Verdikti në Hagë – trupi gjykues: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Aktuale

Verdikti në Hagë – trupi gjykues: Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal

Nga: bota sot Më: 15 shtator 2026 Në ora: 23:21 Përditësuar në ora: 11:58 më 16.09.2026
Legjenda: Pamje nga seanca në Hagë, ku ka nisur shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Konjufca: Vendim i padrejtë dhe i pamerituar

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar si “të trishtueshëm” aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Konjufca ka reaguar duke shprehur qëndrimin e tij për vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Është një vendim vërtet i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të UÇK-së”, tha Konjufca pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.

Vendimi i trupit gjykues erdhi pas një procesi të gjatë gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Mbyllet seanca në Hagë

Pas shpalljes së aktgjykimit dhe dënimeve ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur.

Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë atë.

Jakup Krasniqi dënohet me 25 vjet burgim

Trupi gjykues e ka dënuar Jakup Krasniqin me 25 vjet burgim.

Jakup Krasniqi shpallet fajtor për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Rexhep Selimi shpallet fajtor nga trupi gjykues në Hagë - 13 vjet burg

Pas më shumë se pesë vitesh nga arrestimi i tij, Rexhep Selimi është shpallur fajtor nga trupi gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndonëse gjatë gjithë procesit të stërzgjatur gjyqësor, Selimi kishte thënë se ka luftuar që Kosova të jetë e lirë dhe nuk është penduar për asnjë ditë që e kishte kaluar në fronte të luftës, madje edhe po të ishte vendi sot në luftë, do të ishte duke luftuar, trupi gjykues në krye me Charles Smith III, e shpallën fajtor me 13 vjet burgim.

Arrestimi i Selimit kishte ndodhur në nëntor 2020, ndërsa gjykimi filloi në prill 2023.

Rexhep Selimi u transferua në paraburgim në Hagë në nëntor 2020. Gjatë gjithë procesit, ai u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave.

18 vite burgim për Kadri Veselin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dënuar me 18 vite burgim ish kryekuvendarin, Kadri Veselin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka paraqitur edhe vlerësimet e tij lidhur me pozitën dhe rolin e Veselit.

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Veseli kishte keqpërdorur pushtetin dhe pozitën që kishte, duke e përdorur atë, sipas gjykatës, për qëllime kriminale.

Në përcaktimin e dënimit, trupi gjykues ka marrë parasysh edhe rrethanat personale të Veselit dhe sjelljen e tij gjatë procesit gjyqësor.

Sipas gjykatës, Veseli ka treguar sjellje të mirë gjatë gjithë procesit, me përjashtim të një rasti të veçantë. Gjykata ka marrë parasysh gjithashtu faktin se ai iu dorëzua vullnetarisht Dhomave të Specializuara.

Thaçi dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë. /REL

Trupi gjykues: Të katërt penalisht përgjegjës për krime lufte

Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Trupi gjykues: Krasniqi kishte dijeni për krimet, por nuk ndërmori hapa

Trupi gjykues konstatoi se Jakup Krasniqi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh, veçanërisht për ndalime të paligjshme, keqtrajtime dhe vrasje.

Sipas gjykatësit Charles Smith, pavarësisht kësaj dijenieje, Krasniqi nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar ose ndëshkuar ato.

Përkundrazi, trupi gjykues konstatoi se ai u angazhua në përpjekje për të mohuar kryerjen e këtyre krimeve, përfshirë gjatë takimeve me përfaqësues ndërkombëtarë.

Trupi gjykues: Selimi dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal

Trupi gjykues konstatoi se Rexhep Selimi dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative, të cilat i inspektonte rregullisht.

Ai gjithashtu merrte raporte të shpeshta për persona të dyshuar dhe të konsideruar kundërshtarë.

Trupi gjykues konstatoi se Selimi ishte në dijeni se njësi të UÇK-së po shënjestronin persona të caktuar.

Trupi gjykues: Veseli mori pjesë dhe inkurajoi kryerjen e krimeve

Trupi gjykues konstatoi se Kadri Veseli mori pjesë në kryerjen e krimeve dhe inkurajoi kryerjen e tyre.

Sipas gjykatësit Charles Smith, Veseli dha kontribut në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal dhe ishte një nga anëtarët kyç në realizimin e tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat