Serbia ua ndalon hyrjen në Preshevë, Nagavci: Na detyruan t’i shprehim ngushëllimet pranë kufirit

Aktuale

Serbia ua ndalon hyrjen në Preshevë, Nagavci: Na detyruan t’i shprehim ngushëllimet pranë kufirit

Nga: N.E Më: 9 tetor 2026 Në ora: 20:08
Deputetët

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se autoritetet serbe ua kanë ndaluar hyrjen në Preshevë, ku ishte nisur së bashku me deputetet Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe këshilltarin politik të kryeministrit, Ragmi Mustafi.

Përmes një shkrimi, Nagavci ka treguar se qëllimi i vizitës ishte t’i shprehnin ngushëllime kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, pas vdekjes së babait të saj.

Sipas saj, policia serbe i ndaloi në pikën kufitare dhe, pas më shumë se dy orësh pritjeje pa marrë ndonjë shpjegim, u njoftuan se nuk mund të vazhdonin rrugën dhe duhej të ktheheshin.

Nagavci ka theksuar se bëhej fjalë për një vizitë private dhe njerëzore, pa asnjë agjendë politike, duke e cilësuar të papranueshëm veprimin e autoriteteve serbe.

Ajo ka bërë të ditur se ngushëllimet ia shprehën Sinanit pranë kufirit, pasi kryetarja e Komunës së Preshevës kishte ardhur atje së bashku me familjarët e saj për t’i takuar.

“Ky veprim është i papranueshëm. Serbia duhet të respektojë detyrimet që ka marrë përsipër, në vend që të pengojë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Nagavci.

Në fund, ajo ka paralajmëruar se për këtë rast do të informojnë autoritetet kompetente dhe institucionet e Bashkimit Evropian.

Shkrimi i plotë:

Bashkë me deputetet Fatmire Kollçaku dhe Liza Gashi, si dhe këshilltarin politik të Kryeministrit, Ragmi Mustafi, u nisëm sot drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllimet tona Kryetares së Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të saj.

Por, pushteti i Vuçiqit, përmes policisë, na ndaloi në pikën kufitare. Pas më shumë se dy orësh pritjeje, pa asnjë shpjegim, na u komunikua se nuk na lejohej të vazhdonim rrugën dhe se duhej të ktheheshim.

As ngushëllimet në një rast zie nuk i lanë jashtë politikës. Një vizitë krejtësisht private, njerëzore dhe pa asnjë agjendë politike u pengua, duke na detyruar që ngushëllimet t’ia shprehnim në rrugë, pranë kufirit, ku Ardita erdhi së bashku me familjarët e saj për të na takuar.

Ky veprim është i papranueshëm. Serbia duhet të respektojë detyrimet që ka marrë përsipër, në vend që të pengojë qytetarët e Republikës së Kosovës. Për këtë rast do të informojmë autoritetet kompetente dhe institucionet e Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat