Organizatori i protestave, Çlirim Haziri, ka kërkuar lirimin e 2 protestuesve, të cilët sipas tij janë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haziri ka thënë se votimi i Ligjit për UÇK-në ishte “moment krenarie”, por sipas tij mbetet i paplotë derisa 2 protestuesit po mbahen larg familjeve të tyre.
“Gjatë ditëve të protestës, u ndaluan 2 qytetarë, të cilët janë edhe veteranë të UÇK-së. Dalja e tyre në shesh nuk ishte asgjë më shumë se një shprehje e natyrshme për të mbrojtur historinë dhe vlerat për të cilat dikur ishin të gatshëm të jepnin jetën”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Ai ka shtuar se nuk është e drejtë që ata të trajtohen me masa të ashpra nga shteti.
“Nuk është as e drejtë dhe as njerëzore që ata të trajtohen me masa kaq të ashpra nga shteti i tyre, vetëm pse ngritën zërin për dinjitetin e kombit”, ka thënë ai.
Haziri u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe t’i lirojnë sa më parë.
“Këta burra e kanë vendin në shtëpitë e tyre, si qytetarë të lirë të Republikës që ndihmuan ta ndërtojnë vetë”, ka shkruar ai.
Policia njoftoi dje se, në protestën e së hënës “Si pasojë e protestës dhe zhvillimeve në terren, mosrespektimit të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë shoqëruar në stacion policor tre persona/protestues, ndaj të cilëve të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.