Armatosja e shpejtë e Serbisë po rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Investimet e Beogradit në avionë luftarakë, dronë, sisteme raketore dhe armë të avancuara po vlerësohen më shumë sesa një proces i zakonshëm modernizimi. Paralajmërime për këtë zhvillim kanë ardhur edhe nga Kroacia, ndërsa njohësit e sigurisë në Kosovë thonë se forcimi i arsenalit serb mund t`i ndryshojë balancat ushtarake dhe t`i rrisë rreziqet për vendet e rajonit.
Siguria në Ballkanin Perëndimor vazhdon të mbetet e brishtë, ndërsa shqetësimet po shtohen për shkak të ritmit të armatosjes së Serbisë. Beogradi po investon në mënyrë të vazhdueshme në avionë luftarakë, dronë, sisteme raketore dhe armatim të avancuar, duke zgjeruar ndjeshëm kapacitetet ushtarake.
Por ky proces nuk po shihet më thjesht si modernizim i ushtrisë serbe. Në rajon po shtohen pikëpyetjet se çfarë synon Beogradi me këtë forcim të arsenalit dhe si mund të ndikojë ai në ekuilibrin e sigurisë në Evropën Juglindore.
Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Zagrebi po e monitoron nga afër atë që e cilësoi si një proces të jashtëzakonshëm të armatosjes së Serbisë, duke përdorur edhe termin “shopping mani”.
Ndërkaq, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka deklaruar se Serbia prej një dekade po armatoset intensivisht me sisteme të avancuara sulmuese, duke sqaruar se Kroacia është e vetëdijshme për këtë zhvillim dhe se po e përcjell me vëmendje. Në këtë klimë, shqetësimi është veçanërisht i madh në Kosovë.
Njohësit e sigurisë vlerësojnë se forcimi i vazhdueshëm i kapaciteteve ushtarake të Serbisë paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës dhe sfidë për stabilitetin e rajonit. Sipas tyre, Serbia këtë armatosje e përdor edhe si argument për të justifikuar nevojën për rritjen e kapaciteteve të saj ushtarake, duke iu referuar edhe Marrëveshjes së Përbashkët të Bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, të nënshkruar në mars të vitit të kaluar.
" Shqetësuese është që ajo kinse po duan një formë të reciprotieti pas marrëveshjes ushtarake mes Shqipërisë Kosovës dhe Kosovës dhe Kroacisë si anjë arsyetim kinse po detyrohet të marrin masa mbrojtëse...Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës ndaj Bosnjes Malit të ZI e edhe Maqedonisë”, tha Nuredin Ibishi, njohës i sigurisë.
Sipas tyre, rritja e arsenalit serb nuk duhet parë vetëm si proces modernizimi, por edhe në raport me historinë e konflikteve në Ballkan, ku Serbia ka qenë gjithmonë burim i situatës destabilizuese.
" Deklarata e fundit e ministrit kroat te mbrojtjes mendoj unë që ka qenë deklarata me e fuqishme si kundërpërgjigje direkt ndaj Serbisë dhe shqetësimeve që po i bënë Serbia në rajon, për ta pasur primatin e armatimit kundër shteteve të rajonit kinse ka ndonjë kërcënim kur dihet fare mirë se nuk kërcohet nga askush në rajon..." , Arben Dashevci, njohës i sigurisë.
Vetëm disa muaj më parë, Serbia bleu nga Kina edhe sisteme të tjera raketore, përfshirë raketa balistike supersonike. Kjo lëvizje, sipas vlerësimeve të sigurisë, nuk shihet thjesht si pjesë e modernizimit ushtarak, por si një mesazh i qartë presioni ndaj fqinjëve dhe përpjekje për të ndryshuar balancën e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.