Nela zbulon pse është me rëndësi besimi katolik i presidentes Justina Shiroka- Pula

Aktuale

Nela zbulon pse është me rëndësi besimi katolik i presidentes Justina Shiroka- Pula

Nga: N.E Më: 7 tetor 2026 Në ora: 18:13
Justina Shiroka-Pula

Analisti Milaim Nela ka reaguar pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës Presidente të Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si dëshmi të emancipimit politik dhe shoqëror të vendit.

Në një shkrim të tij, Nela ka vlerësuar faktin që në krye të shtetit është zgjedhur një Presidente e besimit katolik, duke e parë këtë si një mesazh të rëndësishëm për harmoninë fetare në Kosovë.

“Zgjedhja e një Presidenteje të besimit katolik është një medalje ari në murin e emancipimit politik e social të shtetit të Kosovës, përkundër ngjyrës që propaganda serbe është munduar t’u veshë shqiptarëve si fundamentalistë islamikë!”, ka shkruar Nela.

Sipas tij, shqiptarët e besimit katolik, ndonëse një komunitet i vogël në numër në Kosovë, kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për çështjen kombëtare.

“Bashkësia e shqiptarëve të besimit katolik, megjithëse në Kosovë shumë e vogël në numër, ka spikatur me figura të shquara në kontributin për çështjen kombëtare!”, ka deklaruar ai.

Nela ka theksuar se zgjedhja e Shiroka-Pulës në postin e Presidentes përbën edhe një shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për shqiptarët e krishterë të Kosovës.

“Justina Shiroka-Pula si Presidente është edhe shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi njëkohësisht për të gjithë shqiptarët e krishterë të Kosovës”, ka shkruar analisti.

Në fund, Nela ka vlerësuar se zgjedhja e Shiroka-Pulës i dëshmon edhe një herë Perëndimit, sipas tij, harmoninë fetare ndërmjet shqiptarëve.

“Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës i dëshmon Perëndimit edhe njëherë harmoninë e shkëlqyer fetare të shqiptarëve”, ka përfunduar Nela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat