Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se ligji i miratuar nga Kuvendi bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Në një deklaratë me shkrim, BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Bashkimi Evropian ka theksuar gjithashtu se duhet të garantohet mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve.
Reagimi i sotëm vjen një ditë pasi BE-ja shprehu shqetësim të thellë lidhur me votimin në Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, ka shpjeguar edhe arsyen pse Brukseli nuk kishte reaguar më herët, kur ishte paralajmëruar mundësia e ndryshimit të ligjit apo pas miratimit të tij në lexim të parë.
“Ju e dini se ne, si çështje parimi, gjë që mendoj se është shumë logjike, komentojmë vetëm vendimet përfundimtare dhe ligjet që miratohen përfundimisht, jo projektet apo tekstet që janë të njohura ose që janë në leximin e parë apo të dytë. Prandaj, sigurisht, ne reaguam pasi pati një vendim përfundimtar nga Kosova”, ka deklaruar Wigand.
BE-ja ka përsëritur se e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor dhe ka insistuar që mandati i tyre aktual dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në reagimin e Brukselit.
Bashkimi Evropian ka theksuar në vazhdimësi rëndësinë e punës së Dhomave të Specializuara dhe të respektimit të mandatit të tyre.