Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të dërgojë trupa nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe njësi mbështetëse nga Divizioni i Parë i Këmbësorisë në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.
Sipas njoftimit të ushtrisë amerikane, njësitë e reja do të zëvendësojnë ekipin luftarak të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë të Gardës Kombëtare të Floridës.
Në kuadër të këtij rotacioni, elemente të Brigadës së Aviacionit Luftarak të Divizionit të Parë të Këmbësorisë do të zëvendësojnë gjithashtu Batalionin e Dytë të Regjimentit të 135-të të Aviacionit të Gardës Kombëtare të Kolorados.
Ky ndryshim vjen pas një rishikimi të misionit të KFOR-it nga Shtabi Suprem i Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), me qëllim të optimizimit të pranisë dhe organizimit të forcave të NATO-s në Kosovë.
Sipas njoftimit, përshtatja e strukturës së misionit pasqyron përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe mbështet një qasje graduale, të bazuar në zhvillimet në terren, për të siguruar që KFOR-i të mbetet i përgatitur për përmbushjen e detyrave të tij.
Po ashtu, theksohet se aleatët evropianë do të marrin përgjegjësi parësore në përputhje me kalimin drejt konceptit të NATO-s 3.0.
Ky rotacion shënon edhe një ndryshim në mënyrën e angazhimit të forcave amerikane në Kosovë, duke kaluar nga njësitë e Gardës Kombëtare te forcat e angazhuara nga strukturat ushtarake të teatrit të operacioneve, pa ndërprerë mbështetjen për misionin e KFOR-it.
Koloneli Samuel Sargent, duke folur në prag të përfundimit të rotacionit të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë, e cilësoi shërbimin në Kosovë si një nder për ushtarët amerikanë.
“Shërbimi së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s në Kosovë ka qenë një nder për ushtarët tanë. Brigada e 53-të e Këmbësorisë mbetet krenare për profesionalizmin dhe përkushtimin që trupat tona kanë dëshmuar gjatë këtij misioni. Jemi të bindur se njësia që po vjen do të vazhdojë të forcojë përpjekjet e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, deklaroi Sargent.
Ndërkaq, koloneli Jabari M. Miller, komandant i ardhshëm i Komandës Rajonale-Lindje, theksoi se Divizioni i Parë i Këmbësorisë dhe Regjimenti i 2-të i Kalorësisë janë të gatshëm të marrin përsipër këtë mision të rëndësishëm.
“Ushtarët tanë janë të përgatitur, të motivuar, të disiplinuar, të trajnuar dhe të gatshëm të punojnë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, tha Miller.
Ai falënderoi Brigadën e 53-të të Këmbësorisë për shërbimin e saj, duke riafirmuar angazhimin për të garantuar vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për KFOR-in.
Shtetet e Bashkuara ritheksuan se mbeten të përkushtuara ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe se do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n dhe partnerët e tjerë gjatë këtij tranzicioni.
Misioni i KFOR-it vazhdon të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.