“Edhe Besiani është pjesë e Kombit Shqiptar” – Tahiraj me mesazh të fortë për Çitakun

Aktuale

“Edhe Besiani është pjesë e Kombit Shqiptar” – Tahiraj me mesazh të fortë për Çitakun

Nga: A.SH Më: 5 tetor 2026 Në ora: 18:17
Vlora Çitaku

Veprimtari Saim Tahiraj ka reaguar ashpër ndaj deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, lidhur me qëndrimin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Tahiraj e ka kritikuar Çitakun për përdorimin e shprehjes “obligim kombëtar”, duke thënë se votimi i ndryshimeve mund të jetë obligim partiak, por jo kombëtar. Ai ka kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre.

Reagimi i plotë:

KUSH JUA DHA TË DREJTËN TË FLISNI NË EMËR TË KOMBIT?

Kush jua dha të drejtën të caktoni dhe detyroni si obligim kombëtar votimin e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale në Hagë? Ku e morët dhe kush jua dha këtë të drejtë të merrni në pronësi dhe të flisni në emër të Kombit Shqiptar? Jeni të vegjël ta keni këtë pronësi që është e të gjithë shqiptarëve, andaj uleni këtë shpejtësi që po ua dërgon në thyqafje. Drejtësia duhet të vihet në vend, sado që ajo ju dhemb, e këtë mund ta bëjë vetëm Gjykata Speciale në Hagë. Për vite të tëra ju e penguat atë, duke kapur institucionet e drejtësisë, e tani po përpiqeni të pengoni edhe këtë gjykatë, që është e vetmja shpresë për familjarët e viktimave politike, për të vendosur drejtësi për ta.

Zonjë, keni pyetur ndonjëherë deputetin e LDK-së, Besian Mustafën, për dhimbjen që ka ai dhe familja e tij? Edhe Besiani, si qindra familjarë që ju vranë më të dashurit e tyre për motive politike, janë pjesë e Kombit Shqiptar. Atëherë, me çfarë morali njerëzor e quani obligim kombëtar votimin e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale?

Për ju dhe PDK-në mund të jetë obligim partiak, por asesi obligim kombëtar. Shumica e popullit shqiptar jemi me familjet e viktimave të vrasjeve politike dhe kërkojmë drejtësi për ta, asgjë më tepër.

Do t’ju sugjeroja që herën tjetër ta korrigjoni veten dhe si obligim kombëtar ta thoni ju dhe ne të gjithë me një zë:

DREJTËSI DHE VETËM DREJTËSI PËR TË GJITHË BARABART.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat