Haxhiu deklarohet pas takimit me partitë: Pa marrëveshje për presidentin, rrezikohet përsëritja e krizës

Aktuale

Haxhiu deklarohet pas takimit me partitë: Pa marrëveshje për presidentin, rrezikohet përsëritja e krizës

Më: 18 gusht 2026 Në ora: 08:33 Përditësuar në ora: 10:30 më 18.08.2026
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu,

Haxhiu: Kurti do të zhvillojë një tjetër takim me LDK-në për çështjen e presidentit

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë këtyre ditëve do të zhvillojë një tjetër takim me LDK-në.

Haxhiu ka thënë se partitë politike duhet të ulen dhe të diskutojnë për çështjen e presidentit, duke propozuar që të fillohet me emra për një kandidat konsensual, i cili nuk është pjesë e ndonjë partie politike.

“Partitë të ulen dhe të flasin për çështjen e presidentit. Kemi një qëndrim të LDK-së për president, pra le të fillojmë të flasim me emra për një kandidat konsensual, për një kandidat që nuk është në parti politike.

Kurti e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e VV-së, sepse ka pasur diskutime që VV po insistison të jetë nga radhët e tyre, pra edhe LVV thekson që janë për një president konsensual.

Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë dhe ato të ndodhin shumë shpejt, pra sipas njoftimit që Kurti na tha, me LDK do të ketë një takim shumë shpejt. Uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike”, tha ajo para mediave.

Haxhiu: Duhet të gjendet një president konsensual, LVV-ja shpreh gatishmëri

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencë për media pas takimit me liderët e subjekteve politike, ku është diskutuar për situatën politike dhe mundësinë e tejkalimit të ngërçit institucional.

“Sapo përfundova takimin me liderët e subjekteve politike që iu përgjigjën pozitivisht ftesës time për takim. Qëllimi i këtij takimi ishte që, në rrethanat që jemi, të shohim a kemi ndonjë rrugë për të ecur bashkë përpara. I falënderoj kryetarët e subjekteve politike që ishin të pranishëm”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se aktualisht ekzistojnë dy qëndrime të ndryshme politike sa i përket mënyrës së konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit.

“Të nderuara media, ju e dini që para nesh janë dy qëndrime politike. Qëndrimi i LVV-së dhe partnerëve është që, nëse hyjmë në konstituim të Kuvendit pa ndonjë marrëveshje për presidentin, mund të përsëritet kriza e vitit të kaluar. Në anën tjetër, kemi qëndrimin e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që të hyjmë me konstituimin e Kuvendit dhe pastaj të flitet për presidentin”, u shpreh ajo.

Haxhiu tha se gjatë takimit ka dëgjuar qëndrimet e të gjitha subjekteve politike dhe se, sipas saj, ekziston nevoja për kompromis për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Sot kam dëgjuar qëndrimet e subjekteve politike. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe të shmangen zgjedhjet. Nuk pres që partitë politike të pajtohen për gjithçka. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi garanci që një palë zgjedhjet e reja do të na bëjnë të merremi vesh nesër”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë takimit ka theksuar se i ka votat e nevojshme për kryetar të Kuvendit, ndërsa çështja kryesore mbetet marrëveshja për presidentin.

“Kryeministri Kurti e theksoi që i ka votat për kryetar të Kuvendit dhe çështja është te marrëveshja për presidentin”, tha u.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu.

Haxhiu bëri thirrje që partitë politike të nisin diskutimet me emra konkretë për një president konsensual, duke theksuar se kjo do të mund të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik.

Derisa nënvitzoi se Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur qëndrimin se është e gatshme për një president konsensual, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja dhe të gjendet një zgjidhje për krizën institucionale. 

Haxhiu kërkon konsensus për Presidentin, PDK, LDK e Aleanca nuk shkojnë në takim

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, kryetarja e Guxo, Donika Gërvalla dhe përfaqësues të partive të komuniteteve jo shumicë kanë arritur në takimin me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Takimi tashmë ka filluar.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar sot liderët e partive politike në një takim konsultativ në Zyrën e Presidentes, me fokus te çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri.

Takimi është caktuar për orën 09:00, ndërsa në të pritet të diskutohet për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

PDK, LDK e Aleanca refuzuan, në takimin e thirrur nga Haxhiu pritet të jetë Kurti dhe kryetarët e komuniteteve joshumicë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrur për sot në ora 09:00 një takim me partitë parlamentare, për siç ka thënë për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Presidentit.

Haxhiu u ka dërguar ftesë partive parlamentare, por jo të gjitha i janë përgjigjur pozitivisht.

Në fakt, në takim do të jetë vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga e cila parti vjen edhe vetë Haxhiu.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca i kanë thënë jo takimit me Haxhiun.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka bërë të ditur se PDK nuk do të jetë në takimin e thirrur nga Albulena Haxhiu.

Ismaili në një konferencë për media ka thënë se Haxhiu do të duhej që t’i kishte shkruar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari që ta thërrasë seancën.

"E para, kjo është edhe një tentativë manipulimi e zotit Kurti me shtyrjen e afateve kundrejt afatit të Gjykatës Kushtetuese, pra është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë Kuvendin. Sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo pushtet politik funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi është i suspenduar...Çfarë logjike ka kjo, qysh mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra... ajo ish dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend", deklaroi ai.

Edhe LDK ka refuzuar takimin me Haxhiun.

“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive, në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Në pikëpamjet tona, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe, në këtë rrjedhë, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë”, ka thënë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Edhe nga Aleanca kanë refuzuar takimin.

“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional.

Qëllimi juaj është më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisni këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet.

Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, kishte shkruar kryetari i kësaj partie, Ardian Gjini.

E në takimin me Haxhiun pritet të jenë vetëm kryetari i LVV-së, Albin Kurti dhe kryetarët e komuniteteve jo shumicë.

Ndryshe, lidhur me takimin e sotëm dhe refuzimin nga partitë, Haxhiu, përmes një postimi, ka thënë se tri procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultate të përafërta dëshmojnë se pa dialog politik nuk mund të ketë zgjidhje për situatën aktuale.

“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara”, ka shkruar ajo.

Sipas Haxhiut, çështja e Presidentit, ndonëse formalisht paraqet një hap të mëvonshëm në procesin institucional, në rrethanat aktuale duhet të jetë pika e parë nga e cila duhet nisur dialogu.

“Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se ka ftuar në takim krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare, me synimin për të arritur një konsensus politik.

Megjithatë, Haxhiu ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës nga partitë.

“PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese”, ka shkruar ajo. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat