Bordi i RTK-së raporton për sfidat financiare, Komisioni miraton raportin

Aktuale

Bordi i RTK-së raporton për sfidat financiare, Komisioni miraton raportin

Nga: A.M. Më: 14 tetor 2026 Në ora: 16:47
Pamje nga takimi

Komisioni për Buxhet, i kryesuar nga Enver Haliti, ka miratuar raportin financiar të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për periudhën janar-qershor 2026, ndërsa ka ndarë 4 milionë e 480 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të transmetuesit publik për periudhën korrik-dhjetor të këtij viti.

Gjatë mbledhjes, nënkryetarja e Bordit të RTK-së, Xheraldina Cernobregu, prezantoi raportin financiar për gjashtëmujorin e parë, duke paraqitur sfidat menaxheriale dhe financiare me të cilat është përballur institucioni që nga funksionalizimi i Bordit të ri në prill të këtij viti.

Sipas Cernobregut, gjendja financiare dhe borxhet e trashëguara kanë vështirësuar funksionimin e institucionit, duke ndikuar edhe në realizimin e investimeve kapitale.

Pas prezantimit të raportit, anëtarët e Komisionit parashtruan pyetje lidhur me gjendjen financiare të RTK-së. Për çështjet e ngritura u përgjigjën drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar, Fetah Gjata.

Spahiu prezantoi gjithashtu programin e shpenzimeve të RTK-së për periudhën korrik-dhjetor 2026, i cili u shqyrtua nga anëtarët e Komisionit para marrjes së vendimit për ndarjen e mjeteve financiare.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni miratoi raportin financiar të RTK-së për gjashtëmujorin e parë dhe ndau 4 milionë e 480 mijë euro për shpenzimet e gjashtëmujorit të dytë të vitit.

Në të njëjtën mbledhje, Komisioni miratoi edhe raportin me rekomandime të komisioneve të përhershme të Kuvendit për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Projektligji u rekomandua për votim në seancën e Kuvendit të planifikuar për nesër.

Ndërkaq, shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2026 u shty për mbledhjen e radhës, me rekomandim të kryetarit Enver Haliti dhe me pajtimin e anëtarëve të Komisionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat