Qeveria miraton projektligje të rëndësishme, merret edhe vendimi për ish-drejtuesit e UÇK-së

Aktuale

Qeveria miraton projektligje të rëndësishme, merret edhe vendimi për ish-drejtuesit e UÇK-së

Nga: Bota sot Më: 14 tetor 2026 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 10:14 më 14.10.2026
Qeveria e Kosovës

Miratohet Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për themelimin e Inspektoratit Qendror të Trashëgimisë Kulturore, i cili synon të mundësojë ndërhyrjen në rastet kur trashëgimia kulturore rrezikohet.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se inspektorati i ri do të ketë përgjegjësi për të ndërmarrë masa ndaj ndërhyrjeve të paautorizuara që mund të dëmtojnë trashëgiminë kulturore.

“Inspektorati do të ketë përgjegjësi të ndërhyjë aty ku trashëgimia rrezikohet, të ndalojë punimet e paautorizuara dhe të marrë masa ndaj ndërhyrjeve që e dëmtojnë atë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, duke vënë në pah pasojat që mund të ketë dëmtimi i saj.

“Dëmtimi i trashëgimisë kulturore është dëm për historinë”, ka thënë Kurti.

Projektligji është miratuar nga Qeveria jashtë rendit të ditës, ndërsa detajet e tjera lidhur me funksionimin dhe kompetencat e inspektoratit nuk janë bërë të ditura në deklaratën e publikuar.

Miratohet Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, i cili synon të forcojë kapacitetet institucionale për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente.

Kryeministri Albin Kurti tha se përmes këtij projektligji synohet të rritet siguria e qytetarëve, të përshpejtohet ofrimi i ndihmës dhe të përmirësohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

“Me këtë projektligj synojmë që qytetarët të kenë mbrojtje më të mirë dhe ndihmë më të shpejtë përballë fatkeqësive natyrore dhe emergjencave të tjera”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe financimit të agjencisë do të krijojë kushte për përgatitje më të mirë dhe koordinim më efikas të strukturave të shpëtimit dhe mbrojtjes në të gjithë vendin.

“Sepse në emergjenca çdo vonesë mund të ketë pasoja të pakthyeshme”, u shpreh Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e reagimit me kohë në situata emergjente.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se projektligji përcakton bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, si agjenci ekzekutive në kuadër të kësaj ministrie.

Sipas tij, me këtë nismë synohet të qartësohen kompetencat institucionale në menaxhimin e emergjencave dhe të forcohen mekanizmat për vlerësimin dhe zvogëlimin e rreziqeve.

Projektligji parasheh masa për planifikimin e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, organizimin e sistemeve të monitorimit dhe paralajmërimit, si dhe hartimin e planit kombëtar të reagimit emergjent në bashkëpunim me institucionet përkatëse.

Sveçla veçoi edhe përgatitjen e strukturave të mbrojtjes dhe shpëtimit, organizimin e ushtrimeve, vlerësimin e gatishmërisë kombëtare dhe krijimin e mirëmbajtjen e rezervave materiale për situata emergjente.

“Miratimi i këtij projektligji synon të sigurojë një bazë të qartë ligjore për ushtrimin e përgjegjësive të agjencisë, të përmirësojë koordinimin ndërmjet strukturave përkatëse dhe të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale për parandalimin, gatishmërinë dhe reagimin ndaj emergjencave”, tha Sveçla.

Me këtë projektligj, institucionet synojnë të krijojnë një sistem më të organizuar të menaxhimit të emergjencave, me përgjegjësi më të qarta dhe koordinim më të mirë, me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve.

Qeveria themelon Grupin e Punës për krerët e UÇK-së në apel, ja kush e kryeson

Qeveria e Kosovës ka themeluar Grupin Punues për çështjen e Apelit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.

Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, bëri të ditur se grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

“Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë duhet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë, dhe Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, me përfaqësim institucionale dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, tha Kurti.

"Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë, që me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës tonë çlirimtare”, tha ai.

Kurti: Zgjedhja e presidentes përmbyll konstituimin e institucioneve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka deklaruar se me zgjedhjen e presidentes së vendit është përmbyllur procesi i konstituimit të plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Praktikisht, tërë kohën ishim nëpër fushata të pandërprera zgjedhore, ngaqë mandati që merrnim nga qytetarët nuk merrte jetë me konstituim të plotë të institucioneve të Republikës. Fillimisht bllokadë kuvendi, pastaj qeveria në fund e presidencës”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi sepas përpjekjeve të shumta, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e vendit, duke shënuar kështu përmbylljen e konstituimit të institucioneve.

“Por më në fund u zgjodh edhe kjo nyje. Javën e kaluar, pas shumë përpjekjesh, që nga certifikimi i rezultateve, Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e 11 zgjodhi presidenten e shtetit të Republikës së Kosovës, akademikën Justina Shiroka Pulia”, shtoi.

Sipas Kurtit, zgjedhja e presidentes vjen pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti.

“Zgjedhja e presidentes shënon edhe përmbylljen e konstituimit të plotë të institucioneve, pas konstituimit të Kuvendit e formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 7 qershorit të këtij viti. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë vlerësoi se përmbyllja e këtij procesi i krijon vendit mundësinë që të përqendrohet në punë, projekte dhe zhvillim.

“Vendi ynë, pas shumë kohësh, ka kohë dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim, e t’i kthehet arsyes përse ekzistojnë shërbimet ndaj qytetarëve”, shtoi Kurti.

Kurti kërkon strategji kombëtare për mbështetjen e ish-drejtuesit e UÇK-së në Apel

Qeveria e Kosovës pritet të ndërmarrë hapa të rinj institucionalë për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gjatë mbledhjes së fundit të ekzekutivit, Kryeministri theksoi se institucionet do të angazhohen për një koordinim të plotë për fazën e apelit, duke paralajmëruar edhe një vendim të rëndësishëm nga ana e Qeverisë.

Në fjalën e tij para kabinetit qeveritar, kryeministri Kurti u shpreh kritik ndaj vendimit të gjykatës, duke thënë se ai nuk pasqyron realitetin e luftës çlirimtare.

"Aktgjykimi është i mbështetur në baza të pasakta historike dhe faktike. Ekzekutivi do të vazhdojë t’i mbështesë ish-krerët e UÇK-së edhe në fazën e ardhshme të procesit gjyqësor," deklaroi kryeministri.

Për të siguruar një mbrojtje efikase në shkallën e dytë, kreu i qeverisë kërkoi një qasje të strukturuar dhe të analizuar mirë në nivel kombëtar.

"Për fazën e apelit nevojitet një analizë e thellë e aktgjykimit dhe një strategji e mirëorganizuar shtetërore e kombëtare. Përpjekjet për mbrojtjen e tyre duhet të mbështeten në një strategji të mirëfilltë, e cila do të hartohet pas analizimit të plotë të aktgjykimit. Qeveria do të marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me këtë çështje", ka theksuar  ai.

Përtej zhvillimeve që ndërlidhen me proceset në Hagë, Kurti vuri në dukje edhe përmbylljen e procesit të konstituimit të institucioneve të vendit. Sipas tij, pas tejkalimit të ngatërresave politike, prioritet mbetet agjenda socio-ekonomike dhe shërbimet ndaj popullatës.

"Pas tejkalimit të bllokadave politike, institucionet duhet të përqendrohen në zhvillim ekonomik, punësim dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët", tha Kurti.

Nis mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar mbledhjen e radhës, në të cilën pritet të shqyrtohen disa projektligje, propozim-vendime dhe çështje të tjera.

Qeveria e Kosovës mblidhet sot, në rend dite dhjetë pika

Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtojë dhjetë pika të rendit të ditës, që përfshijnë projektligje, propozim-vendime dhe çështje të ndryshme institucionale.

Ndër çështjet kryesore që do të shqyrtohen janë Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.

Në rend dite është përfshirë edhe Drafti i Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për periudhën 2026–2028.

Po ashtu, ministrat do të shqyrtojnë ndryshimet në vendimin për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, si dhe propozim-vendimet për autorizimin e nënshkrimit të marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë.

Sipas rendit të ditës, mbledhja përfshin gjithsej dhjetë pika për shqyrtim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat