“Ecim tutje”, Kurti takon përfaqësuesit e komuniteteve: Kemi 74 vota për president

Aktuale

“Ecim tutje”, Kurti takon përfaqësuesit e komuniteteve: Kemi 74 vota për president

Më: 2 shtator 2026 Në ora: 17:15 Përditësuar në ora: 21:55 më 02.09.2026
Takimi i Kurtit me deputetët e komuniteteve

Kurti: Marrëveshja për Sejdiun mbetet në fuqi, synojmë t’i shmangim zgjedhjet

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive në arritjen e marrëveshjes me LDK-në për zgjedhjen e presidentit, ende ekzistojnë përpjekjet për ta shmangur shkuarjen në zgjedhje. Pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, Kurti tha se propozimi i dakorduar për president mbetet profesori Bekim Sejdiu.

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve, ndërsa ka bërë të ditur se propozimi i LVV-së mbetet profesori Bekim Sejdiu.

Kurti i bëri këto deklarata pas takimit me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvend, duke thënë se edhe deputetët e pakicave shprehen të keqardhur që marrëveshja me LDK-në nuk është zbatuar.

“Kemi pasur diskutime për marrëveshjen politike që kemi arritur me LDK-në për emrin e përveçëm të presidentit, për të cilin jemi dakorduar tashmë, për profesorin Bekim Sejdiu. Ata ndajnë keqardhje që marrëveshja nuk po mund të realizohet sepse gjashtë deputetë të LDK-së nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.

Ai tregoi se në takim kanë marrë pjesë dhjetë përfaqësues, pesë prej të cilëve janë pjesë e qeverisë dhe pesë të tjerë të legjislaturës së ardhshme.

“Ishim dhjetë veta, pesë jemi në qeveri, pesë në Kuvendin e legjislaturës së ardhshme. Janë dy boshnjakë, dy turq, dy egjiptian dhe nga një serb, ashkali dhe rom. I falënderova për kontributin që japin dhe do të vazhdojmë të ecim tutje bashkë duke u përpjekur që t’i evitojmë zgjedhjet, tash që kemi marrëveshje”, u shpreh ai.

Kurti tha se situata politike është bërë më e vështirë, sidomos pas zhvillimeve të fundit, por sipas tij ka pasur edhe progres.

“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres”, deklaroi Kurti, duke shtuar se në këtë legjislaturë ka më shumë vota në dispozicion për zgjedhjen e presidentit krahasuar me të kaluarën.

Kurti bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për hapat e mëtejmë.

Ai foli edhe për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke treguar se diskutimi është fokusuar në gjendjen brenda kësaj partie dhe në mundësitë për të gjetur një zgjidhje.

“Nga kryetari Abdixhiku jam njoftuar mbi situatën që ekziston në subjektin e tij. Gjithashtu e njoftova edhe unë për diskutimet me GP të LVV. Tash na duhet një mbledhje e re e Kryesisë për të parë se cilat janë mundësitë që të ecim përpara. Vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se më parë”, tha ai.

I pyetur për emrin konkret që po propozohet për postin e presidentit, Kurti e përsëriti se bëhet fjalë për profesorin Bekim Sejdiu.

“Jemi marrë vesh, i kemi pasur autorizimet për të negociuar. Negociatat kanë rezultuar, shyqyr, me marrëveshje, por duket se dikush e ka pasur shumë më shumë problem që kemi arritur marrëveshje, sesa kur nuk kishim marrëveshje”, theksoi Kurti.

Kurti takon përfaqësuesit e komuniteteve: Kemi 74 vota për president

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjashtë deputetë të LDK-së nuk po e respektojnë marrëveshjen e arritur mes dy partive për zgjedhjen e presidentit.

Kurti ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e grupit multietnik, që ishte aranzhuar më herët, derisa i kishte njoftuar ata për bisedimet dhe marrëveshjen me LDK-në, si dhe për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

“Ata ndajnë keqardhjen me të gjithë neve që kjo nuk po mund të realizohet, për shkak se gjashtë deputetë nga LDK-ja nuk e respektojnë këtë marrëveshje”, tha Kurti.

Ai tha se LVV-ja do të vazhdojë përpjekjet për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Do të vazhdojmë të ecim tutje duke u përpjekur t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, deklaroi Kurti.

Kreu i LVV-së tha se, pavarësisht zhvillimit negativ të djeshëm, marrëveshja me LDK-në ka sjellë progres sa i përket numrit të votave për zgjedhjen e presidentit.

“Dje pasdite ndodhi një zhvillim negativ, por kemi pasur progres dhe në këtë legjislaturë jemi më mirë sesa në të kaluarën sa i përket numrit të votave për president. Feride Rushiti ka pasur 64, tash Bekim Sejdiu ka 74”, tha ai.

Kurti bëri të ditur se do të zhvillojë konsultime të brendshme me kryesinë e VV-së.

Ai tha gjithashtu se gjatë takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun është njoftuar për situatën aktuale brenda partisë, ndërsa edhe ai e ka njoftuar Abdixhikun për zhvillimet në VV.

“Ne vazhdojmë të jemi optimistë, ndonëse situata është më e vështirë se përpara. Shohim çfarë mund të bëjmë në ditët në vijim”, ka theksuar Kurti.

Kurti në takim me deputetët e komuniteteve

Kryeministri i Kosovës gjatë mbrëmjes së sontme po zhvillon takim me deputetët e komuniteve.

Kjo është konfirmuar nga vetë deputetja Emilja Rexhepi e cila ka postuar në rrjetin social në Facebook së bashku me Kurti dhe deputetët tjerë të komuniteteve.

Ky takim i Kurtit me deputetët e Komuniteteve vjen pas takimit që Kurti sot zhvilloi së bashku me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku lidhur me çështjen e presidentit.

Pas takimit me Abdixhikun, Kurti takon komunitetet

Kurti takon përfaqësuesit e komuniteteve, diskutohet kandidatura e Bekim Sejdiut

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po zhvillon një takim me përfaqësues të komuniteteve në periferi të Prishtinës.

Në takim po marrin pjesë Emilija Rexhepi, Fikrim Damka dhe Nenad Rashiq. Ndërkaq, Elbert Krasniqi ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e këtij takimi.

Sipas informacioneve të deritanishme, takimi po zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e mbështetjes për kandidatin e përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për president, Bekim Sejdiun.

Në takim, ndër të tjera, pritet të diskutohet edhe qëndrimi i përfaqësuesve të komuniteteve dhe nëse ata do ta mbështesin me votë kandidaturën për president.

Takimi vjen në një kohë kur partitë politike në Kosovë po përpiqen të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit dhe tejkalimin e krizës institucionale.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Vendi po shkon drejt zgjedhjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin duke thënë se ishte njoftim i rregullt mbi situatën e fundit, pas zhvillimeve në partinë e tij. Abdixhiku tha se e ka njoftuar Kurtin për zhvillimet e fundit në partinë e tij, pasiqë gjashtë deputetë të LDK-së nuk i kanë dhënë mbështetje kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të vendit.

Abdixhiku për takimin me Kurtin: E njoftuam njëri-tjetrin për zhvillimet partiake

“Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në të dy partitë. Siç e do rendi, kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë zyrtarisht njëri-tjetrin për zhvillimet partiake. Dhe, këtë e bëra. Atë që ka ndodhur dje, e njoftova dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e VV-së dhe të Grupit Parlamentar”, theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se duhet pyetur gjashtë deputetët e LDK-së që janë kundër Sejdiut, të cilët sipas tij, kanë vendosur ta çojnë Kosovën në një situatë të paqartë, ndërsa për mundësinë e plotësimit të gjashtë kushteve të Aleancës, ai tha se nuk është punë e tij.

Abdixhiku për “6-shen” kundër Sejdiut: Kanë vendosur ta çojnë Kosovën në situatë të paqartë, kushtet e Aleancës s’janë punë për mua

“Tash duhet t’i pyesni ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një situatë të paqartë. Kjo s’është punë për mua. Jam përpjekur të bëjë një zgjidhje, atëherë bëjnë mirë që të ndihmojnë në zgjidhje. Por deri sa distancohen dhe nuk marrin pjesë në zgjidhje, atëherë vetvetiu shkaktojnë zgjedhje të parakohshme. Kështu nuk është bëhet zgjidhja. Beteja politike për Qeverinë duhet të bëhet për Qeverinë në Kuvendin e Kosovës, çështja e presidentit ta zgjidhim një president, duhet të sillemi normalisht. Jo, s’ka qenë pjesë e diskutimeve, por çdo parti është e mirëseardhur. Fatkeqësisht, me atë çfarë po shoh, ne po krijojmë një pamundësi numerike në Kuvendin e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Pas takimit, Kurti e ka shfrytëzuar hyrjen anësore për t’u larguar nga Kuvendi dhe nuk është deklaruar për media.

Të hënën pas shumë takimeve, kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku kanë arritur marrëveshjen për kandidatin konsensual për president.

Ndërkohë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka komentuar mbrëmë zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi që gjashtë deputetë të saj, kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin për president Bekim Sejdiu. Sot, gjashtë deputetë të LDK-së janë deklaruar kundër marrëveshjes me VV-në për votimin e Sejdiut për president.

Kurti pas takimit me deputetët e Vetëvendosjes dhe atyre të koalicionit parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, tha se marrëveshja me LDK-në ende qëndron, por shtoi se do të ketë një takim sërish me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun dhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.

Përfundon takimi, Abdixhiku: Do të përpiqemi të takohemi sërish

Ka përfunduar takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Takimi, i cili u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e situatës politike dhe gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, zgjati rreth dy orë.

Pas përfundimit të takimit, Kurti nuk është deklaruar për media.

Ndërkaq, Abdixhiku ka thënë shkurt se do të përpiqen që të takohen sërish.

“Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në të dy partitë, siç e do rendi do të ketë procese diskutuese, do të njoftojmë edhe zyrtarisht njeri-tjetrin për zhvillimet partiake, këtë e bëra për takimet që kanë ndodhur dje e njoftova zyrtarisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Takimi i sotëm vjen në një situatë të ndërlikuar politike, pasi brenda LDK-së ka mospajtime rreth marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit dhe gjashtë deputetë të kësaj partie kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e propozuar.

Dy orë nga takimi Kurti-Abdixhiku

Takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës po vazhdon edhe pas rreth dy orësh.

Takimi ka nisur nga ora 16:00.

Ky takimi vjen pasi që ditën e djeshme Lumir Abdixhiku në një konferencë për media pas takimit me grupin parlamentar është shprehur se gjashtë deputetë të kësaj partie kanë dal kundër marrëveshjes me VV-në.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë pas takimit.

Abdixhiku dhe Kurti takohen pas zhvillimeve në LDK

Pavarësisht marrëveshjes së arritur mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin një ujdi të tillë.

Ky zhvillim duket se ka rikthyer në tryezën e diskutimeve Abdixhikun dhe Kurtin.

Sipas raportimeve, dy liderët janë takuar sërish pasditen e sotme në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Takimi ka nisur rreth orës 16:00.

Takimi vjen pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së, ku Abdixhiku ka diskutuar me deputetët e partisë lidhur me qëndrimin e tyre për kandidaturën e Sejdiut.

Pas mbledhjes, Abdixhiku ka deklaruar se refuzimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për ta përkrahur Bekim Sejdiun për president e çon vendin pashmangshëm drejt zgjedhjeve.

Tash mbetet të shihet nëse takimi i ri mes Abdixhikut dhe Kurtit do të sjellë ndonjë zgjidhje për situatën e krijuar apo nëse Kosova do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat