik dhe gjetja e një rrugëdaljeje nga ngërçi institucional.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar pjesëmarrjen e Abdixhikut, si dhe kohën dhe vendin e takimit.

Ftesat për takime u janë dërguar të hënën tri subjekteve politike nga Kurti, me synim diskutimin për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Partia Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ftesën, duke ritheksuar se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka rikujtuar ofertën e saj prej gjashtë pikash, në të cilën përfshihet edhe çështja e zgjedhjes së presidentit.

Takimi Kurti–Abdixhiku po shihet me interes të veçantë, pasi çdo afrim ndërmjet dy partive mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimet politike dhe në procesin e krijimit të institucioneve. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse bisedimet do të çojnë drejt një marrëveshjeje konkrete apo do të përfundojnë pa rezultat.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me drejtuesit e PDK-së dhe LDK-së edhe më 10 korrik, por pa arritur ndonjë marrëveshje. Takimi i sotëm me Abdixhikun përbën një përpjekje të re për të afruar qëndrimet para seancës së Kuvendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat