Veprimtari Halil Geci ka reaguar lidhur me pajtimin mes familjeve Geci dhe Mehmeti, duke thënë se mosmarrëveshjet janë lënë pas dhe se nuk do të lejojë që askush të nxisë përçarje mes tyre.
Në një postim, Geci ka përmendur Fadil Hadergjonajn dhe Anton Qunin si dëshmitarë të pajtimit, ndërsa ka theksuar se çështjet që lidhen me kërcënimet dhe deklaratat ndaj deputetit Fatos Geci duhet të trajtohen nga drejtësia.
“Pajtimi mes familjeve tona është një çështje, ndërsa drejtësia është një çështje tjetër. Secila e ka rrugën e vet!”, ka shkruar ai.
Postimi i Gecit:
PAJTIMI MES FAMILJEVE GECI DHE MEHMETI ËSHTË MË I FORTË SE FJALËT QË NA PËRÇAJNË!
Pajtimi dhe fjala e dhënë mes Familjeve tona Mehmeti Geci janë më të rëndësishme se fjalët e të tjerëve. Nuk do të lejojmë që askush të na përçajë!
Ata që mendojnë ndryshe, e kanë gabim. Ne nuk do t’ua plotësojmë dëshirën atyre që nuk ua duan të mirën dy familjeve tona.
Mosmarrëveshjet i kemi lënë pas. Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta mohojë apo ta vërë në dyshim atë që është arritur mes nesh.
Për këtë i kemi dy dëshmitarë: Fadil Hadergjonajn dhe Anton Qunin.
Besa, paqja dhe respekti janë vlerë e familjes dhe e kombit.
Nëse familja Mehmeti deklaron të kundërtën, është punë e saj.
Unë, nga ana ime, i qëndroj pajtimit dhe nuk pranoj që askush të më përdorë për të nxitur përçarje mes familjeve tona.
Ashtu dhe kështu, drejtësinë e kemi për të dyja palët. Ajo do të tregojë se kush e ka kërcënuar tjetrin: Lirimi, duke e quajtur deputetin e zgjedhur nga populli, Fatos Gecin, „idiot“, „antikombëtar“ dhe „një vijë me Beogradin“, apo Fatosi, i cili, në shkrimin e tij, nuk ia ka përmendur emrin Lirimit dhe as familjes së tij.
Pajtimi mes familjeve tona është një çështje, ndërsa drejtësia është një çështje tjetër. Secila e ka rrugën e vet!