Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, mori pjesë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it.
Në fjalën e saj, Presidentja Shiroka-Pula tha se është kënaqësi të jetë e pranishme në këtë moment të rëndësishëm të ndërrimit të komandës së KFOR-it, një mision që për më shumë se 27 vjet ka luajtur rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
“Historia e Kosovës është, në një pjesë të rëndësishme të saj, histori e partneritetit me aleatët tanë. Që nga viti 1999, KFOR-i ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi, ndërsa sot, teksa institucionet tona të sigurisë po zhvillojnë kapacitetet dhe përgjegjësitë e tyre, ky partneritet mbetet i rëndësishëm për stabilitetin e vendit dhe për perspektivën tonë euroatlantike”, u shpreh Presidentja Shiroka-Pula.
Ajo theksoi se përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar dhe fuqizuar institucionet e saj të sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagimin ndaj sfidave të sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve.
Sipas Presidentes, ky zhvillim dëshmon se partneriteti me aleatët ka prodhuar rezultate konkrete.
“Institucionet e Kosovës kanë avancuar në profesionalizëm, kapacitete dhe përgjegjësi, duke ruajtur njëkohësisht bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin e qytetarëve”, theksoi Presidentja Shiroka-Pula.
Presidentja e Republikës së Kosovës shprehu mirënjohjen e saj të thellë për të gjithë ushtarakët dhe pjesëtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999. Ajo theksoi se shumë prej tyre kanë kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyre, duke shërbyer në Kosovë me përkushtim dhe përgjegjësi.
Ajo nënvizoi se kontributi i tyre është pjesë e historisë së përbashkët dhe do të mbetet gjithmonë i vlerësuar nga qytetarët e Kosovës.
“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që, një ditë, Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në të. Të qëndrojmë përkrah aleatëve tanë, duke marrë pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri, përfshirë misionet ndërkombëtare, në përputhje me statusin dhe detyrimet tona si anëtare e NATO-s në të ardhmen”, u shpreh Presidentja Shiroka-Pula.
Ajo shtoi se ceremonia e ndërrimit të komandës përbën një mundësi për të riafirmuar vazhdimësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe KFOR-it.
“Gjeneralmajor Ulutaş, ju falënderoj edhe një herë për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj! Gjeneralmajor Vergori, ju uroj suksese në detyrën e re dhe ju siguroj për gatishmërinë tonë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me ju dhe me të gjithë pjesëtarët e KFOR-it!”, theksoi Presidentja Shiroka-Pula.
Në fund, Presidentja Shiroka-Pula falënderoi KFOR-in për shërbimin dhe kontributin e përditshëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.