Vetëm pak ditë para se të zgjidhej Presidente e Kosovës, Justina Shiroka-Pula kishte mbajtur një qëndrim publik kritik ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe ndaj mënyrës se si ishte trajtuar rasti i ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në deklarimin e saj, të bërë në kohën kur drejtonte Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Shiroka-Pula kishte thënë se vendimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së e obligonte shoqërinë të reflektonte jo vetëm mbi verdiktin e gjykatës, por edhe mbi vetë “natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit” të Dhomave të Specializuara.
Ajo kishte shprehur “rezerva të thella” ndaj mënyrës se si ishte konceptuar dhe perceptuar kjo gjykatë, duke argumentuar se drejtësia, për të qenë e besueshme, duhet të jetë e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme.
Shkrimi i plotë:
Vendimi i fundit ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës na obligon të reflektojmë jo vetëm mbi verdiktin gjyqësor, por edhe mbi vetë natyrën, mandatin dhe mënyrën e funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Qëndrimi ynë kritik ndaj kësaj gjykate buron nga bindja se drejtësia, për të qenë e besueshme dhe e qëndrueshme, duhet të perceptohet si e barabartë, gjithëpërfshirëse dhe e paanshme. Çdo mekanizëm i drejtësisë që trajton periudha të ndjeshme historike duhet të jetë veçanërisht i kujdesshëm që të mos krijojë perceptimin e një drejtësie selektive apo të një trajtimi të pabarabartë të viktimave dhe përgjegjësive.
Respekti për të drejtën dhe për procedurat juridike nuk përjashton të drejtën për kritikë institucionale. Përkundrazi, në një shoqëri demokratike, legjitimiteti i institucioneve të drejtësisë forcohet pikërisht përmes transparencës, llogaridhënies dhe debatit të argumentuar publik.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e një kapitulli vendimtar të historisë sonë. Proceset penale ndaj individëve nuk duhet të shndërrohen në gjykim të përgjithshëm të një lëvizjeje, të një periudhe historike apo të aspiratës së një populli për liri.
Prandaj, duke respektuar të drejtën e secilit për proces të rregullt dhe të gjitha mjetet juridike në dispozicion, shprehim rezervat tona të thella ndaj mënyrës se si kjo gjykatë është konceptuar dhe perceptuar, si dhe ndaj pasojave që mund të ketë në kujtesën historike, besimin publik dhe ndjenjën e drejtësisë.
Institucioni që unë e drejtoj është gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar proceset e hulumtimit, të kërkimit dhe të interpretimit të të dhënave dhe të fakteve lidhur me luftën në Kosovë.