Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas votimit të Qeverisë së re, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka uruar Kurtin dhe të gjithë anëtarët e kabinetit të ri, duke u dëshiruar sukses në përgjegjësitë e tyre.
Ajo ka theksuar se institucionet e vendit kanë përpara një sërë sfidash, duke përmendur reformat, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Postim i plotë:
Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi Qeverinë e re, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Uroj kryeministrin dhe të gjithë kabinetin e ri, duke u dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësitë që kanë marrë.
Përpara kemi shumë punë të përbashkët në jetësimin e reformave, zhvillimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Kuvendi do ta bëjë pjesën e vet, duke ndjekur agjendën legjislative dhe duke ushtruar mbikëqyrjen parlamentare mbi punën e ekzekutivit.
Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës.
Pres që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që ky proces të përmbyllet me sukses.
Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja.